Kërko

Takimi i Papës Françesku me anëtarët e "Fondacionit Madre de la Esperanza de Talavera de la Reina", Spanjë Takimi i Papës Françesku me anëtarët e "Fondacionit Madre de la Esperanza de Talavera de la Reina", Spanjë 

Papa: Ndihmojeni njëri-tjetrin, duke pranuar se nuk mund të bëjmë asgjë të vetëm

Françesku priti në audiencë anëtarët e Fondacionit spanjoll "Madre de la Esperanza de Talavera de la Reina", që ndihmon njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale: "Në vogëlsinë tonë, jemi misionarë të dashurisë. Çojeni Jezusin tek të tjerët, edhe nëse nuk ju kuptojnë, me gjestet, këngët dhe lutjet tuaja".

Fondacioni "Madre de la Esperanza de Talavera de la Reina" lindi në vitin 1973, me nxitjen e kryeipeshkvnisë së Toledos, për të ndihmuar njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale në të gjitha fazat e jetës së tyre. Duke pritur në Vatikan anëtarët e kësaj shoqate, Papa Françesku kujtoi se më 6 prillin e kaluar, pas dy vitesh pezullimi për shkak të pandemisë, Mundimet e Krishtit u kujtuan me Udhën e Kryqit, në kishën Santa María la Mayor "La Colegial", ku morën pjesë gra e burra me forma të ndryshme aftësie të kufizuar intelektuale.

Ta çojmë Jezusin tek të tjerët

Udha e jetës - kujtoi Papa - është si Udha e Kryqit e organizuar nga fondacioni "Madre de la Esperanza de Talavera de la Reina": "Nga njëra anë, duhet të përgatisim shumë gjëra, të dëgjojmë, të mësojmë, të eksperimentojmë; nga ana tjetër, të ndihmojmë shumë shpesh njëri-tjetrin, duke pranuar se nuk mund të bëjmë asgjë të vetëm”. Pastaj - shtoi Françesku - duhet t'i kërkojmë Zotit "guximin për të dalë rrugëve me figuren e tij, në mënyrë që të gjithë të mendojnë për Të". “E kështu - pohoi Papa duke iu drejtuar mysafirëve - e çoni Jezusin tek të tjerët, edhe nëse nuk e kuptoni, me gjestet tuaja, me këngët tuaja, me lutjet tuaja”. Gjë e bukur - shtoi Françesku - që qysh në vogëli, të jesh dëshmitar i Jezusit, "misionar i dashurisë së Tij".

Punë skuadre

Më pas Papa nënvizoi se në jetë, si në Udhën e Kryqit, organizuar nga “Madre de la Esperanza de Talavera de la Reina”, secili e ka një detyrë:

“Jezusi na shikon dhe gëzohet për përpjekjet tona dhe për dashurinë që ne jemi në gjendje të transmetojmë. Disa prej jush janë artistë, bëjnë vepra të vërteta arti, të cilat më pas shiten. Të jesh në gjendje të fitosh bukën e gojës është e rëndësishme, sepse çdo punëtor meriton një rrogë, por besoj se përfitimi i punës suaj është edhe më i madh për ata që marrin këto sende të vogla, ndoshta si dhuratë, dhe shohin gjithë dashurinë që  latë në ta ndërsa i punonit. Sa e rëndësishme do të ishte që në punën e secilit të mund të shihnim gjithë vullnetin për të mësuar, durimin e mësuesve në mësimdhënie, punën në skuadër, në gjendje të sigurojë që aftësitë e ndryshme të secilit të konvergojnë në një rezultat përfundimtar që i takon   të gjithëve”.

Me Jezusin mund të bësh shumë gjëra të mira

Papa Françesku më pas kujtoi një fotografi të Udhës së Kryqit organizuar nga fondacioni, në të cilën shihet "Jezusi i burgosur":

“Në atë figure Jezusi i ka duart e lidhura dhe një kryq të qëndisur mbi një skapolar të vogël. Jezusi vishet kështu, që ne të kuptojmë se shumë vëllezër dhe motra që janë pranë nesh nuk ndihen të aftë për të bërë gjëra si të tjerët dhe besojnë se duart e tyre janë të lidhura. Por nuk është e vërtetë, së bashku me Jezusin, ne mund të bëjmë shumë gjëra të mira. Në këtë mënyrë ju jeni duart e Jezusit, kur punoni së bashku. Ju jeni gjithashtu këmbët e tij, zëri i tij, Zemra e tij, kur dilni për të ndarë me të tjerët gëzimin e takimit me Krishtin”.

“Jezusi erdhi në botë - përfundoi Papa - për të na treguar rrugën drejt qiellit, për të na hapur dyert e tij. E ky është gëzimi i madh që kremtojmë në ringjallje: jemi të lirë të bëjmë mirë, të ecim së bashku drejt këtij caku”.

15 prill 2023, 12:44