Papa, murgeshave: të jeni të guximshme. Jo, hidhërimit, është “elizir i djallit”
R.SH. – Vatikan
Ftesë për të ecur së bashku në Kishë, duke u frymëzuar gjithmonë nga Ungjilli që të gjejnë mënyra dhe fjalë të reja për botën e sotme. Papa ua drejton atë rreth 300 pjesëmarrëseve në Asamblenë e 70-të të Përgjithshme të Bashkimit të Eproreve Rregulltare të Italisë (USMI), me temë “Në udhën sinodale, gratë dëshmitare të Krishtit të Ringjallur”. Ati i Shenjtë i pret sot në Vatikan. Françesku u kërkon murgeshave të jenë shpresë, tharmi i Zotit në mesin e njerëzimit. "Nëse një grua e shuguruar nuk dëshmon për Krishtin e Ringjallur", sipas Papës, "jeta e saj merr fund".
Rrugë të reja për botën e sotme
Gratë ishin dëshmitaret e para të Ringjalljes. Ato janë model, që na tregojnë si duhet ta ndjekim Krishtin, sepse - shpjegon Françesku - na kujtojnë se, me guximin e Ungjillit, mund të gjejmë “rrugë të reja, metoda krijuese, forma të tjera shprehjeje, shenja që flasin më qartë, fjalë me kuptim të ri për botën e sotme”. Jezu Krishti, vijon Papa, i thyen skemat e mërzitshme, në të cilat e mbajmë peng, sepse është gjithnjë krijues, është “Ungjill i përjetshëm”, prandaj, “pasuria dhe bukuria e tij nuk shterrin kurrë”:
“Shkoni përpara me guxim, gjithnjë, kërkoni atë çka na thotë Zoti sot; jo atë, që na tha dje. Vërtet që secila prej jush ka karizmën e saj, por me këtë frymë, me frymën e themelueseve të urdhrave tuaja, që e keni në zemër, bëni pyetjen: ‘O Zot, ç’duhet të bëj sot? Çfarë duhet të bëjmë?’. Gratë janë të përshtatshme për këtë, dinë të krijojnë shtigje të reja, dinë të japin… janë të guximshme”.
Shpirti Shenjt kryeson udhën sinodale
Mëngjesin e Pashkëve, nxitimi i grave për t'ua shpallur Ngjalljen e Krishtit dishepujve është frymëzim edhe për kthesën e vërtetë sinodale. Ato nuk e mbajnë gëzimin për vete, nuk ecin të vetme, “sepse pikërisht gratë kanë natyrë bujare, japin jetën, hapin shtigje, thërrasin të tjerët”. “Në fakt, prania e Jezusit – sipas Ipeshkvit të Romës – nuk na mbyll në vetvete, na shtyn drejt takimit me të tjerët dhe drejt vendimit për të ecur me të tjerët”. Sinodaliteti është udhë kryesore për Kishën:
“Të mos harrojmë se udha sinodale është Shpirti Shenjt: Ai është në krye të rrugëtimit sinodal, Ai është protagonisti. E gratë ecin përpara në këtë dinamikë. Edhe kur shpesh nuk ndiheni të vlerësuara e të kuptuara, ju jeni në dispozicion të barinjve të Kishës për të dëgjuar, për t'u takuar, për të dialoguar, për të bërë plane së bashku. Rrugë sinodale nuk do të thotë të kesh përgjigje dhe të marrësh vendime: jo. Rrugë sinodale është ecja, dëgjimi - dëgjimi! – dëgjoni dhe ecni përpara. Udha sinodale nuk është parlament; udha sinodale nuk është shumë opinionesh. Udhë sinodale do të thotë të ndiesh frymëmarrjen e jetës nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, i cili është protagonisti i Sinodit. E ju shkoni në këtë rrugë me entuziazëm të përtërirë, si gra dëshmitare të Krishtit të Ringjallur”.
Mbillni shpresën
Prekeni me dorë realitetin, mos u shkëputni kurrë prej tij, këshillon Papa, i cili u bën thirrje eproreve rregulltare të mbjellin shpresën, pavarësisht nga thirrjet e pakta, nga problematikat e veprimtarisë së urdhrave të tyre, ose nga vështirësitë e integrimit të kulturave të ndryshme në jetën rregulltare. Sfidat duhen kapërcyer, nënvizon Françesku e shpresa është më e vogla ndër virtyte, por edhe më e fuqishmja.
“Të jemi realistë, por pa e humbur gëzimin, guximin dhe përkushtimin shpresëdhënës! Projektet tuaja të shumta flasin për këtë përkushtim shpresëdhënës. Vazhdoni në këtë rrugë!”
Hidhërimi, elizir i djallit
Duke folur pa letër, Françesku vë në pah sëmundjet e jetës rregulltare e u kërkon murgeshave të kenë kujdes sidomos nga hidhërimi, nga fryma e aciditetit shpirtëror, që sheh vetëm vështirësi kudo, duke kërkuar gjithnjë gjërat, që nuk ecin si duhet. “Hidhërimi”, sipas Papës, “është likeri i djallit”, krejt i kundërt me shpresën.
“Kur kultivohet uthulla në vend të sheqerit, diçka nuk shkon. Hidhërimi, aciditeti i zemrës, bën shumë keq. Ju lutem, kur shihni se në bashkësi ndonjë murgeshë sillet kështu, ndihmojeni të dalë nga kjo situatë; ndihmojini të dalin nga gjendja e njerëzve melankolikë, që gjithmonë mendojnë: ‘Kohët e kaluara kanë qenë më të mira, sot, nuk veprojmë mirë se kështu e ashtu…’. Ky është eliziri i djallit, kjo hidhësi, kjo pije e hidhur. Ju lutem, asgjë nga këto, vetëm lejojeni Shpirtin Shenjt të na japë atë ëmbëlsi, që është krejtësisht shpirtërore”.