Papa mes të varfërve dhe refugjatëve: Kisha të flasë gjuhën e bamirësisë
R. SH. – Vatikan
Dashuria bamirëse nuk përbëhet vetëm nga vëmendja ndaj nevojave materiale, sepse përtej kësaj ekziston historia e është dinjiteti i njerëzve dhe nevoja e tyre për t'u ndjerë të dashur e të mirëpritur. Kjo është gjuha e dashurisë bamirëse, tha Papa Françesku, folur edhe për Shën Elizabetën e Hungarisë, të cilën populli hungarez e nderon me një përshpirtëri të veçantë. Elizabeta qe një ndër figurat më poetike e më në shenjë të shekullit XIII, jo për salltanet e famë, por për bukurí të mbinatyrshme virtytesh e shenjtëri jete. Ajo e ndoqi shembullin e Françeskut të Asizit, duke hequr dorë nga të mirat dhe privilegjet e rangut të saj, si bijë e mbretit të Hungarisë, Andreut II, për t'ia kushtuar jetën deri në fund Zotit dhe të varfërve:
Kjo vlen për të gjithë Kishën: nuk mjafton të japësh bukën që ushqen stomakun, duhet t’i ushqejmë zemrat e njerëzve! Dashuria bamirëse nuk është thjesht ndihmë materiale dhe sociale, por kujdeset për të gjithë personin dhe dëshiron ta rikthejë në këmbë jetën e tij me dashurinë e Jezusit: një dashuri që ndihmon për të rifituar bukurinë dhe dinjitetin. Të ndihmosh tjetrin do të thotë të kesh guximin ta shikosh në sy, sepse nuk mund të ndihmosh tjetrin duke e parë nga ana tjetër, larg. Për të bërë mirë të duhet guximi për të prekur tjetrin nga afër, nuk mund të hedhësh lëmoshë nga larg, pa e prekur. Duke prekur dhe shikuar tjetrin e kështu e duke prekur dhe parë, fillon një udhëtim, një udhëtim me personin nevojtar, i cili do të të bëjë të kuptosh sa nevojtar je ti, sa nevojë ke ti për shikimin dhe dorën e Zotit.
Dashuria bamirëse, idiomë universale
Në ditën e tij të dytë të shtegtimit apostolik në Hungari, Papa takon të varfërit dhe refugjatët brenda Kishës kushtuar Shenjtes Elizabetë të Hungarisë, ku qenë mbledhur rreth 600 persona, brenda dhe mëse një mijë njerëz jashtë, në sheshin përballë Kishës. Papa Françesku dëgjoi këngët cigane të romëve dhe Libertango nga Astor Piazzolla, por mbi të gjitha dëshmitë e atyre që kanë përjetuar vuajtje dhe privime, të atyre që kanë ikur nga lufta, të atyre që janë të pastrehë, të atyre që kanë mbetur vetëm, të sprovuar nga varfëria e brishtësia dhe falënderoni Kishën Hungareze për shërbimin e saj përkrah atyre personave që jetojnë në vështirësi:
Kjo është dëshmia që kërkohet prej nesh: dhembshuria ndaj të gjithëve, veçanërisht ndaj atyre njerëzve që janë të sprovuar nga varfëria, sëmundjet dhe dhimbjet... një dhembshuri që do të thotë 'të vuash me'. Ne kemi nevojë për një Kishë që flet rrjedhshëm gjuhën e dashurisë bamirëse, një gjuhë universale që të gjithë e dëgjojnë dhe kuptojnë, edhe ata më të largëtit, edhe ata që nuk besojnë.
Fe do të thotë të dalësh për të takuar të varfërit
Të varfërit na tregojnë një sfidë, vazhdoi Papa, atë të mos lejimit të fesë "të bjerë pre e një lloj egoizmi shpirtëror", të një spiritualiteti të ndërtuar për të kënaqur e qetësuar ndërgjegjen:
Feja e vërtetë, nga ana tjetër, është ajo që sjell shqetësim, që rrezikon, që na nxit të dalim e t’i takojmë të varfërit dhe kështu na bën të aftë të flasin gjuhën e bamirësisë me dëshminë e jetës. Siç pohon Shën Pali, ne mund të flasim shumë gjuhë, të kemi urti dhe pasuri, por nëse nuk kemi dashuri, nuk kemi asgjë dhe nuk jemi asgjë.
Të çrrënjosim indiferencën dhe egoizmin
Zoti nuk i zgjidh problemet nga lart, përqafimi dhe afërsia e tij shprehen përmes dhembshurisë së atyre që nuk qëndrojnë indiferentë ndaj "britmës së të varfërve" dhe Papa Françesku për këtë arsye shpreh mirënjohjen e tij ndaj Kishës Hungareze për "angazhimin e jashtëzakonshëm në bamirësi”, përmes Caritas-it, vullnetarëve, punëtorëve baritorë, si dhe përmes bashkëpunimit me Komunitetet tjera fetare, “të bashkuar në atë bashkësi ekumenike që buron pikërisht nga dashuria bamirëse”.
Papa falënderoi mbi të gjitha për pritjen kushtuar atyre që ikin nga Ukraina, siç u rrëfye nga një dëshmi, e që në Budapest, falë mikpritjes që kanë gjetur, kanë ndezur sërish shpresën që "inkurajon për t’i përshkuar shtigjet e reja të jetës":
Në të vërtetë, edhe në dhimbje e vuajtje, njeriu gjen guximin për të ecur përpara kur merr balsamin e dashurisë: kjo është forca që e ndihmon të besojë se nuk ka humbur gjithçka dhe se një e ardhme ndryshe është e mundur. Dashuria që na jep Jezusi dhe që na urdhëron ta jetojmë, kontribuon kështu në zhdukjen nga shoqëria, nga qytetet dhe vendet ku jetojmë, të të këqijave si indiferenca, indiferenca është një plagë, si e keqja e egoizmit, dhe e rindez shpresën për një njerëzim të ri, më të drejtë dhe vëllazëror, ku të gjithë mund të ndihen si në shtëpinë e tyre.
Nxitja e Papës është, pra, të flasim gjithmonë "gjuhën e dashurisë bamirëse", duke ndjekur shembullin e Shën Elizabetës së Hungarisë, të bukës së saj për të varfrit të shndërruar në trëndafila, në mënyrë që dashuria e dhuruar për të uriturit të bëjë "të lulëzojë gëzimin" në jetë dhe të parfumojë ekzistencën.