Kërko

Drejtuesit dhe Personeli i Shoqërisë ITA Airways Drejtuesit dhe Personeli i Shoqërisë ITA Airways  (Vatican Media)

Papa, Ita Airways: "Ju jeni krahët e mi për ta çuar Ungjillin deri në skajet e tokës"

Françesku pret drejtuesit dhe stafin e kompanisë italiane, e cila i krijon c mundësinë të shtegtojë në të katër anët e globit, për t’i përforcuar vëllezërit e tij në fe; për të qenë pranë atyre, që vuajnë; për të ndihmuar ata, që ia kushtojnë jetën paqes". Udhëtimet e ardhshme? "Pas dy javësh do të jetë në Hungari, pastaj në Marsejë, në Mongoli…".

R. SH. - Vatikan

Janë “flatrat e Papës”, ​​që i krijojnë “Pasardhësit të Pjetrit mundësinë të fluturojë në skajet e tokës, duke çuar kudo ungjillin e shpresës dhe të paqes”! Si në udhëtimin e fundit të Françeskut në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut, ku Papa mbërriti në Airbus A350, me flamurin e ITA Airways , ashtu si do të arrijë edhe në Hungari, ku do të jetë nga 28 deri më 30 prillin e ardhshëm. Më pas, vjen Marseja e edhe Mongolia... e edhe të gjitha ato shtegtime, që janë në listën e pritjes”.

Shën Pali VI, Papa i parë që shtegtoi…

Me këto fjalë i përshëndeti Françesku drejtuesit dhe stafin e linjës ajrore “që  zbritën’ në Vatikan”, të cilëve u besoi edhe një mendim tjetër të tij, “nëse Shën Pali do të kishte pasur mundësi të fluturonte me avion, ç’do të kishte ndodhur?”. Ndoshta ajo që i ndodhi një Pape me të njëjtin emër, Shën Palit VI, ‘Papa i parë në histori që kreu me avion një shtegtim apostolik". Ishte 4 janari 1964 kur u nis me një Alitalia DC8,  punonjësit e të cilit tashmë janë në pension:

“Papa Montini e kishte dëshiruar shumë udhëtimin e shkurtër, por tejet intensiv, në Tokën Shenjte. Ua kishte dhënë këtë lajm me entuziazëm dhe emocion të thellë Etërve, në fund të sesionit të dytë të Koncilit II të Vatikanit. Me atë fluturim, nisur nga Roma-Fiumicino për të mbërritur në Aman, përuroi shtegtimet e pafundme papnore nëpër botë: një mënyrë e re për kryerjen e shërbesës baritore të Papës, duke i krijuar Ipeshkvit të Romës mundësinë të takohej me shumë njerëz, të cilët nuk do të kishin qenë kurrë në gjendje të shtegtonin në Romë”.

Udhëtimi, formë misioni e papnisë

Tetë - kujton Papa - ishin shtegtimet e Palit VI gjatë papnisë së tij, në të gjitha kontinentet; 104 udhët e shkelura nga "trimi" Shën Gjon Pali II, gjatë 27 viteve të papnisë, "formë misioni, që u bë pjesë përbërëse e papnive”, si për Benediktin XVI, ashtu dhe për vetë Françeskun. Dhe e gjithë kjo, falë linjës ajrore kombëtare italiane që “zakonisht mbart pasardhësin e Pjetrit dhe shoqëruesit e tij ndër shtegtimet nëpër botën e madhe; e bën këtë edhe në udhëtimin e kthimit, në shtegtimet e brendshme e edhe nga një vend në tjetrin, si pjesë të të njëjtit udhëtim”:

“Shërbim shumë i vlefshëm, që kërkon kompetencë, kujdes dhe vëmendje për shumë hollësira, duke përfshirë logjistikën e vështirë: e di mirë Papa sepse - siç e shihni - ka disa probleme gjatë lëvizjes por, falë ndihmës suaj, vijon të shtegtojë”.

Për Papën - nënvizon sërish Françesku - shtegtimi ka shumë rëndësi, sepse i krijon mundësinë të takojë njerëz, bashkësi fetare, besimtarë të feve të tjera, si dhe gra e burra vullnetmirë…

“Të takosh personalisht, të flasësh personalisht, është ndryshe nga prania me një mesazh, a ndoshta me një video. Nuk është e njëjta gjë…”.

Prej këndej, falënderimi i Papës për ata që i krijojnë mundësinë të fluturojë mbi udhët e pafundme të botës "për t’i forcuar vëllezërit e tij në fe, për të qenë pranë atyre që vuajnë e për t’i ndihmuar ata, që ia kushtojnë jetën paqes".

14 prill 2023, 13:56