Papa Françesku përfundoi udhëtimin e tij apostolik në Hungari
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku u nis rreth orës 18.00 nga aeroporti i Budapestit, duke përfunduar kështu udhëtimin e tij të 41-të ndërkombëtar, gjatë të cilit u takua me popullsinë hungareze, në tri ditë intensive në kryeqytet. Në ceremoninë e lamtumirës, ai u përshëndet nga presidentja e Hungarisë, Katalin Novak e nga autoritete kishtare e civile.
Veprimtaria e fundit e Atit të Shenjtë ishte lënia e medaljes përkujtimore të kësaj vizite në nunciaturën apostolike, ku qëndroi gjatë këtyre ditëve. Ndërsa takimi i tij i fundit ishte ai me botën akademike dhe intelektuale hungareze në Universitetin Katolik Péter Pázmány të Budapestit. Ndërkaq, paraditen e sotme, Papa kremtoi meshën në sheshin Kossuth Lajos të Budapestit, ku tha edhe lutjen e Mbretëreshës Qiellore, në praninë e më se 50 mijë besimtarëve, që ashtu si ditët e tjera, e pritën me brohoritje e entuziazëm të jashtëzakonshëm.
Gjatë këtyre tri ditëve, Françesku denoncoi “kolonizimet ideologjike” dhe nacionalizmat, që ndikojnë negativisht në jetën e popujve; kritikoi “kulturën gender" dhe të ashtuquajturën "e drejtë për abort"; ftoi të priten mirë ata që ikin nga luftërat, varfëria dhe pasojat e ndryshimeve klimatike. Klerit hungarez i kërkoi “të shikojë Zotin e jo botën, tabernakullin e jo kompiuterin”. Pastaj, përkëdheli fëmijët e sëmurë, të varfërit e refugjatët, pati fjalë inkurajuese për bashkësinë greko-katolike dhe për të rinjtë, të cilëve u tha se janë krijuar nga Zoti për të realizuar ëndrra të mëdha. I takoi të gjithë e u çoi fjalën e Krishtit, duke i përforcuar në fe besimtarët hungarezë e duke i ftuar të jenë promovues të kulturës së krishterë në zemër të Evropës.