Kërko

Papa Françesku, në meshën e Bagmit: “Kujdes, mos e ndotni petkun e Kishës”

Ati i Shenjtë kryesoi Meshën e Bagmit, në paraditen e së Enjtes së Madhe të Pashkëve. Meshtarëve, në ditën e themelimit të shërbimit të tyre, u tha: “është koha për një vojim të dytë, për ta pritur Shpirtin Shenjt jo me entuziazmin e ëndrrave, por në brishtësinë e realitetit të secilit”

R.SH. – Vatikan

“Pa Shpirtin e Zotit nuk ka jetë të krishterë dhe, pa vojimin e tij, nuk ka shenjtëri. Ai është protagonisti e sot, në ditën e lindjes së meshtarisë, është bukur të pranosh se Ai është në origjinën e shërbesës sonë, të gjallërisë së çdo bariu të Kishës”. Kështu pohoi Papa Françesku sot paradite, gjatë homelisë së Meshës së Bagmit, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Të ndjekësh Jezusin do të thotë të njohësh shkandullin e kryqit

Pa Shpirtin, theksoi ai, “as Kisha nuk do të ishte nusja e gjallë e Krishtit, por më së shumti një organizatë fetare; jo Korpi i Krishtit, por një tempull i ndërtuar nga dora e njeriut. Shpirtin nuk mund ta lëmë jashtë shtëpisë, ose ta parkojmë në ndonjë zonë përshpirtërie”. Papa u ndal në temën e vojimit.

“Zoti jo vetëm na zgjodhi dhe na thirri: derdhi mbi ne vojimin e Shpirtit Shenjt, të njëjtin, që zbriti mbi apostujt. Jezusi i zgjodhi e, pas thirrjes së tij, ata lanë barkat, rrjetat dhe shtëpitë. Vojimi i Fjalës ua ndryshoi jetën, derisa erdhën Pashkët. Aty gjithçka u duk sikur u ndal: arritën edhe ta mohonin e ta braktisnin Mësuesin. Iu desh t’i bënin llogaritë me padenjësinë e tyre dhe e kuptuan se nuk e kishin marrë vesh Atë: ndoshta, prisnin ndonjë jetë të suksesshme, pas një Mesie, që tërhiqte turmat e bënte mrekulli, por nuk e njihnin shkandullin e kryqit, i cili ua bëri copë e grimë sigurinë. Jezusi e dinte se, të vetëm, ata nuk do t'ia dilnin në krye, prandaj, u premtoi Paraklitin”.

Vojimi i dytë

Ai i Rrëshajëve, vijoi Papa, është “vojimi i dytë”. Ai vojim e ndryshoi fenë e tyre të përqendruar vetëm mbi vetveten e, kështu, u zhdukën frika dhe hezitimet. E njëjta rrugë, karakterizon edhe jetën meshtarake: fillimisht thirrja e Zotit, që është dashuri, e cila na i magjeps zemrat, vërejti Françesku. Pastaj, Pashkët, ku secili zbulon të vërtetën për vetveten. Përjetohen çastet e krizës, pasi udha meshtarake ka vështirësi, zhgënjime e dobësi. Nganjëherë, realiteti nuk u përgjigjet idealeve, ose gjërave të imagjinuara më parë. Kjo fazë është vendimtare, vërejti Ati i Shenjtë, sepse prej saj mund të dalësh edhe keq, “duke rrëshqitur në mediokritet, duke u zvarritur, i lodhur, drejt një normaliteti ku paraqiten tre tundime të rrezikshme: ai i kompromisit, për të cilin kënaqemi me pak; ai i surrogatëve, për të cilët përpiqemi ta mbushim veten me lloj-lloj gjërash, por jo me vojimin e Shpirtit Shenjt; ai i shkurajimit, për të cilin, të pakënaqur, ecim përpara për inerci, duke rrëshqitur në klerikalizëm...”. Por, si duhet shmangur kjo gjendje, pyeti Papa meshtarët, për t’u përgjigjur:

“Me ndihmën e Shpirtit Shenjt: është koha, për ne, ashtu si atëherë për apostujt, për një vojim të dytë, me të cilin ta pranojmë Shpirtin Shenjt jo me entuziazmin e ëndrrave, por në brishtësinë e realitetit personal. Është vojim, që na e sqaron të vërtetën në thellësi, që i jep mundësinë Shpirtit Shenjt të na vojojë dobësitë, vështirësitë, varfërinë tonë të brendshme. Vetëm atëherë, vojimi parfumon sërish: prej Tij, jo prej nesh. Rruga drejt kësaj është të pranosh të vërtetën e dobësitë personale. Kështu na nxit Shpirti i së vërtetës”.

Shpirti Shenjt është “mësues i brendshëm”

“Maturia meshtarake - vijoi Papa - kalon përmes Shpirtit Shenjt, plotësohet kur Ai bëhet protagonist i jetës sonë. Atëherë, gjithçka ndryshon perspektivë, meshtaria jonë nuk ecën përpara me arna, por me begati! Nëse e lëmë Shpirtin Shenjt të veprojë, do ta ruajmë vojimin e së vërtetës, sepse të pavërtetat, hipokrizitë klerikale me të cilat tundohemi të jetojmë, do të dalin në dritë”.

Shpirti Shenjt, theksoi Françesku, është “mësues i brendshëm për t’u dëgjuar. Ta ruajmë vojimin: lutja drejtuar Shpirtit të mos jetë praktikë e nganjëhershme, por frymëmarrja e çdo dite”.

Shpirti Shenjt është harmoni

“Shpirti Shenjt - vazhdoi Papa Bergoglio - është harmoni. Së pari, në Qiell. E pastaj, në tokë: në Kishë, Ai është në fakt ajo Harmoni hyjnore dhe muzikore, që lidh gjithçka. Ai zgjon shumëllojshmërinë e karizmave dhe i rilidh ato në unitet, krijon një harmoni, që nuk bazohet në homologim, por në krijimtarinë e dashurisë. Shpirti dëshiron krijimin e harmonisë, sidomos, përmes atyre mbi të cilët ka dikuar vojimin e tij”. E Papa i këshilloi meshtarët:

“Vëllezër, krijimi i harmonisë ndërmjet nesh nuk është çështje strategjie apo mirësjelljeje: është kërkesë e brendshme për jetën e Shpirtit. Njeriu mëkaton kundër Shpirtit, i cili është bashkim, kur, qoftë edhe nga mendjelehtësia, bëhet mjet përçarjeje, thashethemesh; e kështu, luhet loja e armikut, që nuk del në shesh dhe i pëlqen thashethemet e nënkuptimet, nxit parti e grupe, ushqen nostalgjinë për të kaluarën, mosbesimin, pesimizmin, frikën. Të kemi kujdes që të mos e ndotim vojimin e Shpirtit Shenjt dhe petkun e Kishës Nënë me përçarje, me polarizime, me çdo lloj mungese bamirësie dhe bashkimi”.

Meshtari të jetë i sjellshëm

Shpirti Shenjt, përfundoi Papa, “preferon formën e bashkësisë: gatishmërinë e jo mbylljen në kërkesat personale, bindjen e jo shijet personale, përvujtërinë e jo prertendimet personale. Harmonia nuk është një virtyt mes të tjerësh, është shumë më tepër se kaq”. Meshtari të jetë i sjellshëm, nënvizoi Françesku: “nëse njerëzit gjejnë edhe tek ne të pakënaqur dhe të parealizuar, që kritikojnë e tregojnë me gisht, ku do ta shohin harmoninë? Të mirëpresim dhe të falim, gjithmonë! E ta mbajmë mend se kur jemi nervozë e ankohemi gjithmonë, përveçse nuk nxjerrim në dritë asgjë të saktë, e korruptojmë Lajmin e Mirë, sepse japim kundër-dëshmi për Zotin, i cili është bashkim e harmoni”.

06 prill 2023, 13:40