Kërko

Papa bekon degët e ullirit e palmat në meshën e së Dielës së Larit, në Vatikan Papa bekon degët e ullirit e palmat në meshën e së Dielës së Larit, në Vatikan

Papa: Jezusi në kryq kërkon dashuri për gjithë të përjashtuarit e kësaj bote

Papa Françesku kryesoi kremtimin e meshës së të Dielës së Larit, në Sheshin e Shën Pjetrit, paraprirë nga bekimi i degëve të ullirit e të palmave, që përkujtojnë hyrjen festive të Jezusit në Jerusalem. Në homeli, Mundimet e Krishtit, duke u nisur nga fjalët e tij në kryq: “Zoti im, Zoti im, pse më braktise?”. E Ati i Shenjtë kujton shumë “krishta të braktisur” të ditëve të sotme

R.SH. - Vatikan

"Zoti im, Zoti im, pse më braktise?" (Mt 27:46). Jehon rishtas kjo britmë që trandi universin më se dymijë vjet më parë. E që u dëgjua rishtas në liturgjinë e sotme, ndërsa Psalmi (Ps. 22. 2), trandte përsëri muret e të gjitha Kishave të botës, duke nisur nga Nëna e Kishave, ajo e Shën Pjetrit në Vatikan, ku Papa, i sapodalë nga spitali, kryesoi përsëri Meshën në të Dielën e Palmave e të Larit, në praninë e më se 60 mijë besimtarëve. Janë fjalët që të çojnë në zemër  të mundimeve të Krishtit, në kulmin e mundimeve që pësoi, për të na shëlbuar - me këto fjalë e nisi Françesku homelinë - duke kujtuar më pas mundimet e Krishtit, të panumërta e çnjerëzore. Mundime korpi: shuplaka, fshikullime me kamxhik, kurorë ferrash, deri në torturën e kryqit. Por edhe e kryesisht, mundime shpirti: tradhtia e Judës, mohimi i Pjetrit, dënimet fetare e civile, talljet e rojeve, zgërdhimjet poshtë kryqit, refuzimi i shumëkujt, dështimi i plotë, braktisja e dishepujve. I kish mbetur vetëm një gjë, e sigurt, e patundshme: “dashuria e Atit”. E jehona e fjalëve: “Unë jam në Atin e Ati në mua”.

Po tani ndodh e pamendueshmja: para se të vdiste, lëshon britmën: “Zoti im, Zoti im, pse më lëshove dore!”.

Ora më tragjike e jetës së Jezusit

Me këtë përshkrim tronditës nisi predikimi i sotëm, përshkrim që tund universin prej më se dymijë vjetësh, për të arritur një nga kulmet në britmën “Elì,  Elì, lemà sabaktàni?” (Mt 27,46). Vetëm këto fjalë e jo më, tha Jezusi në kryq! Poshtërimi arrin kulmin. Zoti shikon qiellin. Eshtë i mbyllur e Ai provon gjithë  helmin e jetës, shembjen e çdo sigurie, britmën e “psesë së pseve”.

Procesioni i Palmave në Sheshin e Shën Pjetrit
Procesioni i Palmave në Sheshin e Shën Pjetrit

“Zoti im, Zoti im, pse më braktise”

“Zoti im, Zoti im, pse më braktise!” - kjo shprehje, lajtmotiv i kësaj ore, ndihet në çastet e dhimbjeve kulmore: në çastet  e fëmijëve të refuzuar e të abortuar, në situatat e braktisjes, të vejnisë, të humbjes së prindërve, në këputjen e lidhjeve shoqërore e në vetminë e sëmundjes: thënë me dy fjalë, në kulm, kur këputet çdo lidhje me këtë botë!

“E në kulm Ai, Biri i vetëm e i dashur, provoi situatën më të pazakontë për të: largësinë e Zotit”.   

Po pse u arrit deri në këtë kulm?

Duke e soditur gjithë këtë tragjedi, që i kapërcen kufijtë e jetës njerëzore - vijoi Ati i Shenjtë në këtë kulm të kremtimit në Shën Pjetër -  na lind vetëm një pyetje: pse arriti Zoti deri këtu? E marrim vetëm një përgjigje: për ne! U bë solidar me ne deri  atje, ku nuk mund të arrihet, deri në fund të fundit.

Provoi braktisjen, për të mos na lënë pengje të dëshpërimit, të rrokullisur në hon. Por nuk është fundi. Sepse Jezusi ishte atje, po tani është me ty: që secili prej nesh  të mund të thotë:

“Në rrëzimet e mia, secili prej nesh është rrëzuar shumë herë… e, secili prej nesh mund të thotë: sa herë jam rrëzuar, në dëshpërime, kur ndihem i tradhtuar e kam tradhtuar të tjerët, kur më shkelin me këmbë a i shkel të tjerët, kur më braktisin a i braktis të tjerët, le të mendojmë për Atë, që u braktis, u tradhtua e u shkel me këmbë. Aty e gjejmë”.

Papa në meshën e së Dielës së Larit
Papa në meshën e së Dielës së Larit

Kryqi, gurra e shpresës

Kështu Zoti na shpëton, duke u nisur nga "pse- të" tona. Që aty nis të rijetojë shpresa. Ndonëse në kryq, ai nuk arrin në kulmin e dëshpërimit, por lutet e beson. E çon në kupë të qiellit "pse"- në e tij me fjalët e një Psalmi (22:2) dhe e lëshon veten në duart e Atit, edhe pse e ndjen larg (krh. Lk 23:46):

“Në braktisje, i beson. Në braktisje vijon t’i dojë të tijtë që e lanë vetëm dhe i fal kryqëzuesit (v. 34). E ja se humnera e së keqes sonë shndërrohet në një dashuri më të madhe; përçarja, në bashkim”.

A mund të mos na i shndërrojë zemrat gjithë kjo dashuri?  

Vëllezër dhe motra, vijoi Papa, një dashuri si kjo, e gjitha për ne, deri në fund, nuk mund të mos na i shndërrojë zemrat tona prej guri në zemra prej mishi, të afta për keqardhje, butësi dhe dhembshuri.

Krishti i braktisur na shtyn ta kërkojmë dhe ta duam në të braktisurit. Sepse në ta nuk janë vetëm nevojtarët, por është Ai vetë, Jezusi i braktisur, Ai që na shpëtoi, duke zbritur në thellësi të jetës sonë njerëzore. Prej këndej, dëshiron të kujdesemi për vëllezërit dhe motrat që i ngjajnë më shumë Atij në aktin ekstrem të dhimbjes dhe të vetmisë - vijoi Papa, duke kujtuar se:

“Ka shumë ‘Krishta të braktisur’. Popuj të tërë të shfrytëzuar dhe të lënë në fatin e vet; njerëz të varfër, që jetojnë në udhëkryqet tona; migrantë, që nuk janë më fytyra, por numra; të burgosur të refuzuar, njerëz që quhen probleme. Por ka edhe shumë krishta të padukshëm, të braktisur, të fshehur, që flaken tutje me doreza të bardha: fëmijë të palindur, të moshuar të mbetur vetëm, - që mund të jenë babai e nëna jote, ose gjyshi e gjyshja… të braktisur në shtëpitë për të moshuar (doli pak nga teksti i shkruar, Papa) - të sëmurë të pavizituar, të paaftë të shpërfillur, të rinj që ndjejnë një zbrazëti të madhe në shpirt, ndërsa askush nuk do ta dëgjojë klithmën e tyre të dhimbjes”.

Kungimi
Kungimi

Jezusi i braktisur na kërkon të kemi sy e zemër për të braktisurit

Duke iu afruar fundit të homelisë, Papa u kujtoi të gjithë besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë çka na kërkon Jezusi, dymijë vjet pas kryqëzimit, të cilin e rijetojmë çdo të Dielë të Larit, si të ndodhte sot:

“Jezusi i braktisur na kërkon të kemi sy dhe zemër për të braktisurit. Për ne, dishepujt e të braktisurve, askush nuk mund të përjashtohet, askush nuk mund të lihet në fatin e vet; sepse, të mos harrojmë, njerëzit e refuzuar dhe të përjashtuar janë ikona të gjalla të Krishtit, na kujtojnë dashurinë e Tij të çmendur, braktisjen e Tij, që na shpëton nga çdo vetmi e shkretim”.

Sot kërkojmë një hir të vetëm

 Sot ne kërkojmë një hir - theksoi në përfundim predikatari - të dimë ta duam Jezusin e braktisur dhe të dimë ta duam Jezusin në çdo të braktisur. Kërkojmë hirin që të mund ta shohim dhe ta njohim Zotin, i cili ende na bën thirrje, me gojën e tyre! Të mos lejojmë që zëri i Tij të humbasë në heshtjen shurdhuese të indiferencës. Zoti nuk na la kurrë; të kujdesemi, prandaj, për ata që mbetën vetëm. Atëherë, vetëm atëherë, do t'i bëjmë tonat dëshirat dhe ndjenjat e Atij, që për ne "zbrazi vetveten”.

02 prill 2023, 12:07