Papa: djalli përpiqet për dështimin e njeriut, por nuk ia arrin aty ku ka lutje
R.SH. – Vatikan
Atë i Shenjtë – e pyet gazetari Papën Françesku – në dëshminë e murgeshës së pushtuar nga djalli, lexohet se ky, duke folur për ju, ka thënë: “E urrej, flet gjithmonë keq për mua. E ke parë sa probleme i krijoj?”. Si t’i marrim këto pohime?
Nuk e njoh personalisht rastin, prandaj, nuk mund të jap vlerësimin tim për të. Por, ka shumë mundësi që t’ia çaj kokën djallit, sepse përpiqem të ndjek Zotin dhe të bëj atë që thotë Ungjilli. E kjo e ngacmon atë, pa dyshim. Njëkohësisht, sigurisht që kënaqet kur bëj ndonjë mëkat. Ai përpiqet për dështimin e njeriut, por nuk ka asnjë shpresë aty ku ka lutje.
Ju ka qëlluar ndonjëherë të flisni drejtpërdrejt me ndokënd të pushtuar nga djalli?
Kur isha kryeipeshkëv në Buenos Aires, kam pasur disa raste njerëzish, që erdhën tek unë, duke thënë se ishin të pushtuar nga djalli. I dërgova për t’u këshilluar me dy meshtarë të mirë "specialistë": nuk ishin shërues, por ekzorcistë. Njëri quhet Carlos Alberto Mancuso dhe ishte ekzorcist në dioqezën e La Plata-s. Tjetri ishte rrëfyesi im, Át Nicolas Mihaljevic, jezuit i lindur në Kroaci. Më vonë, të dy më thanë se, nga këta njerëz, vetëm dy ose tre ishin vërtet viktima të djallit. Të tjerët vuanin nga obsesioni se e kishin djallin në trup, por kjo nuk ishte e vërtetë. E këtë duhet ta sqarojmë mirë.
Si Papë, a keni bërë ndonjëherë ekzorcizëm?
Jo, s’më ka ndodhur kurrë. Nëse do të më duhej, do të kërkoja ndihmën e një ekzorcisti të mirë, siç bëja kur isha kryeipeshkëv.
Shumë kanë thënë për Benediktin XVI se gjatë papnisë së tij, djalli – i cili na tundon gjithmonë – e pati sulmuar, por, pavarësisht se e vuajti këtë, ai rezistoi si duhet. Papa Pali VI, në vitin 1972, pati thënë se tymi i Satanait hyn edhe në tempullin e Zotit nga ndonjë çarje. Pra, djalli mund të veprojë edhe në Vatikan e të sulmojë Papën?
Sigurisht që djalli përpiqet t’i sulmojë të gjithë, pa përjashtim, sidomos, mundohet të godasë ata, që kanë më shumë përgjegjësi në Kishë apo në shoqëri. Edhe Jezusit iu desh t’u bënte ballë tundimeve të djallit, madje edhe Simon Pjetrit, të cilit Jezusi i tha: ‘Largohu prej meje, Satana’. Prandaj, edhe Papa sulmohet nga i ligu. Ne jemi njerëz e ai përpiqet të na sulmojë gjithmonë. Kjo është e dhimbshme, por duhet thënë se para lutjes, djalli nuk ka asnjë shpresë! Është e vërtetë, siç thoshte Shën Pali VI, se djalli mund të hyjë edhe në tempullin e Zotit, për të mbjellë përçarje dhe për ta kthyer njërin kundër tjetrit: ndarjet dhe sulmet janë gjithmonë vepër e djallit. Ai përpiqet të hyjë me njëmijë mënyra për ta korruptuar zemrën dhe mendjen e njeriut. Shpëtimi i vetëm është të ndjekësh rrugën e treguar nga Krishti.
A duhet ta kemi frikë djallin?
Mendoj se ka demonë shumë të rrezikshëm e po flas për të ashtuquajturit “demonë të edukuar”. I përmend edhe Jezu Krishti, siç lexohet në Ungjillin sipas Lukës: thotë se kur shpirti i keq largohet nga trupi, sillet nëpër shkretëtirë, duke kërkuar lehtësim. Por, dikur, mërzitet e kështu, kthehet “në shtëpi”, aty nga ku e përzunë dhe e shikon shtëpinë të sistemuar, të bukur, të stolisur. Atëherë, shkon e merr demonë më të këqinj se vetja, i çon në atë shtëpi e ata hyjnë plot edukatë, i bien ziles dhe e marrin në zotërim shtëpinë pa bërë zhurmë. Shpirti, që nuk kujdeset ta shqyrtojë ndërgjegjen, nuk e kupton këtë. Ose, për vakësi shpirtërore, njeriu i lë të hyjnë. E këta janë të tmerrshëm, sepse të vrasin. Ky është pushtimi më i keq nga djalli. Mendësia shpirtërore e kësaj bote i mbulon këto gjëra. Nuk ka shpëtim: djalli, ose shkatërron drejtpërdrejt, me luftëra e me padrejtësi, ose e bën këtë me edukatë, me diplomaci, ashtu siç na tregon Jezu Krishti. Duhet shoshitje.