Papa Françesku bekon qytetin e Asizit
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku i shkruan personalisht kryebashkiakut të Asizit, në përgjigje të letrës së urimeve për dhjetë vitet e papnisë së tij. Pesëmbëdhjetë rreshta, në të cilat Ati i Shenjtë e falënderon kryetarin e bashkisë dhe më pas, shpreh lidhjen e tij të fortë me qytetin serafik, duke e përmendur dy herë shenjtorin e Asizit, nga i cili mori emrin.
Ndër të tjera, ai i bën ftesë bashkësisë që "të jetojë në harmoni me Krijimin, duke dëgjuar Zotin, njerëzit dhe natyrën e duke ndjekur shembullin e Varfanjakut të Asizit". Para se të nënshkruajë, Ati i Shenjtë i jep bekimin e tij gjithë popullsisë së qytetit italian.
Kjo letër, thuhet në një notë, e emocionoi kryebashkiakun dhe e nxit gjithë administratën komunale të impenjohet për t’u kushtuar vëmendje të veçantë të varfërve, të ligshtëve dhe nevojtarëve.