Kërko

Imzot Anthony Onyemuche Ekpo Imzot Anthony Onyemuche Ekpo

Papa emëron nënsekretarin e ri në Dikasterin për Zhvillimin Integral Njerëzor

Imzot Anthony Onyemuche Ekpo, nigerian, 41 vjeç, ka punuar deri tani në Seksionin e Çështjeve të Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë

R.SH. – Vatikan

“Dëshira ime është që të bashkëpunoj me eprorët dhe punonjësit e Dikasterit të Vatikanit për të çuar përpara vizionin e Dikasterit dhe misionin e Kishës”. Këto janë fjalët me të cilat imzot Anthony Onyemuche Ekpo falënderoi për detyrën që i besoi Papa sot, më 18 prill, me emërimin e tij si nënsekretar i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

Studimet dhe shërbimi në Selinë e Shenjtë

Me origjinë nga Umudike, Nigeri, i lindur në vitin 1981, meshtari, i emëruar kapelan i Shenjtërisë së Tij muajin e kaluar, u shugurua në korrik 2011. Ai mori doktoraturën në Teologjinë Sistematike në Universitetin Katolik Australian në vitin 2013, ndërsa në vitin 2021 mori një doktoraturë në të Drejtën kanonike të Kishës në Universitetin Gregoriana. Përveç gjuhës Igbo, gjuhë amtare e vendit të tij, Imzot Onyemuche Ekpo flet anglisht, di italisht dhe frëngjisht.

Nga shtatori 2016 e deri më sot ka shërbyer si funksionar në Seksionin e Çështjeve të Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, nga ku u largua duke falënderuar drejtuesit dhe kolegët e tij “për miqësinë dhe punën e ndarë bashkë në këto vite”. “I lutem me përvujtëri Zotit – shtoi Imzot Onyemuche Ekpo – që të më japë hirin për ta kryer këtë shërbim të ri që më është besuar me gëzim, pasion dhe përkushtim”.

18 prill 2023, 14:27