Papa, autoriteteve hungareze: ndikoni mbi Evropën, që asnjë vend të mos jetë armik
R.SH. – Vatikan
“Një Evropë, që nuk mbahet peng nga palë të ndryshme, duke u bërë pre e populizmave, të cilat i referohen vetëm vetvetes, por as nuk shndërrohet në një realitet të lëngshëm apo të gaztë, në një lloj mbinacionalizmi abstrakt, që e harron jetën e popujve”. Papa Françesku ndodhet në Budapest, qytet i urave dhe i shenjtorëve, i historisë dhe i kujtesës, “perla e Danubit” në qendër të Evropës, nga ku shpesh ka luajtur një rol të rëndësishëm për fatet e saj. Në ish-kuvendin kishtar karmelitan, tani seli e qeverisë hungareze, ai u takua sot, në ditën e parë të udhëtimit të tij apostolik në Hungari, ku do të qëndrojë deri në fund të muajit, me autoritetet, ambasadorët dhe anëtarët e shoqërisë civile, të cilëve u foli për ëndrrën e një kontinenti, në gjendje të kapërcejë luftërat dhe ndarjet, që sot ia shëmtojnë fytyrën.
Ëndrra e paqes kundër “solistëve të luftës”
Budapesti, ku Papa do të ndalet tri ditë, është qytet historik, qytet urash e qytet shenjtorësh. Ishte kryeqytet i perandorisë austro-hungareze gjatë asaj periudhe paqeje, që u quajt “Belle Époque”, por kaloi edhe nëpër shumë konflikte të mëpasme, nëpër diktaturën naziste e komuniste – e këtu Françesku nuk mund të mos kujtonte vitin 1956, revolucionin hungarez antisovjetik, për të cilin populli pagoi një çmim tejet të lartë. Pikërisht për këtë histori, nënvizoi Ati i Shenjtë para autoriteteve, Budapesti bart në vetvete “misionin për ta ruajtur thesarin e demokracisë dhe ëndrrën e paqes”, jo vetëm për Hungarinë, por për gjithë Evropën.
“Megjithatë, - vërejti Papa - në botën në të cilën jetojmë, pasioni për politikën komunitare dhe për multilateralizmin duket kujtim i bukur i së shkuarës: duket se po shohim perëndimin e trishtuar të ëndrrës korale të paqes, ndërsa i hapin vend vetes solistët e luftës. Në përgjithësi, duket sikur në shpirt na është shpërbërë entuziazmi për të ndërtuar një bashkësi paqësore dhe të qëndrueshme kombesh, ndërsa përvijohen zona, vihen në dukje dallime, nacionalizmat e ngrenë zërin sërish, aq sa duket sikur ulërijnë dhe gjykimet e toni kundër të tjerëve ekzagjerohen. Madje, në nivel ndërkombëtar, duket sikur politika ka si efekt ndezjen e shpirtrave në vend të zgjidhjes së problemeve, duke e harruar maturinë e arritur pas tmerreve të luftës dhe duke u kthyer mbrapsht në një lloj infantilizmi luftarak”.
Budapesti, “qytet i urave” në Evropë
Paqja, vijoi Papa, nuk mund të vijë nga mbrojtja e interesave vetjake, por nga politika, që mendojnë për zhvillimin e të gjithëve. Në këtë udhë, Evropa është themelore, është “kujtesa e njerëzimit”, ashtu siç është edhe Budapesti, që kremton sivjet 150-vjetorin e themelimit në vitin e largët 1873. Françesku kërkoi të rigjehet fryma evropiane, entuziazmi i ëndrrës së etërve themelues. Pikërisht njëri prej tyre, Schuman, thoshte: “paqja botërore nuk mund të shpëtohet veçse me përpjekje krijuese, në përpjestim të drejtë me rreziqet, që e kërcënojnë atë”. Ati i Shenjtë e nxiti Budapestin të jetë “qytet i urave” në Evropë, ashtu siç është në realitet, për t’i ndihmuar evropianët të kuptojnë se “bashkim nuk do të thotë uniformitet”. Përmendi Kushtetutën hungareze, ku shkruhet se “Liria individuale mund të praktikohet vetëm në bashkëpunim me të tjerët” e, edhe se “Kultura kombëtare është kontribut i pasur për bashkimin shumëngjyrësh evropian”.
“Mendoj – vuri në dukje Papa - për një Evropë, që nuk është peng i palëve të caktuara, pre e populizmave që i referohen vetëm vetvetes, por as nuk shndërrohet në një realitet të lëngshëm apo të gaztë, në një lloj mbinacionalizmi abstrakt, që e harron jetën e popujve. Kjo është rruga e djallëzuar e ‘kolonizimeve ideologjike’, të cilat eliminojnë dallimet, si në rastin e së ashtuquajturës kulturë gjinore a gender, ose i kundërvënë realitetit të jetës koncepte reduktuese të lirisë, për shembull, duke e paraqitur si fitore civile të drejtën e pakuptimtë për abort, që është gjithmonë një disfatë tragjike”.
Në Hungari, mijëra refugjatë nga Ukraina në luftë
Ati i Shenjtë vuri në pah bukurinë e ndërtimit të një Evrope, bazuar mbi njeriun e mbi popujt, me politika në favor të familjes, për të cilat Hungaria është e njohur. Përmendi edhe urën e famshme të Budapestit, atë të zinxhirëve, që na ndihmon të imagjinojmë një Evropë të formuar nga unaza të mëdha e të ndryshme, të lidhura fort me njëra-tjetrën. Hungaria mund t’ia japë këtë shembull Evropës edhe për shkak të historisë së saj të krishterë, me karakter të theksuar ekumenik. Në fakt, Budapesti është qytet shenjtorësh, vuri në dukje Papa, duke përmendur veçanërisht Shën Shtjefnin, mbretin e parë të Hungarisë, por edhe shën Elizabetën e shenjtorë të tjerë, deri në viktimat e komunizmit, si kardinali Joseph Mindszenty e shumë të tjerë. Shën Shjefni mori nga i ati disa këshilla, që e shpjegojnë shpirtin hungarez e që janë aktuale edhe sot, sidomos kur është fjala për mikpritjen e të pambrojturve e të refugjatëve. “Të rekomandoj – këto fjalët e këshillës – të jesh bujar jo vetëm ndaj familjes dhe kushërinjve të tu, ose ndaj të pushtetshmëve e të pasurve, ose ndaj të afërmve dhe banorëve të tu, por edhe ndaj të huajve”. Këtu i ka rrënjët mirësia popullore hungareze, në gjendje të presë mijëra refugjatë nga Ukraina në luftë, por edhe qëndrimi ndaj pakicave, sidomos ndaj hebrenjve, si edhe detyrimi kushtetues për ndihmë ndaj nevojtarëve.
“Dua t'ju falënderoj – iu drejtua autoriteteve Ati i Shenjtë - për promovimin e veprave bamirëse dhe edukative të frymëzuara nga këto vlera, në të cilat impenjohet bashkësia katolike vendase, si edhe për mbështetjen konkrete të kaq shumë të krishterëve të sprovuar në mbarë botën, veçanërisht në Siri dhe Liban. Ka një bashkëpunim të frytshëm ndërmjet Shtetit dhe Kishës, i cili, për të qenë i tillë, duhet të ruajë gjithsesi dallimet e nevojshme. Ka rëndësi që çdo i krishterë ta kujtojë këtë, duke pasur Ungjillin si pikë referimi, për t’i pranuar vendimet e lira e çlirimtare të Jezusit, pa i dhënë krahun logjikës së pushtetit”.
Evropa, “nëse nuk do jetë së bashku, nuk do të ekzistojë”
Papa kërkoi “një laicizëm të shëndetshëm”, që nuk sakrifikohet në altarët e fitimit. Nxiti të shihet Krishti në nevojtarët, që ikin nga konfliktet, varfëria e pasojat e ndryshimeve klimatike. E shtyu Evropën të punojë së bashku për këto tema, që janë sfidat e epokës sonë, për të përgatitur një të ardhme, e cila “nëse nuk do jetë së bashku, nuk do të ekzistojë”. Së fundi, duke ua besuar hungarezët pikërisht shenjtorëve të tyre të shumtë, i bekoi në gjuhën e tyre:
“Isten, áldd meg a magyart!” (Zoti i bekoftë hungarezët)