Kërko

“Pacem in terris”, Gjoni XXIII ua shpjegoi të gjithëve kështu

Në 60-vjetorin e botimit të enciklikës, më 11 prill 1963, ripropozojmë fjalët, që shqiptoi Papa Roncalli në ditën e nënshkrimit të saj dhe në raste të tjera të mëvonshme, duke nxjerrë në pah risitë dhe aspektet e dokumentit, që kishte më shumë për zemër: "U lutemi të gjitha qeverive të mos e bëjnë veshin shurdh para kësaj thirrjeje të njerëzimit"

R.SH. – Vatikan

         Një partiturë e shkëlqyer ka nevojë për notën e parë që të bëhet kryevepër. Nota e parë e “Pacem in terris” – kryevepër e Papës shenjt Gjoni XXIII - kumbon në një mesazh radiofonik, prej vetëm 20 rreshtash, i pakrahasueshëm me enciklikën, që do të dilte vetëm gjashtë muaj më vonë. E megjithatë, ai mesazh është nota e parë. Tekst që, si të thuash, përmban në embrion gjithë dokumentin e destinuar për vlerësime të jashtëzakonshme ndërkombëtare, kritika e debate - gur themeli i mësimit të Papëve për paqen, edhe 60 vjet pas botimit.

Shkëndija

         Ishte 25 tetori i vitit 1962, kulmi i krizës së raketave në Kubë, i atij çasti kur gishti i dy superfuqive, SHBA-ve dhe BRSS-së, ishte gati të shtypte butonin e holokaustit bërthamor. Një ditë më parë, sistemi amerikan i alarmit pati kaluar në nivelin DEFCON 2, vetëm një shkallë nën luftën atomike, prandaj, ndërsa bota dridhej, Papa Gjoni XXIII vendosi t'u përgjërohej "atyre, që kanë përgjegjësi pushtetore". Foli në frëngjisht, në gjuhën e diplomacisë ndërkombëtare, duke përsëritur një mendim, që e kishte thënë edhe në një kontekst tjetër e që tingëllonte kështu:

La main sur la conscience…
“Me dorën mbi ndërgjegje, dëgjojeni thirrjen plot ankth që nga çdo pikë e tokës, duke filluar me fëmijët e pafajshëm e deri tek të moshuarit, nga individët tek bashkësitë, lartohet drejt Qiellit: paqe! Paqe”.

Dëgjo Gjonin XXIII...

Pastaj, idealisht në gjunjë, përsëriti:

Nous supplions tous les gouvernants…

“U lutemi gjithë qeverive të mos e bëjnë veshin shurdh para kësaj thirrjeje të njerëzimit”.

Dëgjo Gjonin XXIII...

Papa Roncalli: ja pse është e re

Siç e kanë dokumentuar gjerësisht historianët, këto fjalë nxisin një proces krijues shumë të shpejtë. Imzot Pietro Pavan - ekspert në doktrinën shoqërore të Kishës, të cilin Gjon Pali II do ta bënte më vonë kardinal - shkruan bocën e parë të enciklikës. Papa Roncalli ia nënshtron rishikimeve të ndryshme derisa teksti del në dritë, më 11 prill 1963. Që nga ai çast - në të vërtetë që nga nënshkrimi - Gjoni XXIII nuk humbet asnjë rast për të folur mbi dokumentin, duke i theksuar ai vetë disa aspekte, që edhe 60 vite më vonë, janë ende interesante.

Dy ditë më parë, më 9 prill, të Martën e Madhe të Pashkëve, gjatë fjalës së shkurtër ndërsa nënshkruante enciklikën, Papa u shndërrua gati në gazetar, duke shpjeguar, ndër të tjera, një nga risitë më të mëdha të “Pacem in terris”: faktin që ajo u drejtohet jo vetëm besimtarëve, por gjithkujt, siç nuk ishte bërë kurrë në të kaluarën:

“Kjo shpjegon një risi të këtij dokumenti, i cili nuk i drejtohet vetëm Episkopatit të Kishës universale, klerit dhe besimtarëve të mbarë botës, por edhe ‘të gjithë njerëzve vullnetmirë’. Paqja universale është pasuri, që u intereson të gjithëve, pa dallim; prandaj, ua kemi hapur zemrën të gjithëve”.

Dëgjo Gjonin XXIII...

Kur të ktheheni në shtëpi, çoni paqen

Më 13 prill ishte e Shtuna e Madhe e Gjoni XXIII transmeton një mesazh të gjatë radiofonik, në të cilin gjejmë mendime për enciklikën e sapobotuar. Fjala "paqe" përmendet rreth tridhjetë herë e Papa Roncalli e quan “Pacem in terris”: "Dhurata jonë për Pashkët e vitit të Zotit 1963". Përfundon me një lutje që është, edhe një herë, jehonë e thirrjes së tij të parë drejtuar qeveritarëve:

“Shndriti përgjegjësit e popujve, që krahas shqetësimit të drejtë për mirëqenien e vëllezërve të tyre, të garantojnë dhe të mbrojnë thesarin e madh të paqes; ndize vullnetin e të gjithëve për të kapërcyer barrierat që ndajnë, për të forcuar lidhjet e dashurisë së ndërsjellë, për të qenë gati të kuptojnë, të ndiejnë dhembshuri, të falin”.

Dëgjo Gjonin XXIII...

Kalojnë më pak se dy javë dhe vjen 24 prilli, ditë audience të përgjithshme. Nëse në datën 9 "Papa i mirë" kishte shprehur “emocionin e thellë" për botimin e enciklikës, me njerëzit, që e dëgjonin në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndan "gëzimin e madh" për jehonën pozitive të saj. Shpjegon se vendimi për ta botuar të Enjten e Madhe përkon me mesazhin e Jezusit drejtuar dishepujve në çenakull - "Po ju lë paqen, po ju jap paqen time" – e, më pas, bën një propozim në vazhdën e tonit e të fjalëve të mirënjohura të “Fjalimit për Hënën”, shqiptuar më 11 tetor 1962, në mbrëmjen e hapjes së Koncilit II të Vatikanit. Por, kësaj here, fjalët e para “kur të ktheheni në shtëpi” pasohen nga një ftesë jo aq e butë e shumë më kërkuese:

“Kur të ktheheni në atdhe, në shtëpinë tuaj, të jeni kudo bartës të paqes: paqe me Zotin në shenjtëroren e ndërgjegjes; paqe në familje; paqe në profesion; paqe me të gjithë njerëzit, për aq sa varet nga ju. Në këtë mënyrë do t’ju sigurohen vlerësimi dhe mirënjohja e të gjithëve, si edhe favoret e qiellit e të tokës. Të jeni gjithmonë itinerantë të paqes!”

Dëgjo Gjonin XXIII...

“Në mendjet dhe në zemrat e të gjithëve”

Gjoni XXIII ndihej i lumtur, por edhe tejet i sprovuar nga sëmundja, shumë i lodhur. Megjithatë, iu dha mundësia të flasë sërish për “Pacem in terris” në takimin e tij të fundit zyrtar, më 11 maj, në Quirinale, kur presidenti italian Antonio Segni i dorëzoi çmimin e Fondacionit Balzan "për humanitetin, paqen dhe vëllazërimin ndërmjet popujve”. Një ditë më parë, po për këtë arsye, kishte pasur dy takime të tjera, njëri në Pallatin Apostolik e tjetri, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në prani të kardinajve dhe të personaliteteve të ndryshme nga bota letrare e shkencore. Në të parin, duke falënderuar për çmimin, Papa Roncalli mediton mbi ç’po ndodhte në atë çast:

“Aspirata për një paqe të drejtë, dëshmitarë të lumtur të së cilës jemi sot, ka depërtuar në mendjet dhe në zemrat e të gjithëve, pa dallim, por më duket se me një forcë më të theksuar, në gjirin e klasave punëtore”.

Dëgjo Gjonin XXIII...

Pra, paqja nuk është më vetëm prerogativë e ndërgjegjes së “përgjegjësve të popujve”, por vetëdije, që duket se e ka zgjeruar bazën e saj, e cila tani përfshin edhe njerëzit e thjeshtë, sigurisht, falë jehonës që pati dokumenti. Njëzet e katër ditë më vonë Gjoni XXIII vdiq, por partitura e tij “Pacem in terris” mbetet simfoni universale. Kështu ishte që nga nota e parë e atij mesazhi të shkurtër radiofonik të vitit 1962, të cilit sot i bëjnë jehonë thirrjet e shumta të Papës Françesku për udhëheqësit e bashkësisë ndërkombëtare, në epokën e një lufte botërore pjesë-pjesë:

Qu’ils fassent tout ce qui...
“Le të bëjnë gjithçka është në fuqinë e tyre për të shpëtuar paqen. Kështu, ata do t'i kursejnë botës tmerret e një lufte, pasojat e tmerrshme të së cilës nuk mund t'i parashikojë askush”.

Dëgjo Gjonin XXIII...
11 prill 2023, 16:44