Kërko

Mons Michael W. Banach nunzio apostolico di Budapest sulla visita del Papa Francesco   Mons Michael W. Banach nunzio apostolico di Budapest sulla visita del Papa Francesco  

Nunci në Hungari: Papa do të gjejë një bashkësi, që respekton njerëzit dhe krijimin

Pak orë para mbërritjes së Papës Françesku në Budapest, Nunci Apostolik në Hungari, Imzot Michael Banach, flet për atmosferën e pritjes, duke nënvizuar marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet vendit dhe Selisë së Shenjtë.

R. SH. - Vatikan

Një "Kishë e gjelbër, që kujdeset për krijimin", e një "popull me zemër të madhe", i aftë për të mirëpritur. Shihet qartë në mikpritjen e refugjatëve ukrainas, “që në ditët e para të luftës”, por edhe në “vëmendjen ndaj të moshuarve”. Vendi sigurisht ka ndryshuar në krahasim me tridhjetë vjet më parë, kur e vizitoi Gjon Pali II, por "krenaria e bashkësisë katolike është e njëjtë". Kështu shprehet Nunci Apostolik në Hungari, Imzot Michael Banach, në prag të shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Budapest. Kryeipeshkvi titullar i Memfit e kryen këtë detyrë që nga viti i kaluar.

Të ndjekim intervistën me Imzot Michael Banach:

Imzot Banach, si ka ndryshuar Hungaria që nga fundi i shekullit të kaluar, kur vendi priti dy herë Gjon Palin II?

“Do të nisesha nga paralelizmi ndërmjet dy vizitave të Gjon Palit II dhe dy vizitave të Papës Françesku. Shumë katolikë flasin me krenari për këtë në Hungari, duke theksuar edhe se ky vend ka pritur dy Papë, dy herë. Për këtë emocionohet thellë populli hungarez. Çfarë ka ndryshuar në këto dekada? Vizita e parë e Gjon Palit II u bë menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, kur rilindte liria e zhdukur. Në atë kohë kishte shumë entuziazëm, shumë shpresë për të ardhmen. Me kalimin e viteve realiteti u vështirësua e sot Françesku mbërrin në një vend që sigurisht ka ndryshuar në krahasim me tridhjetë vjet më parë. Hungaria është më e zhvilluar, falë reformave ekonomike. Megjithatë, ka një konstante: Françeskun do ta mirëpresë një bashkësi krenare, që është katolike, në bashkim me Papën. E, që kur filloi lufta në Ukrainë, nga pikëpamja gjeografike Papa do t'i afrohet më shumë se kurrë Kievit”.

Françesku e ka shprehur pambarimisht muajt e fundit afërsinë me popullin ukrainas. Po Kisha hungareze, çfarë qëndrimi mbajti e mban ndaj konfliktit në Ukrainë?

“Hungaria është në kufi me Ukrainën, element gjeografik ky. Besoj se lufta ka pasur ndikim shumë pozitiv në Kishën, e cila këtu në Hungari ka bërë mirë duke pritur refugjatët ukrainas. Kjo ndodhi që në ditët e para të luftës: Caritasi, dioqezat ishin të pranishme në kufi, në hekurudhë, kudo. Ata ishin aty për të plotësuar nevojat e përditshme të këtyre njerëzve, nga ushqimi - te batanijet e shumë e shumë të tjera. Regjistrimi i gjithë kësaj ishte shumë prekës, por nuk duhet të habitemi, sepse kjo është tradita e kishës hungareze. Mendoj për Shën Elizabetën e Hungarisë, shenjtoren e madhe të bamirësisë. Mikpritja, bamirësia është në zemrën e hungarezëve”.

Dy fjalë për marrëdhëniet e Hungarisë me Selinë e Shenjtë në rrjedhë të historisë?

“Po flasim për marrëdhënie që nisin nga mbreti i parë, Shën Shtjefni, i cili përqafoi krishterimin. Ai ia kushtoi vendin Virgjërës Mari, duke ftuar popullsinë që ta quante Magna Domina, Zonja e Madhe. Që në atë çast konceptet e mendësia e krishterë hynë në gjakun e popullit hungarez, si dhe në dokumentet juridike, përfshirë edhe kushtetutat e ndryshme. Dua të kujtoj paraardhësin tim, Imzot Angelo Rotta, Nunc Apostolik në Budapest nga viti 1930 deri në 1945. Gjatë luftës botërore, ai bëri shumë për të shpëtuar hebrenjtë dhe u quajt “i Drejti i Kombeve”. Kujtimi i tij është ende i gjallë. E kjo është një tjetër lidhje ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Hungarisë. Kohët e fundit, pas rifillimit të marrëdhënieve diplomatike, dalin në pah dy vizitat e Gjon Palit II dhe tani ky Shtegtim Apostolik i Papës Françesku, ngjarje që dëshmojnë për marrëdhëniet e mira diplomatike ekzistuese”.

Papa ka kërkuar disa herë në këto dhjetë vjet të papnisë së tij ta luftojë kulturën e hedhurinës. Gjë që të kujton edhe refugjatët, por edhe të moshuarit e të sëmurët. Si i përgjigjet Kisha hungareze kësaj kërkese?

“Më pëlqen t'i përgjigjem pyetjes suaj duke u nisur nga fakti se Kisha këtu është e gjelbër. Në shkollat ​​katolike studiohet enciklika Laudato si', vëmendje që nuk e kam hasur ndonjëherë në vende të tjera. Qyteti i Budapestit, i cili feston 150-vjetorin e tij këtë vit, krenohet që është qytet i gjelbër. Sigurisht që sfidat nuk mungojnë, por shihet kujdesi me të cilin banorët dhe përfaqësuesit e tyre politikë e marrin seriozisht çështjen mjedisore. Këtë e bën edhe Kisha. Më pas luftohet kultura e hedhurinës, përmes kujdesit për të moshuarit, në një vend që ka shumë shtëpi pushimi. E gjithë kjo ndodh jo vetëm në nivel institucional, por edhe në nivel personal. Është shumë bukur ta provosh këtë respekt për tjetrin në Hungari: respekt që e jetova sapo mbërrita në vend”.

26 prill 2023, 09:16