Mijëra besimtarë në Vatikan, me Papën Françesku për Meshën e Pashkëve
R.SH. / Vatikan
Këtë të Diel të Pashkëve sytë e mbarë botës, jo vetëm katolike, ishin drejtuar nga Papa Françeskut, pasardhësi i Pjetrit, i cili nderoi figuren e Krishtit të Ngjallur, në tremen e Bazilikës së Vatikanit, një kujtim i rrëfimit në Ungjillin e Gjonit, që e përshkruan Pjetrin si dëshmitar i ringjalljes së Jezusit”. Me të vërtetë - këndon bashkësia e besimtarëve - Zoti u ngjall dhe iu duk Simonit”. 45.000 besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, të ngrohur më në fund nga dielli i prillit, ndjekin Papën që kremton Meshën e Pashkëve përpara ikonës akeropite të Shëlbuesit, pasi dy kapakët anësorë, që mbrojnë Figuren e Krishtit Pantokrator, mbret, meshtar e profet, ulur në fron, u hapën nga diakonët.
Traditë, që filloi me Jubileun e Madh të vitit 2000
Mbi dhe poshtë ikonës qendrore prej druri të krijuar nga një ikonograf gjeorgjian në vitin 2007, është transkriptuar në greqisht një tekst papnor kushtuar ringjalljes: "Për virtyt të ringjalljes së Jezu Krishtit, që është në të djathtën e Atit". Ndërsa në dy dyert anësore, të përbëra nga katër katrorë secila, vepër e një grupi artizanësh nga Associazione Regionale Romana Orafi, një tekst Paulin mbi ringjalljen, i shënuar në tetë kuadratet majtas dhe djathtas: "Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, u varros dhe u ringjall në ditën e tretë sipas Shkrimeve, iu duk Çefës dhe më pas të Dymbëdhjetëve. Së fundi, edhe mua”. Nga Jubileu i Madh i vitit 2000, me vullnetin e Shën Gjon Palit II dhe deri në vitin 2006 (me përjashtim të vitit 2005), ikona acheropíta (jo e bërë me dorë njeriu) e Shëlbuesit u soll në Sheshin e Shën Pjetrit. Relike e nderuar, që ndoshta vjen nga Lindja, e ruajtur në Oratorinë e Shën Lorencit në Lateran, sot Scala Santa.
Spërkatja e ujit të bekuar në Natën e Shenjtë
Më pas Françesku e spërkat asamblenë me ujë të bekuar Natën e Pashkëve, gjatë kremtimit të Meshës, duke kujtuar se “Gëzimi i shpalljes së Ngjalljes së Zotit na vjen nga Nata e Pashkëve. Të shndërruar nga drita e të Ngjallurit dhe në bashkim me të gjithë dishepujt e Krishtit, nën shenjën e ujit, përkujtojmë Pagëzimin tonë, për të marrë pjesë në jetën e re, në gostinë eukaristike”. Në lutjen kolektive që hapi festën, kryesuar nga Françesku me 32 kardinalë, 15 ipeshkvij dhe mbi 300 priftërinj bashkëfestues, Papa iu lut Zotit Atë;
"O Atë, që në këtë ditë, nëpërmjet Birit tënd të vetëm, fitove mbi vdekjen dhe na hape rrugën e jetës së amshuar, ndihmona ne, që kremtojmë Ngjalljen e Zotit, të rilindim në dritën e jetës, të përtërirë nga Shpirti yt”.
Lutje për paqe dhe për të sëmurët, të varfërit dhe të vetmuarit
Në lutjet e besimtarëve, kërkohet ndihma e Zotit në anglisht, si vijon: "Paqja, dhuratë e Zotit të Ngjallur dhe aspiratë e popujve, triumfoftë mbi vringllimën e armëve dhe mbi urrejtjen që mbjell vdekjen dhe të gjitha kombet ndërtofshin një qytetërim të ri të bazuar në 'Dashuri'. Më pas në arabisht: "Të sëmurët, të varfërit dhe të vetmuarit e kremtofshin misterin e Pashkëve e, të ngushëlluar nga bamirësia së vëllezërve, përjetofshin butësinë e Zotit".
Tweet-i i parë me zemrën e homelisë të Vigjiljes së Pashkëve
Papa Françesku, pak para festës, në tweet-in e orës 9.30, kujtoi thelbin e predikimit të kremtimit të Natës së Shenjtë: "Për t'u ringjallur, për të filluar nga e para, për të rifilluar udhëtimin, ne gjithmonë duhet të kthehemi në Galile” Përpara Bekimit të Urbi et Orbi, Françesku përshkoi me papamobil Sheshin dhe Rrugën e Pajtimit, për të përshëndetur turmën.