Kërko

Kodet e së Drejtës Kanonike Kodet e së Drejtës Kanonike

Kishat Lindore, motu proprio e Papës Françesku

Papa ndryshon normat, që kanë të bëjnë me ipeshkvijtë, të cilët kanë mbushur moshën tetëdhjetë vjeç në Sinodin e Ipeshkvijve të Kishave të ritit lindor. Me letrën apostolike në formën e motu proprio-s, me titull “Që prej kohe”, Françesku modifikon disa nene: duke filluar nga mosha 80 vjeçare, ipeshkvijtë e nderit të Sinodit të Ipeshkvijve nuk mund të marrin më pjesë në votim. Rregulli nuk zbatohet për ata, që janë aktualisht në detyrë

R.SH. – Vatikan

Me një Motu Proprio të ri - Iam Pridem (Që prej kohe) - botuar sot, Papa Françesku ndërhyn në Kodin e Kanoneve të Kishave Lindore, duke ndryshuar normat, që kanë të bëjnë me ipeshkvijtë, të cilët kanë mbushur moshën tetëdhjetë vjeç në Sinodin e Ipeshkvijve të Kishave të ritit lindor, ose “sui iuris”.

Ati i Shenjtë pati parasysh sinjalizimin e disa patriarkëve, kryeipeshkvijve dhe ipeshkvijve të Dikasterit për Kishat Lindore, të cilët vunë në dukje vështirësitë e hasura në Sinodet e Ipeshkvijve të Kishave Patriarkale, për shkak të numrit të ipeshkvijve të nderit, që deri më sot merrnin pjesë aktivisht, veçanërisht në zgjedhjen e ipeshkvijve, të krerëve dhe të etërve të Kishave përkatëse “sui iuris”. Për këtë arsye, vendosi që, kur arrijnë moshën tetëdhjetë vjeçare, këta të përjashtohen nga votimi në Sinod.

Megjithatë, Papa saktëson se norma nuk zbatohet për patriarkët, kryeipeshkvijtë, ipeshkvijtë eparkialë dhe ekzarkët, të cilët janë ende në detyrë, pavarësisht se kanë mbushur moshën.

Pra, Papa vendosi kufirin e moshës 80 vjeçare për pjesëmarrjen e ipeshkvijve të nderit të Kishave Lindore në asambletë e tyre zgjedhore, siç ndodh me kardinajtë në rastin e konklavit.

17 prill 2023, 16:05