Françesku: ndihma e të varfërve e përmirëson jetën e shoqërisë
R.SH. / Vatikan
Porto Riko, 20 shtator 2017. Uragani "Maria" shfryn me tërbim mbi ishullin; një skëterrë erërash me shpejtësi 250 kilometra në orë dhe shi me rrëshekë. Kur pushon, lë pas një turmë prej 3000 të vdekurish dhe dëme prej miliarda dollarësh.
Përsëri në Puerto Riko, më 20 shtator 2022. Këtë herë është uragani “Fiona” që sulet mbi Ishullin e Karaibeve. Viktimat fatmirësisht janë të pakta, ndërsa të zhvendosurit dhe shkatërrimet, të mëdha. Në këtë zonë, si dhe në të tjerat, ku format e varfërisë i kafshojnë njerëzit dhe ambientet, lëviz Shoqëria Catholic Extension, organizatë më se 100-vjeçare (miratuar nga Piu X, në vitin 1907), që u çon mbështetje dhe fonde dioqezave misionare më të varfra të Shteteve të Bashkuara.
Në kërkim të një ardhmërie më të mirë
Papa, duke pritur një përfaqësi, i shprehu mirënjohjen për këtë punë, e cila prej dekadash i mbron sa mundet "më të pambrojturit":
“Ju falënderoj edhe për kontributin tuaj të çmuar, si në nivel kishtar, ashtu edhe në atë civil, për rindërtimin e Porto Rikos pas uraganeve dhe tërmeteve, që e shkatërruan ishullin vitet e fundit. E akoma, e përgëzoj motrën Norma Pimentel, fituese të çmimit ‘Spirit of Francis”, për shërbimin që u ofron burrave, grave dhe fëmijëve të shumtë, të cilët arrijnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara - esa frontera es caliente caliente – (ai kufi është i nxehtë, i nxehtë) në kërkim të një të ardhmërie më të mirë”.
Duke shprehur "stilin e Zotit"
Françesku pohoi se gëzohet për nxitjen e veprimtarisë baritore të Kishës me viktimat e "kulturës së sotme të hedhurinave". Në këtë mënyrë - vërejti - "zëri i tyre mund të dëgjohet dhe shoqëria në tërësi mund të përfitojë".
Papa e inkurajoi Shoqërinë Catholic Extension, duke e nxitur "të vazhdojë të shprehet në 'stilin e Zotit'", i cili - përsëriti - "nuk është kurrë i largët, i shkëputur apo indiferent. Përkundrazi, është stil afërsie, dhembshurie, butësie”.
“Të dëgjosh dhe të përfshish përvojat dhe këndvështrimet e të gjithëve, veçanërisht atyre që jetojnë në skutat e shoqërisë, do të thotë të pasurosh jetën dhe shërbesën kishtare; sepse Kisha është si një sixhade e madhe, e përbërë nga shumë fije të veçanta, që vijnë nga popuj, gjuhë dhe kultura të ndryshme, por që thuren në unitet nga Shpirti Shenjt. Në të vërtetë, Shpirti krijon unitet duke harmonizuar shumëllojshmërinë e gjymtyrëve të Korpit të Krishtit dhe larminë e dhuratave të tyre”.