Kërko

 Kievi, i qëlluar gjatë natës nga  34 raketa ruse Kievi, i qëlluar gjatë natës nga 34 raketa ruse 

Françesku: të lutemi për paqen, veçanërisht në Ukrainë

Në përshëndetjet, në përfundim të kremtimit të Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku kërkoi përsëri lutje për paqen, veçanërisht për Ukrainën. Ndërkohë, pas një nate në të cilën tingëlluan papushim alarme raketash në lokalitete të ndryshme të vendit, përhapet një lajm shqetësues me karakter ushtarak, i dalë nga Pentagoni.

R. SH. - Vatikan

"Ta kërkojmë me ngulm dhuratën e paqes për të gjithë botën, veçanërisht për Ukrainën e dashur dhe të torturuar".

Kjo, ftesa e Papës Françesku në përshëndetjet e lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore.

Alarmi ajror në qytete të ndryshme të Ukrainës

E tmerruar nga fishkëllimat e sirenave, nata e sapo kaluar në Ukrainë: alarmi i sulmit ajror u ndje në shtatë rajone, në lindje të vendit: Dnipro, Poltava, Sumy, Kharkiv, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson. Burimet lokale flasin për bomba ajrore në fshatin Novoberyslav të bashkësisë Beryslav dhe avionë luftarakë rusë, që dyshohet se hodhën tri bomba në fshatin Kizomys, në komunitetin Bilozerka. Të dy fshatrat ndodhen në territorin e kontrolluar nga Ukraina, në bregun perëndimor të lumit Dnipro. Nuk flitet për viktima civile. Mediat lokale kujtojnë edhe se trupat ruse po shkatërrojnë stacionin qendror hekurudhor të Mariupolit dhe disa ndërtesa përreth, me sa duket për ndërtimin e një qendre të madhe logjistike. Qyteti është nën pushtimin rus që nga maji 2022.

Dalje informacionesh sekrete

Ndërkohë, dalja e lajmeve për shkak të publikimit online të dokumenteve sekrete ushtarake amerikane, po shkakton shumë diskutime. Si pasojë, Ukraina ka ndryshuar tashmë disa nga planet e saj. Sipas dokumentave tepër sekrete amerikane, që përfunduan në internet, në vend është i pranishëm një kontigjent i vogël prej më pak se njëqind vetësh, i ngarkuar me operacioneve speciale nga vendet e NATO-s si SHBA, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Letonia. Parisi e mohon këtë lajm, duke përjashtuar mundësinë e angazhimit të ushtarëve në tokën ukrainase. "Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së vazhdon të shqyrtojë dhe të vlerësojë përmbajtjen e dokumenteve të fotografuara, që qarkullojnë në faqet e mediave sociale e që duket se përmbajnë materiale të ndjeshme dhe shumë të klasifikuara" - pohoi zëdhënësja e shtypit, Sabrina Singh, në një deklaratë të cituar nga CNN.

Kievi denoncon rrëmbimet e civilëve në Lugansk

Së fundi, administrata ushtarake e Luganskut denoncoi bastisjet dhe rrëmbimet e civilëve prej autoriteteve të detyruara nga Moska në provincën lindore të Ukrainës, pushtuar kryesisht nga rusët. “Rastet e rrëmbimeve të dhunshme të popullatës civile nga duart e pushtuesve rusë nuk kanë të ndalur”, thuhet në një deklaratë të publikuar në Telegram. “Posaçërisht në komunën e Satrobilsk pati bastisje në shtëpitë e qytetarëve të dyshuar se mbështesin Kievin. Disa persona u dërguan në vende të panjohura, nga të cilat nuk u kthyen më” - kujtohet në një shënim, ku denoncohen edhe shpërdorime të tjera nga pushtuesit si p.sh. vjedhja e rrasave të varreve nga varrezat ukrainase, për t'i përdorur, pas fshirjes së emrave, për varret e shokëve të tyre, ushtarë të rënë në front. Ky, njoftimi i Administratës Ushtarake të rajonit të Luganskut, e cila tani përveç të gjallëve, duhet të mbrojë edhe të vdekurit!

10 prill 2023, 14:38