Kërko

Lutja e Mbretëreshës Qiellore Lutja e Mbretëreshës Qiellore 

Françesku: nga e premtja në Hungari, në qendër të Evropës, ku fryjnë erërat e luftës

Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi shtegtimin e tij apostolik nga 28 deri më 30 prill, në Budapest, për të përfunduar vizitën e vitit 2021 - si dhe konfliktin në Ukrainë, që i trondit shumë vëllezër dhe motra aq, sa “të detyrohen të ikin, duke krijuar një atmosferë urgjente humanitare”

R. SH. - Vatikan

Udhëtimi, të premten, për në Hungari, në qendër të Evropës, "ku vazhdojnë të fryjnë erërat e akullta të luftës", ndërsa "zhvendosja e shumë njerëzve vë në rendin e ditës çështje humanitare urgjente", e shqetëson tepër Papën Françesku në këtë të dielë, e treta e Kohës së Pashkëve. Të premten e ardhshme, kujton: "Do të shkoj në Budapest, në Hungari, ku do të qëndroj tri ditë, që të përfundoj shtegtimin e vitit 2021 për Kongresin Ndërkombëtar Eukaristik".

Papa në Hungari, shtegtim i “premtuar” në emër të paqes dhe ardhmërisë së Evropës

“Do të jetë edhe shtegtim drejt qendrës së Evropës, ku erërat e akullta të luftës vazhdojnë të fryjnë, ndërsa lëvizjet e një mori njerëzish vënë në plan të parë çështjen urgjente humanitare”.

Pastaj Papa iu drejtua me dashuri vëllezërve dhe motrave të tij hungareze "në pritje për t’i vizituar". “E di se po e përgatisni ardhjen time me shumë përpjekje - shton - ndaj ju falënderoj nga zemra për këtë. Kërkoj nga të gjithë të më shoqërojnë me lutje”. Këto, fjalët e Papës, që menjëherë pas  kërkon të mos harrohen vëllezërit dhe motrat ukrainase, "ende të tronditur nga lufta".

Temat e tri ditëve të takimeve dhe festimeve në Budapest

Gjatë tri ditëve në kryeqytetin hungarez, që ka jetuar luftëra dhe pushtime e ka parë edhe dyndje të pandërprerë refugjatësh nga Ukraina që nga 24 shkurti 2022, Papa Françesku do të takohet me autoritetet civile dhe politike, duke përfshirë presidentin Novak dhe kryeministrin Orbán, ipeshkvij e kardinaj, refugjatë dhe refugjate (edhe disa ukrainas), të rinj, fëmijë të sëmurë, përfaqësues të botës së shkencës dhe kulturës. Programi parashikon edhe një takim me bashkësinë e madhe greko-katolike të vendit, disa përfaqësues të së cilës do të japin dëshmitë e tyre. Gjashtë fjalimet e Papës, të gjitha në italisht, do të prekin temat e unitetit evropian, të ardhmen e të rinjve, dialogun ekumenik, inkurajimin për një kishë që ka përjetuar periudha persekutimi dhe, natyrisht, dramën e luftës dhe thirrjen për paqe, në një komb që ka 135 km kufi me Ukrainën në luftë. Një  rrip i ngushtë toke, udhë e arratisjes për shumë njerëz të shpërngulur, të cilët mbërrijnë në Hungari me autobus, tren ose me makinë pas rradhëve kilometrike, duke kaluar nëpër këtë vend parë si një pikë tranziti,  e për t’u zhvendosur, më pas, në Gjermani, Holandë, Itali e vende të tjera.

23 prill 2023, 14:17