Françesku: "Ndihet nevoja e kuptimit të ndjenjës së atdheut"
R. SH. - Vatikan
Lufta kundër abuzimeve në kishë e lufta në Ukrainë, paqja, politika argjentinase, përparimi i ultra të djathtës, vlera e patriotizmit, përhapja e kishave ungjillore në Amerikën Latine, politika e njohur si lawfare, mëkatet e gazetarisë, lidhja e saj me ata që u është grabitur liria, vizioni i tij për gratë…: Papa Françesku foli për të gjitha këto në një bisedë të gjatë me gazetarin Gustavo Sylvestre të Canal 5 de Noticias (C5N), rrjet televiziv argjentinas, me rastin e dhjetëvjetorit të zgjedhjes në Fronin e Shën Pjetrit. Përveç ripohimit të reflektimeve në intervistat e shumta, të botuara tashmë javët e fundit, ndërsa kremtonte dhjetëvjetorin, Papa u thellua në pyetjet lidhur me atdheun e tij, Argjentinën.
Luftat e brendshme
Sylvestre i drejtoi Papës një pyetje për fjalët e thëna në audiencën e përgjithshme të 15 marsit, kur falënderoi liderët e qeverisë së vendit dhe partitë opozitare, që u bashkuan për të nënshkruar një letër përshëndetëse dhe i nxiti të bashkohen gjithmonë për të biseduar, për të diskutuar dhe për ta çuar përpara mëmëdheun. Më pas ai kujtoi se të gjithëve u pëlqejnë betejat e brendshme të të tjerëve, domethënë u pëlqen të polemizojnë për çdo gjë, duke shtuar: “Luftërat tona të brendshme janë të dëmshme, janë më të forta se ndjenja e përkatësisë, shkatërrojnë përkatësinë politike. Formohen parti të ndryshme, që nuk kanë fuqi politike as të mblidhen”.
Më pas, Ati i Shenjtë i ilustroi me një histori reflektimet e tij mbi "internalizmin", a mbi ato mosmarrëveshje, që burojnë nga jeta politike dhe shoqërore. Ai përmendi shembullin e gjashtë apo shtatë sipërmarrësve që sapo kanë nënshkruar një marrëveshje ndërmjet shoqërive të tyre përkatëse e, ndërsa presin shampanjën për të bërë dolli, flasin me njëri-tjetrin nën tavolinë për të themeluar një kompani tjetër. Në lidhje me këtë, Papa kujtoi se "politika është arti i paraqitjes së një projekti dhe i bindjes së të tjerëve" dhe theksoi nevojën për të pasur "politikanë të racës", duke shprehur keqardhjen se si ndonjëherë humbet kuptimi i asaj që, mbi të gjitha, është shërbim. Më pas e quajti të turpshëm faktin se ka drejtues që kanë bërë katër “divorce politike” dhe paraqiten si “shpëtimtarë të vendit”, duke shtuar se “ka identitete që i ke apo që nuk i ke” për të sqaruar se përkatësia politike apo fetare nuk është petk, fustan a këpucë që mund t’i ndërrosh çdo ditë, por “pasion, që e ke në shpirt”. Françesku i ftoi të gjithë ta pyesin veten se cila është historia politike e çdo njeriu, identiteti, përkatësia.
Ultra e djathta është gjithmonë centripetale
Për sa i përket avancimit të ultra të djathtës, Papa shprehu shqetësimin për fenomenin, duke kujtuar se ajo që “rikompozohet gjithmonë, është centripetale, nuk është centrifugale, nuk e krijon drejt së jashtmes, mundësinë e reformës. E kur u pyet se cili është kundërhlemi, Papa u përgjigj: drejtësia sociale. “Nuk ka tjetër”, shtoi. “Nëse doni të debatoni me një politikan, një mendimtar ultra të djathtë, flisni për drejtësinë sociale, flisni horizontalisht” këshilloi ai.
Ligji
Përsa i përket shfrytëzimit të drejtësisë, Ati i Shenjtë pohoi se “ligji fillon përmes mjeteve të informimit masiv, të cilat njollosin dhe krijojnë dyshime për krime. Krijohen hetime të mëdha dhe vëllimi i këtyre hetimeve është i mjaftueshëm për të dënuar, edhe nëse krimi nuk gjendet gjëkundi. Në këtë drejtim, Françesku pohoi se “duhet të ngrihet zëri e duhet thënë: këtu ka parregullsi” e se “politikanët kanë misionin të demaskojnë drejtësinë e padrejtë”. Për homoseksualët e të divorcuarit e rimartuar, Françesku përsëriti se Kisha nuk mund të ndahet në sektorë, por se të gjithë janë bijtë e saj dhe të gjithë duhet të shoqërohen në udhëtimin e tyre. Kur u pyet për çelibatin, përsëriti se nuk është dogmë, por disiplinë që mund të ndryshohet ose jo, dhe kujtoi se tashmë në Kishën Lindore nuk mungojnë as priftërinjtë e "martuar".
"Të gjithë brenda... Kisha është shtëpia e të gjithëve"
Më pas Papa u ndal në luftën kundër abuzimeve që po çon përpara Kisha, duke kujtuar në këtë drejtim angazhimin e Benediktit XVI, të cilin ai po e vazhdon. Kujtoi gjithashtu se është e nevojshme të luftojmë për paqen sepse lufta është dramë, që rrënon! Vuri në dukje edhe se kur një perandori ndjehet e ligshtë, ka nevojë të bëjë luftë dhe të tregtojë armë. E përfundoi duke rikujtuar se po ta ndalonim prodhimin e armëve qoftë edhe për vetëm një vit, do t'i jepnim fund urisë në botë.