Kërko

Delegacioni i Bashkësisë së Lumturive Delegacioni i Bashkësisë së Lumturive  

Françesku: lutja, vëllazëria e afërsia janë forca e njeriut të kushtuar

Papa takoi sot një delegacion të Bashkësisë së Lumturive, familje kishtare e lindur në Francë pesëdhjetë vjet më parë. E përhapur tani në të gjitha kontinentet, e jeton apostullimin me aktivitete për të rinjtë, të braktisurit, dialogun ndërfetar: e rëndësishme që të vuajturit ose të vetmuarit të gjejnë vende, ku mund të mirëpriten dhe të dëgjohen.

R. SH. - Vatikan

Dhuratë për Kishën dhe për botën: kështu e quajti Papa Bashkësinë e    Lumturive:  familje kishtare e jetës së përkushtuar e së drejtës dioqezane në të cilën murgeshat, fretërit, priftërinjtë dhe laikët - beqarë a të martuar - jetojnë jetë vëllazërore, me lutje dhe mision. Françesku u takua sot me një delegacion përfaqësues të tyre, në Sallën e Papëve të Pallatit Apostolik, ku u dorëzoi fjalimin e përgatitur për ta. Bashkësisë së Lumturive - realitet kishtar i lindur në Francë 50 vjet më parë, në vazhdën e Koncilit II të Vatikanit, në gjirin e Lëvizjes Katolike të Ripërtëritjes Karizmatike, dhe sot i pranishëm në pesë kontinente, Papa i kërkoi bashkimin e vazhdueshëm me Zotin dhe ndjekjen e përshpirtërisë  së Karmelit dhe të kishave lindore, që nënvizon se jeta e lutjes është burim i bashkimit vëllazëror, "frymëzuar nga gurra trinitare, që e lejon secilin të realizohet në thirrjen e tij të veçantë".

Apostullim i gjerë dhe  përkushtim për më të brishtët

Françesku u ndalua posaçërisht tek apostullimi i familjes kishtare, "shumë i gjerë dhe i larmishëm", “tek liturgjia, që ndiqet në shtëpitë e ndryshme e që tërheq shumë njerëz", tek prania në disa shenjtërore në Francë, Hungari, Itali, në Bregun e Fildishtë dhe në Bregdet si dhe në "projektet e ndryshme humanitare" të mbështetura "ndër vendet në zhvillim, si mirëpritja e të miturve në vështirësi, ndihma për fëmijët e kequshqyer ose me aftësi të kufizuara, kujdesi për familjet e pafavorizuara dhe nënat beqare, shpërndarja e ushqimeve dhe mbrojtja e shëndetit ". Në mënyrë të veçantë, pra, Papa nënvizoi "përkushtimin për t’u shërbyer njerëzve më të brishtë dhe më të mënjanuar, në një shoqëri të ndotur nga kultura e hedhurinave:

“Gjë e bukur të dëgjosh se në shumicën e shtëpive që ndodhen në Perëndim, keni organizuar qendra dëgjimi për kë ndodhet në vështirësi dhe se ky shërbim shtrihet edhe në burgje. Është e rëndësishme që ata, të cilët vuajnë dhe ndihen të vetmuar, të gjejnë vende ku mund të mirëpriten dhe të dëgjohen, dhe ju po ua jepni kontributin tuaj bujarisht”.

Kontributi në dialogun ndërfetar dhe promovimin e paqes

Ndërmjet veprimtarive të Bashkësisë së Lumturive, Papa kujtoi edhe misionet e rastit, veçanërisht ato që kryhen në verë, në vendet ku njerëzit shkojnë me pushime, ku ofrohen "çaste lutjeje, meshë, adhurim, mbledhje formuese ungjillizuese, shfaqje në rrugë, vigjilje dhe ungjillëzim nate”. Angazhim ky, nënvizoi Françesku, i cili lidhet "me përpjekjet për t’iu përgjigjur nevojave të të rinjve dhe gatishmërinë për ta çuar Fjalën e Zotit  në çdo vend e në çdo rrethanë". Nuk duhen harruar as tubimet ndërkombëtare, "raste të rëndësishme për përtëritjen shpirtërore të të gjithë pjesëmarrësve", të cilat "ofrojnë mundësinë e shkëmbimit të përvojave me të krishterët nga e gjithë bota", e edhe shtegtimet në Tokën Shenjte e në vendet e tjera të fesë, çaste “intensiteti të madh shpirtëror, që çojnë në thellimin, ose ndonjëherë, edhe në zbulimin e rrënjëve të fesë si dhe në forcimin e marrëdhënies me Zotin”:

“Ju shpreh mirënjohjen për angazhimin tuaj në jetën e kushtuar dhe për shërbimin që i ofroni Kishës dhe botës. Bashkësia juaj, e themeluar mbi një përshpirtëri kundrimi, lutjeje dhe misioni, jep kontribut të çmuar në dialogun ndërfetar, në promovimin e paqes dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e dëshmia juaj është burim frymëzimi për shumë njerëz”.

Ndihmoni njëri-tjetrin në fe e kujdesuni për të rinjtë

 Më pas Papa përsëriti se dhurata e dashurisë vëllazërore “është bazë e jetës sonë të krishterë”, duke shpjeguar edhe cili është kuptimi i jetës së besimtarit:

“Nuk thirremi për të qenë vetëm, por për të ecur së bashku, duke ndihmuar njëri-tjetrin në fe dhe në dashurinë e Zotit. Kjo është forca e jetës së kushtuar: jeta vëllazërore, lutja dhe shërbimi ndaj të afërmit”.

Ftesa e Françeskut drejtuar anëtarëve të Bashkësisë së Lumturive është "të ecin përpara dhe të ngulmojnë në misionin e tyre me zell dhe pa frikë, të dëshmojnë besimin me gëzim e shpresë dhe të jenë gjithnjë të bindur ndaj thirrjes së Shpirtit Shenjt, i cili është Protagonist në jetën e Kishës dhe në ungjillëzim".

Në përfundim, Papa i kërkoi familjes kishtare “ta ruajë angazhimin e saj për formimin e brezave të rinj dhe për dialogun ndërfetar, veçanërisht me vëllezërit dhe motrat tona myslimane”.

17 prill 2023, 14:10