Kërko

Izyum (Ukrainë), pasojat e luftës Izyum (Ukrainë), pasojat e luftës 

Françesku kujton viktimat e luftës dhe lutet për nënat e ushtarëve ukrainas e rusë

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi njerëzit që humbën jetën gjatë konflikteve të ndryshme në Planet si dhe Ditën e OKB kushtuar “Sportit për Paqe dhe Zhvillim”, që do të kremtohet nesër.

R. SH. - Vatikan

Para se ta përfundonte audiencën e përgjithshme, Papa Françesku u ndalua tek kuptimi i Javës së Madhe. Nënvizoi se në këto ditë rikujtohen Mundimet e Krishtit dhe vdekja e tij e padrejtë. Për t’u ndalur, më pas, tek e sotmja e, sidomos, tek njerëzit që humbën jetën për shkak të luftës:

“I kujtoj veçanërisht të gjitha viktimat e krimeve të luftës e, ndërsa ju ftoj të lutemi për ta, le të lartojmë një uratë drejt Zotit, që zemrat e të gjithëve të kthehen në gjirin e fesë”.

Maria, si nënat e ushtarëve ukrainas dhe rusë të rënë në luftë

Ndërsa kujtonte vdekjen e Jezusit në Kryq, Françesku e ngadalësoi ritmin, duke i bërë besimtarët të rrënqethen e ta ndjejnë veten në Golgotë, në ndjekje të ngjarjes më tragjike të historisë njerëzore, e duke i ftuar t'i drejtohen Marisë, e cila na kujton nënat e shumta, që humbën bijtë, e në këto çaste, veçanërisht nënat e ushtarëve të pajetë të Rusisë dhe të Ukrainës. Nëna, të cilat Papa i përmendi disa herë me dhimbje dhe solidaritet:

“Duke parë Marinë, Zojen, përballë Kryqit, mendimet e mia shkojnë te nënat: te nënat e ushtarëve ukrainas dhe rusë, që vdiqën në luftë. Janë nëna  bijsh të vdekur. Të lutemi për këto nëna”.

Mendimi për të vuajturit dhe të fundmit

“Ndërsa afrohet Dita e Pashkëve”, Papa kërkoi të kujdesemi për më të vegjlit, më të vuajturit, më të harruarit! E bëri këtë ftesë në përshëndetjen  drejtuar besimtarëve arabishtfolës, duke u kërkuar t’i kujtojnë në lutje “vuajtjet e të sëmurëve, të varfërve, të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë,  të viktimave të pafajshme të luftës, në mënyrë që Krishti, me Ngjalljen e tij , t’u japë të gjithëve paqe, ngushëllim e bekime".

Dita ndërkombëtare e sportit për paqe e zhvillim

Papa Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme, kujtoi edhe Ditën botërore të sportit për paqe e zhvillim, shpallur nga Kombet e Bashkuara, që festohet nesër. Papa shpreson që ky përvjetor "të ndihmojë për  intensifikimin e synimeve të solidaritetit, qëndrimeve të miqësisë dhe ndarjes vëllazërore".

E themeluar 10 vjet më parë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në kujtim të ditës kur në vitin 1896 u përuruan në Athinë Lojërat e para Olimpike moderne, Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe, sivjet me temë "Gëzim për Njerëzit dhe Planetin” vë në dukje rolin pozitiv të sportit dhe të veprimtarisë  fizike në bashkësi dhe në jetën e njerëzve të mbarë botës. Sporti ofron një ndihmë të madhe për  realizimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe promovimin e paqes e të drejtave të njeriut - lexohet në faqen e OKB-së kushtuar ngjarjes – e edhe për emancipimin e grave, të vajzave, të të rinjve, të njerëzve me aftësi të kufizuara dhe grupeve të lëna në harresë Prej këndej, nesër, në Nju Jork, në Pallatin e Qelqtë, do të mbahen një sërë bisedash për të nxjerrë në pah rolin e futbollit dhe të sporteve të tjera në jetën e njerëzimit. Diskutimet do të përqendrohen veçanërisht tek kujdesi për klimën, barazinë gjinore, luftën kundër racizmit e urrejtjes.

05 prill 2023, 12:23