Kërko

Papa Françesku me klerin hungarez Papa Françesku me klerin hungarez

Françesku, klerit hungarez: “shikoni Zotin e jo botën, tabernakullin e jo kompiuterin”

“Në këtë botë, që ndryshon, duam të dëshmojmë se Krishti është e ardhmja jonë”: kështu Papa, klerit hungarez, të cilin e takoi sot pasdite, në konkatedralen e Shën Shtjefnit, në Budapest. “Të jeni mikpritës – kjo porosia e Françeskut – të jeni dëshmitarë të profecisë së Ungjillit, por sidomos, të jeni burra e gra të lutjes, sepse historia dhe e ardhmja varen prej kësaj”.

R.SH. – Vatikan

Pasdite, Papa Françesku u takua me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e me gjithë klerin hungarez në konkatedralen e Shën Shtjefnit, në Budapest. Kujtojmë se Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Hungarisë ka ipeshkvij nga katër kryedioqeza metropolite e 8 dioqeza sufragane të ritit latin dhe nga një kryeeparki e dy eparki sufragane të ritit bizantin, së bashku me Ordinariatin ushtarak. Këtyre u duhet shtuar edhe abacia territoriale e Panonhalmës.

Papa Françesku në konkatedralen e Shën Shtjefnit
Papa Françesku në konkatedralen e Shën Shtjefnit

Të dëshmojmë se Krishti është e ardhmja jonë

Ati i Shenjtë dëgjoi disa dëshmi dhe u nis nga shprehja e kreut të ipeshkvijve, imzot András Veres, i cili nënvizoi se “në këtë botë, që ndryshon, duam të dëshmojmë se Krishti është e ardhmja jonë”.

“Nëse e harrojmë këtë – theksoi Papa – edhe ne, barinj e laikë, do të kërkojmë mjete njerëzore për t’u mbrojtur nga bota, duke u mbyllur në oazat tona fetare, të rehatshme e të qeta; ose, përkundrazi, do t’u përshtatemi erërave lëbyrëse të mondanitetit e, atëherë, krishtërimi ynë do ta humbë forcën e nuk do të jemi më kripa e tokës”.

Nga takimi i Papës me klerin hungarez
Nga takimi i Papës me klerin hungarez

Disfatizmi katastrofik dhe konformizmi sipas botës

Në qendër të fjalës, që u drejtoi Papa anëtarëve të klerit hungarez, dy interpretime, që Françesku i quajti “dy tundime” – disfatizmi katastrofik dhe konformizmi sipas botës – të cilët e bëjnë Kishën të mendojë se bota aktuale është e humbur, pasi nuk ka më vlerat e dikurshme, ose e bëjnë atë t’i përshtatet shoqërisë pa e parë me syrin kritik.

I nxiti meshtarët e rregulltarët drejt “mikpritjes profetike”, që do të thotë, shpjegoi Ati i Shenjtë, të mësosh si t’i njohësh shenjat e pranisë së Zotit në realitetin aktual, edhe aty ku ai nuk karakterizohet qartas nga fryma e krishterë. Njëkohësisht, duhet interpretuar gjithçka në dritën e Ungjillit, pa iu përshtatur kësaj bote, duke kumtuar e duke dëshmuar profecinë e krishterë.

Murgesha hungareze
Murgesha hungareze

Problematikat e klerit

Papa vuri në dukje disa nga problematikat, që kanë të bëjnë me klerin, si: mbingarkesa e meshtarëve me punë, duke i këshilluar ata që, përmes lutjes, t’i gjejnë përgjigjet tek Zoti e jo tek bota, në tabernakull e jo në kompiuter. U kërkoi ipeshkvijve të punojnë në skuadër me klerin e dioqezës së tyre, pasi “puna e parë baritore është dëshmia e këtij bashkimi”. Dënoi edhe një herë tundimin e thashethemeve në Kishë. U kujtoi të gjithëve dëshmitarët e ndritur të fesë në Hungari, viktima të totalitarizmave të shekullit të kaluar, duke i dhënë si shembull për “mikpritjen profetike”. Ajo është edhe dëshmi e ngushëllimit të Zotit në dhimbje e varfëri, afërsi me të krishterët e persekutuar, me emigrantët, me njerëzit e etnive të ndryshme e me nevojtarët. “Kisha në Hungari – tha Françesku – mund të sjellë si profeci në zemër të Evropës mëshirën dhe afërsinë”.

Dëshmia e don Brenner
Dëshmia e don Brenner

Kardinali Mindszenty dhe forca e lutjes

Së fundi, ndërmjet shumë shenjtorëve, Papa i kujtoi klerit hungarez kardinalin Mindszenty, Shërbëtor i Zotit, që besonte në forcën e lutjes, aq sa – nënvizoi ai – edhe sot, gati si të ishte fjalë e urtë, në Hungari përsëritet thënia e tij: “Nëse mblidhen një milion hungarezë në lutje, nuk do të kem frikë nga e ardhmja”. “Të jeni mikpritës – kjo porosia e Françeskut për klerin hungarez – të jeni dëshmitarë të profecisë së Ungjillit, por sidomos, të jeni burra e gra të lutjes, sepse historia dhe e ardhmja varen prej kësaj”.

28 prill 2023, 18:32