Françesku doli nga spitali. Përqafimi i një çifti, që humbi vajzën
R. SH. - Vatikan
“Atë i Shenjtë, nuk mund të duroj më. Lutuni për ne…”. E qara e një gruaje që humbi mbrëmë vajzën e saj të vogël, Anxhelikën, e ndërpret atmosferën e përshëndetjeve, duartrokitjeve dhe thirrjeve "Papa Françesku, urimet më të mira!", nga turma e njerëzve mbledhur në hyrje të Poliklinikës Gemelli, prej nga Ati i Shenjtë u largua sot, 1 prill, rreth orës 10.35, pasi ishte i shtruar për tri ditë në spital me bronkit infektiv.
Doli sot nga spitali, pasi mori konfirmimin për përmirësimin e gjendjes shëndetësore, pasojë edhe e terapisë me antibiotikë, nga ekipi i mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë që e ndoqën ditët e fundit. Personelin mjekësor - me të cilin kaloi një darkë me pica dy net më parë - Papa e përshëndeti nxehtësisht para se të largohej nga institucioni. Të pranishëm, siç njofton Zyra e Shtypit e Vatikanit, rektori i Universitetit Katolik, Franco Anelli me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë: drejtori i përgjithshëm i Poliklinikës, Marco Elefanti dhe asistenti i përgjithshëm kishtar i Universitetit Katolik, Imzot Claudio Giuliodori.
Përqafim me prindërit e Angjelikës
Më pas Papa u largua nga spitali, ku u shtrua për herë të dytë, me një makinë të bardhë, rrethuar nga një grup njerëzish dhe gazetarësh, që e ndaluan për një përshëndetje dhe një bekim. Pranë makinës mbërritën edhe një grua e mbytur në lot, përkrah me të shoqin. Iu afruan Papës për t'i treguar tragjedinë që përjetuan disa orë më parë, kur humbën vajzën. Françesku dëgjoi fjalët e gruas së përlotur, që përsëriste vazhdimisht “Faleminderit, faleminderit...”. Më pas e përqafoi fort dhe i dha një puthje atërore. Bëri të njëjtën gjë edhe me bashkëshortin e saj i cili, me zërin që i dridhej nga mallëngjimi, i tha: “Ju e keni njohur, sepse në vitin 2019, kur erdhët në Casal Bertone e patët mbajtur në krahë”. “Të lutemi për Anxhelikën”, pëshpëriti Papa, duke mbajtur në duart e veta, duart e çiftit të përlotur, të cilit i dha bekimin!
Shaka me gazetarët
Para se të hipte në makinë, Papa përshëndeti dhe përkëdheli disa fëmijë. Njërit i vuri firmën me shkumës. Foli, më pas, për pak çaste me gazetarët e pranishëm, të cilët ishin mbledhur që në orët e para të mëngjesit në parkingun Gemelli: "Dua t’ju falenderoj ju dhe punën tuaj, e di se disa prej jush e kanë kaluar natën këtu. Bëtë shumë eh, por faleminderit që i informuat njerëzit” - tha Papa, duke u mbajtur për shkop. Korrespondentit të CNN, Delia Gallagher, e cila e pyeti "si ndjehet tani?" Françesku iu përgjigj me shaka: "Ende gjallë!". Dhe ndërsa vijonin të qeshurat e të pranishmëve, shpjegoi: "Pata një shqetësim të mërkurën e kaluar”. E kishte fjalën për problemet e frymëmarrjes, për të cilat edhe u dërgua në spital. "Por nuk u tremba" - u rrëfeu sërish gazetarëve - "Më erdhi në mendje diçka, që më kishte thënë një plak, më i madh se unë, në një situatë të tillë: 'Atë, vdekjen nuk e kam parë, por e di se vjen e edhe se është e shëmtuar sa më s’bëhet, eh!".
"I admiroj punonjësit e spitalit!"
Françesku konfirmoi se nesër në mëngjes, e diel 2 prill, do të jetë në Sheshin e Shën Pjetrit për Meshën e së Dielës së Larit dhe Engjëllin e Tënzot. Së fundi, duke iu përgjigjur një gazetari që e pyeti nëse ka pasur ndonjë çast të mirë gjatë këtyre ditëve të shtrimit, kujtoi se i bënë përshtypje njerëzit që punojnë në spital: “Të jesh mjek e personel shërbimi, të ndihmosh stafin e të punosh për pastrimin në spital, kërkon shumë heroizëm dhe shumë butësi me të sëmurët. E dini, të sëmurët janë kapriçiozë, të gjithë! Kapriçiot janë diçka që vjen nga sëmundja. Duhet durim... Ndaj i admiroj shumë njerëzit, që punojnë në spital. Dje shkova për të parë fëmijët dhe vërejta sa butësisht kujdeseshin për ta”.
Një lutje në Shën Mërinë e Madhe
Rruga e kthimit nuk ishte drejt e në Shtëpinë e Shën Martës, por në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, të cilën Papa e vizitoi mbi njëqind herë në këto vite të papnisë së tij para dhe pas çdo shtegtimi ndërkombëtar. Edhe sot deshi të ndalet përpara ikonës së Marisë “Salus Populi Romani”, që nderohet nga kryeqytetasit, për t'ia besuar Asaj, në lutje, fëmijët e takuar dje në Repartin e Onkologjisë Pediatrike dhe të Neurokirurgjisë. Nën mbrojtjen e Virgjërës Papa vuri edhe gjithë të sëmurët, të gjithë ata që vuajnë nga sëmundjet ose, si prindërit e Anxhelikës, nga humbja e të dashurve. Rreth orës 11.30, Papa u kthye nën strehën e tij, në Shtëpinë e Shën Martës. Duke kaluar nga porta e Perugino-s, u ndalua edhe aty, për të përshëndetur trupën e gazetarëve të pranishëm dhe për t'i falenderuar për punën informative të këtyre ditëve.
Në fund urimi: “Gëzuar Pashkët, të gjithëve!”.