Vajza të krishtera nigeriane tek Papa për 8 mars
R.SH. – Vatikan
Me rastin e Festës së Gruas, më 8 mars, Fondacioni Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” dërgon në Itali dy vajza nigeriane të krishtera, që në të kaluarën e afërt, kanë qenë viktima të mizorisë së terroristëve të organizatës fundamentaliste islamike Boko Haram, përgjegjëse për vdekjen e më se 75 mijë nigerianëve, në një hark kohor prej 13 vitesh.
Maria Joseph, 19 vjeç dhe Janada Markus, 22 vjeç, do të përshëndeten nga Papa Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, 8 mars. Do të takohen, po atë ditë, edhe me autoritete të tjera italiane, si me kryetarin e Dhomës së Deputetëve, kryeministren dhe ministrin e jashtëm italian. Ndërkaq, më 9 e 10 mars, të dyja vajzat do të priten nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dhe nga diplomatë të tjerë të akredituar në Selinë e Shenjtë.
Për të dyja viktimat e xhihadistëve u kujdesën meshtarët dhe specialistët e Qendrës së Traumave të Maidugurit, kryeqytetit të Shtetit të Brnos, në verilindje të Nigerisë. Qendra administrohet nga dioqeza vendase dhe është ndërtuar pikërisht me ndihmën e Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”. Në atë strukturë, viktimat e dhunës së ekstremistëve kurohen nga një skuadër profesionistësh. Qëllimi i nismës së Fondacionit, me titull “8 mars, dëgjoje edhe britmën e tyre”, është sensibilizimi i institucioneve dhe i opinionit publik italian për historinë e tyre dramatike, në mënyrë që ajo të mos harrohet e të mos i shtojë edhe indiferencën dhimbjes, që kanë pësuar vajzat.