Kërko

“Uji dhe shpresa” në një letër të Papës dërguar konferencës së OKB-së për ujin

Papa, në një letër, me rastin e Ditës Botërore të Ujit, dërguar Konferencës së OKB-së kushtuar Ujit, në Nju Jork, nga 22 deri më 24 mars, vëren: “Ky takim i veçantë, i cili u shtohet shumë të tjerëve, propozuar nga qindra organizata, së bashku me seancat plenare, me dialogun tematik dhe me të gjitha veprimtaritë e planifikuara, duhet të jetë shtrati i një lumi shprese, i cili duhet t’i bëjë konkrete marrëveshjet e arritura përballë sfidave urgjente të planetit”

R.SH. - Vatikan

Kremtohet sot në mbarë botën Dita e Ujit shpallur nga Kombet e Bashkuara. E Papa Françesku, në një letër dërguar organizatorëve të Konferencës së OKB-së kushtuar Ujit, që po mbahet në Nju Jork, nga 22 deri më 24 mars, mes tjerash shpreh “afërsinë, mbështetjen dhe shoqërimin e tij për ngjarjen me temë “Uji dhe shpresa: përvoja dhe sfida për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët”. Ati i Shenjtë Bergoglio thekson: “shpreh nderimin për organizatat, të cilat janë mbledhur për të kërkuar një zë të përbashkët”.

Kujtojmë se është fjala për Fondacionin e  Punonjësve Shëndetësorë për Formimin dhe Zhvillimin (FUTRASAFODE), Konferencën Kishtare të Amazonës (CEAMA), Shoqatën e Inxhinierisë Shëndetësore dhe Ambientale (AIDIS), Shoqatën e Universiteteve Jezuite të Amerikës Latine (AUSJAL), Programin Universitar Amazonik (PUAM), Entin Kombëtar të Veprave Hidrike të Rigjallërimit (ENOHSA) dhe Institutin për Dialogun Global e Kulturën e Takimit (IDGCE).

Fondacioni i Punonjësve Shëndetësorë për Formimin dhe Zhvillimin lindi nga siguria se për natyrën e vet, uji është e drejtë themelore dhe puna është motori i zhvillimit të kombeve në kuadrin e sovranitetit të tyre dhe të respektit për popujt e larminë. Ai frymëzoi krijimin e Institutit Universitar të Ujit dhe të Kanalizimeve, me qëllim thellimin e njohurive shkencore, të formimit profesional, të etikës dhe të administrimit të ujit, me synimin që të gjithë njerëzit të kenë ujë të pijshëm, sanksionuar si e drejtë themelore nga Kombet e Bashkuara, që në vitin 2010.

Në letrën e tij për ngjarjen, që u bë e njohur sot, Papa Françesku vëren se: “Ky takim i veçantë, i cili u shtohet shumë të tjerëve, propozuar nga qindra organizata, së bashku me seancat plenare, me dialogun tematik dhe me të gjitha veprimtaritë e planifikuara, duhet të jetë shtrati i një lumi shprese, i cili duhet t’i bëjë konkrete marrëveshjet e arritura përballë sfidave urgjente të planetit”.

Relatorët synojnë të krijojnë një hapësirë ​​dialogu ku përvojat sektoriale dhe territoriale të pasurohen me veprimtari akademike, politike, fetare dhe komunitare, në mënyrë që të sugjerohen zgjidhje dhe të krijohen elementet dhe kushtet themelore për hartimin e strategjive për skenarët e ardhshëm. Boshtet tematike janë: uji dhe zhvillimi; uji dhe ndryshimet klimatike; roli i shtetit në mbrojtjen e së drejtës së njeriut për ujë; popujt indigjenë dhe e drejta për ujë.

Papa Françesku e përfundon letrën e tij, që mban datën 14 mars 2023, duke theksuar se “duhen bashkuar përpjekjet, duke përfshirë gjithë bashkësinë ndërkombëtare në punën e përbashkët dhe në krijimin e konsensusit për zhvillimin e gjithanshëm të njerëzimit. Shpresoj – shkruan Ati i Shenjtë - që Konferenca e Ujit të jetë boshti, i cili i lidh zgjidhjet që i duhen botës, në mënyrë që, duke garantuar ujin të përmbushim të drejtën universale për ujë, që s’është tjetër veçse e drejta për jetën, për të ardhmen e shpresën. Faleminderit për këtë takim, për impenjimin, për betejat dhe marrëveshjet. Nuk mund t'i frikësohemi debatit, duhet të zhvillohemi me të, për ne dhe për brezat e ardhshëm. Zoti ju bekoftë. Unë lutem për ju, mos harroni të luteni për mua”.

 

22 mars 2023, 09:17