Tërmet në Ekuador, afërsia e Françeskut
R. SH. - Vatikan
Sapo përfundoi lutjen e Engjëllit, Papa Françesku kujtoi tërmetin që lëkundi dje Ekuadorin, ku "shkaktoi vdekje, lëndime dhe dëme të mëdha".
"Jam pranë popullit ekuadorian dhe ju siguroj se lutem për ata që humbën jetën dhe për të gjithë ata që po vuajnë"- theksoi.
Të dhënat e fundit flasin për 13 të vdekur dhe 126 të plagosur. Tërmeti, prej 6.5 ballësh të shkallës Rihter, goditi provincën bregdetare të Guayas. Sipas qeverisë, shumica e viktimave janë në provincën El Oro, në kufi me Perunë. Pesë shtëpi u goditën rëndë, shtatë u rrënuan.
Në një raport të përgjithshëm të Sekretarisë së Menaxhimit të Rreziqeve flitet për 17 qendra arsimore dhe 31 shëndetësore të prekura nga lëkundjet. Tërmeti u ndje në 13 nga 24 provincat e vendit dhe u pasua nga një sërë lëkundjesh të tjera me magnitudë 4.8, 3.7 dhe 3.6 ballë, me epiqendër në skajin veri-lindor të ishullit Punà, në jug të Gjirit të Guayaquil.