Rescript mbi përdorimin e pasurive të patundshme të Selisë së Shenjtë
R.SH. – Vatikan
Me një Rescript pas audiencës së 13 shkurtit me prefektin e Sekretarisë për Ekonominë, Maximino Caballero Ledo, Papa Françesku dha urdhër për shfuqizimin e të gjitha dispozitave, të cilat lejojnë përdorimin falas, ose me kushte të favorshme, të ndërtesave në pronësi të institucioneve dhe të organeve kuriale, që kanë të bëjnë me Selinë e Shenjtë, duke përfshirë të gjitha Domus-et, ku hyjnë shtëpitë për klerin.
Është vendim "për t’u bërë ballë impenjimeve në rritje, gjatë shërbimit për Kishën Universale dhe për nevojtarët në një kuadër ekonomik si ky aktual, i cili është veçanërisht serioz". Prandaj, duhet “që të gjithë të bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme për të destinuar më shumë fonde në favor të misionit të Selisë së Shenjtë, edhe duke rritur të ardhurat nga administrimi i pasurive të paluajtshme”.
Dispozita ka të bëjë me kardinajtë, krerët e dikastereve, presidentët, sekretarët, zv.sekretarët, drejtuesit dhe të ngjashmit me ta, si edhe ata, që bëjnë pjesë në rrethin e Gjykatës Rota Romake. Prandaj, institucionet, që janë pronare të ndërtesave, duhet të aplikojnë çmimet, që përdoren zakonisht për ata, që nuk kanë pozita në Selinë e Shenjtë dhe në Shtetin e Vatikanit. Edhe Domus-et, pra, shtëpitë për klerin, duhet të zbatojë tarifat e zakonshme.
Dispozita nuk vlen për koncesionet e dhëna deri në datën e hyrjes së saj në fuqi, prandaj, kontratat e mëparshme do të respektohen deri në fund të afatit, por mund të zgjaten, ose të rinovohen vetëm sipas vendimeve të reja, përveç rastit kur rinovimi parashikohet si i detyrueshëm nga ligji, ose nga kontrata. Çdo përjashtim nga legjislacioni i ri duhet të autorizohet drejtpërdrejt nga Papa.