Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Françesku: për dhjetëvjetorin e zgjedhjes si Papë, më dhuroni paqen

“Popecast”, Papa Bergoglio flet për veten në një podcast të realizuar nga mediat e Vatikanit në dhjetëvjetorin e papnisë së tij: “Nuk e mendoja se do të isha Papa në kohën e Luftës së Tretë Botërore”. “Momenti më i mirë? Takimi me të moshuarit në Shën Pjetër. Ajo që nuk do të kisha dashur të shihja janë fëmijët që vdiqën nga konfliktet”. Nëse bota sot, për këtë përvjetor do t'ju bënte një dhuratë? Paqen, ne kemi nevojë për paqe!

Papa Françesku flet për veten në një podcast, në dhjetëvjetorin e zgjedhjes së tij

Dëgjo podkastin e plotë...

Jemi në Shën Martë, pasdite vonë. Nuk është intervistë, tashmë ka shumë për këtë ngjarje. Janë mendime që ndjekin fillin e një periudhe intensive kishtare, asaj të papnisë së tij. Dhjetë vite: të jetuara në “tension” – kujton - në një kohë, që ka parë ngjarje, takime, fytyra, udhëtime... Më pret te dera, duke u mbështetur në shkopin e tij. Si gjithmonë... Buzëqesh para mikrofonit me logon e medias së Vatikanit dhe pyet: “Një podcast? E çfarë është?". “Mirë, le ta bëjmë”, është reagimi pas shpjegimit. Pasuar nga pyetja: çfarë mendoni të ndani me botën me rastin e këtij çasti historik për jetën dhe shërbimin tuaj:

Fjala që më vjen në gojë, është se më duket si dje. Koha ngutet, nuk e di nëse thuhet presion apo presing në italisht, po e di se ecën shpejt. E kur doni të kapni të sotmen, e sotmja tashmë është dje. E nëse doni të kapni të nesërmen, ajo nuk është më atje, ku ishte. E ti je në këtë tension të së sotmes që është dje dhe jo nesër. Të jetosh kështu është risi. Mendoj se kështu ishin këto dhjetë vjet… sot, kur mendoj për dhjetët vitet e mia: po, po, por kështu është çështja, duhet shkuar përpara! Duke jetuar në tension

Mijëra audienca, qindra vizita në dioqeza dhe famulli, dyzet udhëtime apostolike ndërkombëtare. Tre vjet më parë ajo në Irak, si Papa i parë që preku tokën e plagosur të asaj menteshe të Lindjes së Mesme. "Ishte e bukur kjo" - vijon - Por nga e gjithë kjo përvojë e jetuar në një dekadë, në çdo cep të globit, në zemër është një kujtim më prekës, se të tjerët:

Më i bukuri ishte takimi në shesh me të moshuarit. Të moshuarit janë të mençur dhe më ndihmojnë shumë. Edhe unë u plaka, apo jo? Por të moshuarit janë si vera e mirë, që ka histori staxhionimi. Takimet me të moshuarit më përtrijnë, më bëjnë më të ri, nuk e di pse… Janë çaste të bukura, të bukura, të bukura.

Megjithatë, ka pasur edhe çaste të këqija. E të gjitha, të lidhura me atë përbindësh, që lind vuajtje njerëzore, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen: me luftën…

Ka pasur disa çaste, por mbi të njëtën temë. Dua të përmbledh një zinxhir çastesh të këqija. Fillova në Redipuglia, me varrezat e luftës, pastaj në Anzio, në varrezat amerikane, kur shkova për të kremtuar Meshën më 2 nëntor; më pas jetova një çast të tillë në përkujtimin e gjashtëdhjetë vjetorit të zbarkimit të Normandisë. Të gjithë krerët e qeverive po festonin, po unë mendova se në plazh kishin mbetur 20-30 mijë të rinj. E mendoje edhe  për nënat që marrin një letër: “Zonjë, kam nderin t'ju them se jeni nëna e një heroi. Kjo është medalja”. Letra, medalja, por djali nuk është më.

Edhe lufta ka ndikuar mbi papninë: nga mbrëmësorja e shtatorit 2013 për të shmangur rrezikun e konfliktit në Siri, i cili më pas nuk shpërthei, deri te barbarizmi që vijojnë të jetohen që prej dy vjetësh në Ukrainë. Në mes të tmerreve të prekura me dorë anembanë planetit dhe të dëgjuara nga zëri i viktimave të dhunës, jo më pak të atyre në Republikën Demokratike të Kongos. Copa të vogla, që po rikompozohen në një konflikt të madh global. E, pyes nëse mendonit se do të ishit Ju, Jorge Mario Bergoglio, ipeshkvi i ardhur nga larg, Papa i Luftës së Tretë Botërore…

Nuk mendoja… Mendoja se Siria ishte një gjë e veçantë, e vetme, por më pas qe Jemeni, tragjedia e Rohingya-ve në Mianmar, kur shkova atje dhe pashë që ishte luftë botërore. Por pas luftërave botërore, pas luftërave, është industria e armëve, e kjo është djallëzore. Një teknik që e njeh mirë situatën, më tha: po të mos prodhoheshin armë për një vit, uria në botë do të merrte fund. E kjo është e tmerrshme!

Një Papë në kohë lufte…

Më bën të vuajë pamja e të vdekurve, e këtyre të rinjve, rusë qofshin a ukrainas, kjo nuk më intereson. Nuk kthehen kurrë më. Gjë e vështirë

Nëse bota sot, për këtë përvjetor të rëndësishëm do t'ju bënte një dhuratë, ç’dhuratë do të dëshironit?

Paqen, ne kemi nevojë për paqe!

Mendimi i fundit është nxitje për reflektim dhe ftesë për diçka personale, për ëndrrat, ato - siç ka thënë gjithmonë – nga të cilat nuk duhet të heqësh dorë kurrë sepse janë të lidhura ngushtë me kujtesën për të ardhmen. Tri ëndrrat e Papës: për Kishën, për botën dhe për ata që qeverisin botën, ëndrra për njerëzimin…

Tri fjalë: vëllazëri, lot, buzëqeshje... Vëllazëri njerëzore: të gjithë jemi vëllezër, ta rikrijojmë vëllazërinë. Të mësohemi të qeshim e të qajmë pa frikë! Kur njeriu ka frikë të qajë dhe të buzëqeshë, ai është njeri që i ka këmbët në tokë dhe shikimin në horizontin e së ardhmes. Nëse harroni të qani, diçka nuk shkon. E nëse harroni të buzëqeshni, edhe më keq..

“Faleminderit” - thotë në fund duke lëvizur dorën, i mësuar si gjithmonë me t’i shoqërojë fjalët e mirënjohjes me një bekim. E Ai ua dërgon këtë bekim të gjithë atyre që dëgjojnë zërin e tij përmes valëve të Radio Vatikanit, në çdo gjerësi gjeografike, e edhe të gjithë atyre, që i dërgojnë mesazhe urimesh në këto orë.

Faleminderit juve që jeni kaq dashamirës, ​​gjithmonë të mirë me mua. Vazhdoni të luteni për mua dhe faleminderit! Gjithë te mirat!

Papa shkon përpara! Dramat mbeten në horizont, ashtu edhe sfidat brenda dhe jashtë Kishës. “Por humori i mirë”, thotë ai, “është gjithmonë i nevojshëm”. Ai është i pari që të rrëmben një buzëqeshje. Duke përshëndetur, shtrin dorën, e palos në formë luge dhe thërret: "Njëqind lira!". Më shumë se një shaka, është citim i një lloj kinemaje që ai e ka dashur dhe kujtuar gjithmonë, neorealizmi. Në këtë rast filmi "Mrekullia në Milano".

"Njëqind lireta!". E kujtoni atë skenë? “Mrekullia në Milano”. Me Vittorio De Sica-n që luante fallxhiun dhe thoshte: ah, shiko, kjo, kjo, kjo, lexonte dorën tënde dhe thoshte: "Njëqind lira".

13 mars 2023, 08:52