Kërko

2018.02.14 Papa Francesco Chiesa di Sant'Anselmo all'Aventino:  Stazione quaresimale e processione 2018.02.14 Papa Francesco Chiesa di Sant'Anselmo all'Aventino: Stazione quaresimale e processione 

Papët dhe agjërimi kreshmor, flijim që të bën mirë

Pyetjet për kuptimin e praktikës pendestare të agjërimit gjejnë përgjigje të shumëfishta në fjalët e Papëve. Po kujtojmë disa reflektime të papnisë së e Françeskut, Benediktit XVI, Gjon Palit II, Palit VI dhe Gjonit XXIII

R. SH. - Vatikan

Janë tre, elementet tipike të shtegtimit kreshmor, që nisi me të Mërkurën e Përhime: lutja, agjërimi, lëmosha. Agjërimi a ngjinesa, në veçanti, nuk duhet kuptuar vetëm në përmasën e saj formale, domethënë, nuk duhet agjëruar vetëm për formë, a për dukje! Ka vlerë - siç na kujton disa herë Papa Françesku - vetëm nëse ndjekim shembullin e Samaritanit të Mirë. Nëse mënyra e jetesës sonë është e përkorë, nëse jetojmë "një jetë që nuk shpërdoron, që nuk flak në pleh, çka vlen për jetën e përditshme".

Çfarë lloj agjërimi dëshiron Zoti?

Kreshmët janë kohë agjërimi dhe pendese. Por çfarë lloj agjërimi dëshiron Zoti nga njeriu? Papa Françesku i përgjigjet shpesh kësaj pyetjeje! Po kujtojmë fjalët e shqiptuara më 16 shkurt 2018, gjatë predikimit të Meshës së mëngjesit në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës: “Nuk është vetëm çështje e ‘zgjedhjes së ushqimeve’, por e stileve të jetesës, për të cilat njeriu duhet të ketë ‘përvujtërinë’ dhe ‘koherencën’ t’i pranojë stilet dhe t’i qortojë mëkatet”. Përgjigjen - vëren Françesku - na e jep Shkrimi Shenjt, ku lexojmë: "Ta përkulësh kokën tënde si kallami", domethënë "të përulësh vetveten", të mendosh për mëkatet tua. Ky, nënvizon Papa Françesku - është "agjërimi që do Zoti: vërtetësi, qëndrueshmëri". Në predikimin gjatë Meshës të së Mërkurës së Përhime në Bazilikën e Shën Sabinës, më 22 shkurt 2023, kujton akoma se "agjërimi nuk është thjesht stoli, është gjest i fortë për t’i kujtuar zemrës tonë çka vlen e çka kalon".

Vlera e agjërimit

Në këtë kohë Kreshmësh shumëkush mund ta pyesë veten çfarë kuptimi ka për ne të krishterët "t’ia heqim vetes diçka, që në vetvete do të ishte e mirë dhe e dobishme për jetesën tonë". Në mesazhin e tij për Kreshmët e vitit 2009, Benedikti XVI pati kujtuar mësimet e Shkrimeve Shenjte dhe të traditës së krishterë: “Ata na mësojnë se agjërimi është ndihmë e madhe për të shmangur mëkatin dhe gjithçka të çon në të. Për këtë arsye, ftesa për agjërim përsëritet disa herë në historinë e shëlbimit. Që në faqet e para të Shkrimit Shenjt, Zoti e urdhëron njeriun të mos e prekë mollën e ndaluar”. “Meqenëse të gjithë jemi të rënduar nga mëkati dhe pasojat e tij - shkruan Benedikti XVI - agjërimi na këshillohet si mjet për të përtërirë miqësinë tonë me Zotin”. Duke kujtuar, më pas, porosinë e Besëlidhjes së Re, Benedikti XVI nënvizon se "agjërimi i vërtetë synon të hash 'shujtë të vërtetë', domethënë, të bësh vullnetin e Atit".

Çfarë përfaqëson agjërimi?

Pra, agjërimi, në shtegtimin kreshmor, nuk ka kuptimin e heqjes dorë nga ushqimet apo shujta materiale. Përfaqëson "një realitet shumë më të ndërlikuar e më të thellë". Gjon Pali II e pati nënvizuar këtë më 21 mars 1979 duke iu drejtuar të rinjve në Sheshin e Shën Pjetrit: “Agjërimi është simbol, është shenjë, është thirrje serioze dhe nxitëse për të hequr dorë, për pranuar apo për të flijuar. Nga çfarë duhet hequr dorë? Duhet të heq dorë nga 'vetvetja’, domethënë nga tekat e shumta a nga dëshirat e sëmura; të heq dorë nga të metat e mia, nga pasioni i pakontrolluar, nga dëshirat e paligjshme". E do të thotë edhe të respektosh të mirën e të tjerëve, t'i qëndrosh besnik Ligjit të Shenjtë të Perëndisë. “Agjërim do të thotë t’u vësh cak dëshirave të shumta, edhe të mira, për të pasur vetëkontroll të plotë! E do të thotë, akoma, të mësohesh t’i rregullosh instinktet, të stërvitësh vullnetin e mirë”. Agjërim, vijon më tej Gjon Pali II, do të thotë t’ia heqësh vetes diçka, "për të plotësuar nevojën e vëllait, duke bërë kështu një gjest mirësie, një dhuratë bamirësie”

Cili është agjërimi?

Kreshmët janë kohë e heqjes dorë dhe e pendimit. Por edhe “kohë bashkimi dhe solidariteti”. Pali VI e nënvizon këtë në Mesazhin e tij për Kreshmët e vitit 1973, duke na ftuar të dëgjojmë nxitjet e Izaisë Profet: “Vallë, a s’është ky agjërimi që më pëlqen:

t’i këputësh verigat e padrejtësisë,

t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës,

t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit,

të copëtosh çdo zinxhir?”.

Këto këshilla, vëren Papa Montini, pasqyrojnë shqetësimet e njerëzimit bashkëkohor" në mënyrë që secili "të marrë pjesë vërtet në vuajtjet dhe mjerimet e të gjithëve".

Reflektime këto, të cilave u shtohen ato të Gjonit XXIII. Kisha - pohon Papa në mesazhin radiofonik të vitit 1963 me rastin e fillimit të Kreshmëve - nuk i çon bijtë e saj në ushtrim të thjeshtë praktikash të jashtme, por në  angazhim serioz dashurie dhe bujarie për të mirën e vëllezërve, në dritën e mësimeve të lashta të profetëve":  

Të ndash bukën tënde me të uriturin,

t’i strehosh nën strehë tënde

skamnorët e të pastrehët?

Ta shikosh të zhveshurin, e ta veshësh,

e të mos e përbuzësh kë ka korpin tënd.

Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote,

shërimi yt do të vijë më shpejt;

para teje do të ecë drejtësia jote

e do të të përcjellë lavdia e Zotit.

Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë,

do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet:

“Këtu jam!” (Is. 58, 6-8)

04 mars 2023, 13:51