Papa: veprime konkrete për korrigjimin e tmerreve pësuar nga viktimat e abuzimit
R. SH. - Vatikan
“Të kërkosh falje është e nevojshme, por kjo nuk mjafton”. Videoja e Papës në spanjisht me ndjetin e lutjes për muajin mars, është thirrje për t’i dëgjuar, për t’i shoqëruar dhe për t’i mbrojtur njerëzit, që pësuan abuzime nga anëtarët e bashkësisë kishtare. Françesku bën thirrje për "veprime konkrete, për korrigjimin e tmerreve" dhe “për parandalimin e përsëritjes".
Kisha nuk mund të fshihet
Në videon e publikuar përmes Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, Ati i Shenjtë nënvizon: "Kisha nuk mund të përpiqet të fshehë tragjedinë e abuzimit, të çfarëdo lloji", ajo duhet të jetë shembull "për të ndihmuar në zgjidhjen e tyre dhe për t'i nxjerrë në dritë, në shoqëri dhe në familje”.
Viktimat në qendër
“Vetë Kisha”- sipas Ipeshkvit të Romës - “duhet të ofrojë hapësira të sigurta për t’i dëgjuar viktimat, për t'i shoqëruar psikologjikisht dhe për t'i mbrojtur”. “Përballë abuzimeve, veçanërisht atyre të kryera nga anëtarë të Kishës”, përsërit edhe një herë me forcë:
“Nuk mjafton të kërkosh falje. Të kërkosh falje është një gjë e mirë për viktimat, por kjo nuk mjafton: ata duhet të jenë ‘në qendër’ të gjithçkaje”. "Dhimbja dhe dëmtimi i tyre psikologjik - vazhdon Papa - mund të nisin të shërohen, vetëm nëse gjejnë përgjigje".
Përgjigje për dhimbjen
Françesku paralajmëron: “Nuk duhet të fshihen as abuzimet në familje, në klube, në institucione të tjera”. E lutet veçanërisht për "ata që vuajnë nga shkaku i së keqes së pësuar nga anëtarët e bashkësisë kishtare: në mënyrë që ata ta gjejnë në vetë gjirin e Kishës, përgjigjen konkrete për dhimbjen dhe vuajtjen e tyre".
Dritë-hije
Fjalët e Françeskut këtë muaj i shoqëron një video krijuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve, në bashkëpunim me artistin italian Hermes Mangialardo: histori me përmbajtje të fortë simbolike, realizuar me lojën e dritë-hijes, me synimin që të theksojë veçantinë e çdo jete dhe vuajtjet e thella shkaktuar nga dhuna e pësuar. Në një shtëpi, perde të errta bllokojnë dritën. E drita nuk mund të hyjë ndër dhoma! Vetëm kur grisen perdet, rrezet e diellit davarisin errësirën, ndërsa lulet e fishkura e të thara në pikturat e varura në mure, nisin ngadalë të ngrihen përsëri, ndonëse me shenjat e dukshme të venitjes. Këto piktura që shoqërojnë videon - sqarohet në njoftimin për shtyp - janë simbol i veprës së artit, që përfaqëson çdo jetë.
Kultura e mbrojtjes
“Është e vështirë të gjesh fjalë përballë këtij devijimi” - komenton At Frédéric Fornos S.J., Drejtor Ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve. “Papa” - vazhdon - “shprehu dëshirën që Kisha Katolike të lutet gjatë gjithë muajit mars për viktimat e shpërdorimit të pushtetit, të ndërgjegjes dhe të dhunës seksuale, për të rizgjuar ndërgjegjen, solidaritetin dhe angazhimin tonë në kulturën e mbrojtjes dhe në luftën e vendosur kundër të gjitha llojeve dhe formave të abuzimit”.
Lutuni, që të veproni!
“Kjo hapësirë për lutje mund të na shtyjë të reflektojmë mbi shkaqet strukturore dhe ideologjike, që çuan në këto abuzime e që i bënë të padukshme” - vijon At Fornos - sipas të cilit “lutja hap zemrën, na lejon të dëgjojmë dhe të shohim e na shtyn të veprojmë kundër këtyre krimeve që e shpërfytyrojnë Ungjillin e Jezusit dhe fytyrën e Kishës, në mënyrë që të gjejmë, siç shprehet synimi i lutjes së Papës, përgjigje konkrete për dhimbjen dhe vuajtjen e viktimave”.
Videoja e Papës, e përkthyer në 23 gjuhë dhe e shpërndarë në 114 vende, është ndjekur mbi 189 milionë herë që nga viti 2016 në të gjitha rrjetet sociale të Vatikanit. Rrjeti Mbarëbotëror i Lutjeve të Papës është Vepër Papnore, me mision mobilizimin e katolikëve përmes lutjes dhe veprimit përballë sfidave të njerëzimit dhe misionit të Kishës.