Kërko

NICARAGUA-WORLD WATER DAY NICARAGUA-WORLD WATER DAY

Papa: uji, pasuri kryesore, nuk duhet të jetë objekt shkapërderdhjeje, shpërdorimi, luftash

Në audiencën e përgjithshme, thirrja e Papës me rastin e Ditës Botërore të Ujit dhe të konferencës ndërkombëtare për këtë "të mirë parësore", që po mbahet në Nju Jork. Një vit pasi ia kushtoi botën Zemrës së Papërlyer të Marisë, ftesa e Papës drejtuar të gjithë besimtarëve për ta përsëritur gjestin në solemnitetin e Lajmërimit të Zojës

R.SH. / Vatikan

Uji nuk mund të shkapërderdhet, të shpërdorohet apo të bëhet shkak  luftash. Duhet të ruhet për të mirën tonë dhe për brezat e ardhshëm”. Kjo, thirrja  që bëri sot Papa Françesku, duke iu drejtuar besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, në përfundim të audiencës së përgjithshme të së mërkurës.

Duke kujtuar ditën e sotme Botërore të Ujit, shpallur nga OKB-ja, Papa Françesku citoi fjalët e Këngës së Krijesave, të Shën Françeskut: "Lëvduar qofsh, o Zoti im, për ujin vëlla, i cili është shumë i dobishëm, i përvuajtur, i çmuar dhe i dlirë". Duke kujtuar, më pas, Konferencën ndërkombëtare kushtuar ujit, që hapet sot në Nju Jork, kujtoi se lutet për suksesin e punës, duke shpresuar se kjo ngjarje “do të përshpejtojë nismat në favor të atyre, që vuajnë nga mungesa e ujit, kjo pasuri e dorës së parë, pa të cilën nuk ka jetë”.

Duke u ndaluar, më pas, tek solemniteti i Lajmërimit të Zojës, që kremtohet të shtunën, Papa Françesku kujtoi kushtimin e njerëzimit Zemrës së Papërlyer të Marisë, vitin e kaluar, kremtuar me sytë e ngulur mbi Ukrainën dhe Rusinë në luftë.

"Të mos lodhemi kurrë duke ia besuar kauzën e paqes Mbretëreshës së Paqes", shtoi Papa, duke ftuar "çdo besimtar dhe bashkësi, veçanërisht grupet e lutjes, ta përsërisin çdo 25 mars aktin e kushtimit Zojës. Ajo, që është nënë, na ruajtë në unitetin e paqes. Dhe të mos harrojmë këto ditë Ukrainën e martirizuar, që vijon të vuajë”, përfundoi Papa.

22 mars 2023, 12:27