Papa: rrëfimi nuk është gjykim njerëzor, por përqafim hyjnor, që ngushëllon
R.SH. – Vatikan
Dy protagonistët e Ungjillit të sotëm, marrë nga kreu 18 sipas Lukës (9-14), ku vihen në dukje dy mënyra për t’iu afruar Zotit, ishin në qendër të homelisë së Papës Françesku, në meshën e kremtuar me besimtarët e famullisë romake të Zojës së Hireve në Trionfale. Ati i Shenjtë Françesku përuroi kështu nismën “24 orë për Zotin”, në edicionin e saj të dhjetë, që kremtohet në gjithë botën e i kushtohet adhurimit, lutjes e rrëfimit, në prag të së Dielës IV të Krezhmëve e në përgatitje për Pashkët e Ringjalljes.
“Vetëm lutja e të varfrit i kalon retë”
“Vetëm lutja e të varfrit i kalon retë” e ngjitet deri në Qiell, kujtoi Papa frazën e marrë nga Libri i Siracidit (35,21), për të nënvizuar se kush është plot me vetveten dhe mendon se është më i mirë se të tjerët, ndihet në rregull me Zotin, por nuk është i aftë t’i bëjë vend atij në zemrën e vet. Thotë lutje e bën vepra kishtare, por nuk hyn vërtet në dialog me Zotin. E Françesku reflektoi mbi dallimin ndërmjet dy qëndrimeve të protagonistëve të Ungjillit të sotëm, fariseut e publikanit: i pari, lutej duke qëndruar në këmbë para Zotit, ndërsa i dyti ndalej në distacë e nuk guxonte as t’i lartonte sytë drejt qiellit.
Lutja e fariseut e lutja e publikanit
“Formalisht – vërejti Ati i Shenjtë – lutja e fariseut është pa të meta, nga jashtë shihet një njeri i devotshëm dhe i përkushtuar, por në vend që t’ia hapë vërtet zemrën Zotit, ai e maskon dobësinë e vet me hipokrizi”. Prandaj, gati e prentendon shëlbimin hyjnor si çmim për meritat personale, ecën me kokën lart e dëshiron të rrijë në rreshtin e parë. Ndërkaq, publikani mbetet në fund, por “pikërisht ajo distancë, që vë në dukje se e ndien veten mëkatar para shenjtërisë së Hyjit, i jep mundësinë ta provojë përqafimin e mëshirshëm e bekimin e Atit Qiellor”. Duke ndenjur larg, duke e ditur se nuk është i denjë të afrohet, publikani i bën vend Zotit në zemrën e vet dhe e lejon t’i afrohet.
“Zoti – theksoi më tej Françesku - vjen tek ne kur ne distancohemi nga mendjemadhësia jonë. Ai mund t’i shkurtojë distancat kur ne sinqerisht, pa pretendime, çojmë para Tij brishtësinë tonë. Na e zgjat dorën për të na ngritur sërish, kur e dimë se ‘kemi prekur fundin’ dhe kur lëshohemi në dorën e tij me zemër të sinqertë”. Ai na pret në Sakramentin e Rrëfimit.
Sakramenti i Pajtimit: “takim festiv, që shëron zemrën”
Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të mos fshihen pas hipokrizisë së dukjes, por, duke e shqyrtuar thellë ndërgjegjen e duke e ditur se në shpirtin njerëzor jetojnë si fariseu, ashtu edhe publikani, të kenë besim në mëshirën e Hyjit e ta kuptojnë distancën, që i ndan prej Tij, ndryshimin ndërmjet planit që Zoti ka ëndërruar për secilin dhe realitetit që jetojnë. Vetëm atëherë, Hyji afrohet, shkurton distancën e na ngre sërish në këmbë; kur pranojmë mëkatet, ai na vesh rroben e festës. Për Papën Françesku, ky është Sakramenti i Pajtimit: “një takim festiv, që shëron zemrën dhe lë brenda paqen; jo ndonjë gjykatë njerëzore nga e cila duhet të kemi frikë, por përqafim hyjnor nga i cili duhet të ngushëllohemi”.
Këshilla për rrëfyesit: falni gjithçka
Ati i Shenjtë kujtoi shëmbëlltyrën e djalit plangprishës. Kur kthehet në shtëpi, i ati nuk pret ta përfundojë fjalën, por e përqafon me gjithë shpirt, duke mos e lënë të flasë. Ky është përqafimi i mëshirshëm i Zotit, vërejti Papa, duke i këshilluar rrëfyesit: “vëllezër, falni gjithçka, falni gjithmonë, pa e vënë shumë gishtin në plagët e ndërgjegjes; lërini njerëzit të thonë fjalët e tyre dhe pritini si Jezusi, me përkëdheljen e shikimit, me heshtjen, që tregon se i kuptoni. Ju lutem, Sakramenti i Rrëfimit nuk është për të torturuar, por për të dhënë paqen. Falni gjithçka, ashtu si Zoti do t'ju falë gjithçka edhe juve. Gjithçka, gjithçka, gjithçka”.
“O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin”
E duke marrë një nga frazat e Ungjillit të sotëm, Papa Françesku i këshilloi të gjithë t’i luten Hyjit si publikani, me fjalët “O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin”. Në këtë kohë Krezhmësh, kjo lutje mund të përsëritet shpesh:
“Kur të harroj ose të lë pas dore, kur fjalët e mia dhe të botës i vë përpara Fjalës Tënde, kur mendoj se jam i drejtë dhe i përçmoj të tjerët, kur përgojoj të tjerët, o Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin. Kur nuk kujdesem për të afërmit, kur jam indiferent para të varfërve e të vuajturve, të ligshtëve e të braktisurve, o Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin. Për mëkatet kundër jetës, për dëshminë e shëmtuar, që ia ndot fytyrën e bukur Kishës Nënë, për mëkatet kundër Krijimit, o Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin. Për gënjeshtrat e pandershmërinë time, për mungesën e transparencës dhe të drejtësisë, o Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin. Për mëkatet e fshehura, për të keqen që u kam bërë të tjerëve, edhe pa e kuptuar, për të mirat që mund t’i kisha bërë e nuk i bëra, o Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin”.
Vetëm kështu, përfundoi Papa, duke u penduar, me besim në Zotin, do të marrim dhuratën më të madhe: mëshirën e tij hyjnore.