Kërko

Kremtim pendestar Kremtim pendestar 

Françesku: solidaritet me ata që vuajnë nga lufta, mos harroni Ukrainën

Në përfundim të lutjes së Engjëllit, Françesku kujtoi Aktin e kushtimit të Rusisë dhe të Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë, më 25 mars 2022: "Kushtimi nuk mund të harrohet, shpresa nuk mund të lëkundet, Zoti i dëgjon gjithmonë lutjet e popullit të tij”. Papa i fton të gjithë të mblidhen për të kremtuar "24 orë për Zotin", nismë e lutjes dhe e pajtimit, që riorganizohet në dioqezat e mbarë botës më 17 dhe 18 mars. Françesku do ta kremtojë në një famulli romake.

R. SH. - Vatikan

Një vit pas aktit universal të kushtimit të Rusisë dhe të Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë, që ta shuante urrejtjen dhe ta paqtonte çdo dhunë, Françesku u bën përsëri thirrje mbarë besimtarëve të botës të përdorin armën e lutjes, për t’ia kërkuar Zotit paqen:

“Të jemi të bashkuar në fe dhe solidaritet për vëllezërit dhe motrat tona që po vuajnë nga lufta e, mbi të gjitha, mos e harroni popullin martir ukrainas”.

"24 orë për Zotin"

Në përfundim të lutjes së Engjëllit, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa u drejtoi besimtarëve ftesën për të marrë pjesë në takimin "24 orë për Zotin", që do të kremtohet të premten, më 17 mars dhe të shtunën, më 18 mars. Është një çast kreshmor lutjeje dhe pajtimi, sivjet edicioni X, i dëshiruar që në vitin 2013 nga vetë Françesku, që rrëfehet e  rrëfen. Ngjarja festohet në dioqezat anembanë botës në prag të së Dielës IV të Kreshmëve: të gjitha kishat do të jenë të hapura gjithë ditën, për t'u krijuar besimtarëve dhe shtegtarëve mundësinë të ndalen në adhurim dhe të gjunjëzohen në rrëfyestore. “Kohë kushtuar lutjes së adhurimit dhe sakramentit të pajtimit”, - e quan Papa.

Lutja e Papës drejtuar Zojës: na çliro nga kjo luftë mizore dhe e pakuptimtë

Vitin e kaluar, pikërisht në fund të "24 orëve", u zhvillua akti marian i kushtimit të Rusisë dhe Ukrainës. Papa e kujtoi nga dritarja e Pallatit Apostolik:

“Një vit më parë, në këtë kontekst, ne kryem aktin solemn të kushtimit Zemrës së Papërlyer të Marisë, duke iu lutur për dhuratën e paqes. Besimi ynë nuk shkon kot, shpresa nuk na lëkundet, Zoti i dëgjon gjithnjë lutjet që populli i tij ia drejton me ndërmjetësimin e Nënës”.

Ftesa për t'u lutur

Këtë vit, për ta theksuar më mirë praninë e besimtarëve në bashkësitë famullitare, Françesku do të shkojë në një famulli të Romës, në Santa Maria delle Grazie al Trionfale, pak kilometra larg Shën Pjetrit. Kremtimi do të mbahet më 17 mars, në orën 16.30, duke u krijuar besimtarëve që dëshirojnë edhe mundësinë të marrin sakramentin e pajtimit. Ftesa për të marrë pjesë, pra, vjen nga vetë Papa, së bashku me kërkesën e zakonshme, të përsëritur gjithmonë gjatë këtyre dhjetë viteve të papnisë së tij, që do të kremtohet nesër, më 13 mars:

Ju lutem mos harroni ta thoni një uratë për mua!

12 mars 2023, 13:36