Papa: Shpirti Shenjt na ndjek lirisht, nuk duhet mbyllur në kafaz me teprim rregullash
R. SH. - Vatikan
“Ta lejojmë Zotin të na dojë, që të jemi dëshmitarë të besueshëm të dashurisë së tij; ta lejojmë dashurinë e tij t’i drejtojë gjithnjë dashuritë, mendimet dhe veprimet tona”.
Kjo ftesë për t’ia hapur zemrat dashurisë së Zotit, që Shën Leonardo Murialdo ua pati drejtuar vëllezërve të Kongregatës së themeluar prej tij - Shoqërisë së devotshme të Shën Jozefit - nuk e humbet kurrë vlerën - nënvizoi Françesku, duke pritur në audiencë familjet fetare, që ecin mbi gjurmët e shenjtit të Torinos. Në ditën kur Jozefinët e Murialdos festojnë 150 vjetorin e themelimit të tyre, Papa kujton se Shën Leonardi "nuk qëndroi indiferent" ndaj "varfërisë morale, kulturore dhe ekonomike" të kohës së tij dhe të Torinos, asokohe "qendra e masonerisë". Dëshira e tij ishte t'i kushtohej edukimit të të rinjve e, mbi të gjitha, punëtorëve, duke i dhënë jetë "një realiteti që gjatë një shekulli e gjysmë u pasurua me njerëz, vepra, përvoja të ndryshme kulturore e sidomos - vërejti Françesku - me shumë dashuri”.
Ecni pas Shpirtit Shenjt
Në fjalën e tij, Papa kujtoi edhe çka u pati shkruar Jozefinëve vitin e kaluar, me rastin e hapjes së festës së tyre jubilare: pati theksuar dëshirën "për të vazhduar thellimin në artin e të kuptuarit të nevojave të kohës dhe për t’u kujdesur për to me krijimtarinë e Shpirtit Shenjt'” përpara të cilit “duhen aftësi dalluese dhe besnikëri”. I pati nxitur edhe që të kujdesen "sidomos për më të rinjtë", duke i inkurajuar edhe "të mos pushojnë kurrë së ëndërruari", sipas shembullit të Shën Jozefit dhe Shën Leonardit. Pastaj Françesku shtoi edhe tre aspekte, për të reflektuar mbi "përparësinë e dashurisë së Zotit, vëmendjen ndaj botës në ndryshim dhe ëmbëlsinë atërore të bamirësisë". Vërejti, mbi të gjitha se të dashurohesh do të thotë “pasion për jetën e përkushtuar, që rritet në heshtje, në lutje, në bamirësi dhe në shërbim”, i udhëhequr nga dashuria, jo nga rregullat. Në vijim Françesku tregoi anekdotën e një gjenerali të Shoqërisë së Jezusit, At Ledóchowski-t, i cili deshi ta përmblidhte "gjithë përshpirtërinë e jezuitëve në një libër", për të "rregulluar njëherësh gjithçka", e edhe atë të një abati benediktin, i cili, duke lexuar kopjen e parë, pohoi se ky dokument e kishte mbytur Shoqërinë e Jezusit:
“Kur doni të rregulloni gjithçka, e mbyllni Shpirtin Shenjt në kafaz. Dhe ka shumë – rregulltarë, të kushtuar, priftërinj, ipeshkvij - të cilët e kanë mbyllur Shpirtin Shenjt. Të lutem lëreni lirinë, lëreni frymën krijuese. Ecni gjithnjë nën drejtimin e Shpirtit”.
Në gjurmët e Shën Leonardit Murialdo
Më pas Papa theksoi ndjeshmërinë e Shën Leonard Murialdos "për nevojat e burrave dhe grave të kohës së tij", aftësinë për të vërejtur vështirësitë rreth tij e për t’u bërë "zëdhënësi i fjalës profetike të Kishës, në një botë ku sundojnë ekonomia dhe pushteti, duke u dhënë zë atyre që kanë më pak zë!”. Diti edhe të “vlerësojë aftësitë e laikëve në jetë dhe në apostullim”. Me pak fjalë, qe burrë i guximshëm dhe i çiltër, të cilin Françesku kërkon ta imitojë. Më pas ftesa e Papës: "së bashku, laikë dhe gra fetare, në rrugë të përbashkëta lutjeje, gjykimi dhe pune, për të qenë artizanët e drejtësisë dhe të bashkimit". Aspekti i tretë për të cilin Papa na kërkon të meditojmë:
“Ëmbëlsia atërore e bamirësisë. Uroj ta kërkoni dhe ta jetoni ndërmjet jush, me frymë vëllazërimi dhe ta ushtroni për të gjithë. Të jeni si Maria, Nëna jonë: në të njëjtën kohë të fortë në dëshmi dhe të ëmbël në dashuri. Shën Leonardi thoshte: ‘Bamirësia do të thotë ta shikosh e t’i thuash një fjalë të mirë gjithkujt, të falësh me gjithë zemër, të kesh fytyrë të qetë, dashamirësi dhe butësi. Dhe për ta bërë këtë duhet kryqi, duhet të dish si ta mbartësh kryqin. Duhet lutje, duhet flijim”.
Së fundi, Françesku citoi përsëri një shprehje të Shën Leonardo Murialdos: “Si nuk kënaqet Zoti pa fe, ashtu nuk kënaqet as i afërmi pa ëmbëlsi” - thoshte Shenjti. E këto fjalë për Papën janë program i thjeshtë, por i fuqishëm jete dhe apostullimi.