Papa: sfida është ta hapësh Kishën për mision
R. SH. - Vatikan
Janë katër, fjalët që e përcaktojnë rrugën e "Misión América", organizatë joqeveritare e angazhuar për promovimin integral të njeriut në përmasën e tij sociale, kulturore dhe fetare, në vendet e Amerikës Latine dhe të Afrikës. Janë dukja, respekti, vullnetarizmi dhe bashkëpunimi. Papa Françesku i shpjegoi, duke u takuar me bordin ekzekutiv të OJQ-së, e cila feston tridhjetëvjetorin e themelimit, dhe me Komisionin e Konferencës së Ipeshkvijve Spanjollë për misionet e bashkëpunimin me Kishat. Sfida e sotme, tha Papa në fjalimin e tij në spanjisht, është hapja e Kishës për mision.
Ta bëjmë “të dukshëm” realitetin e dhimbjes
Papa nënvizoi se Jezusi u dërgua nga Ati, për të kujtuar se "Tani na dërgon ne, për ta bërë të dukshëm realitetin e dhimbjes, të mëkatit, të vdekjes, jo për të dënuar kënd, por për ta shëruar thellësisht njerëzimin. Në të njëtën mënyrë, në organizimin e fushatave ndërgjegjësuese për realitetin e Amerikës Latine, horizonti "nuk mund të jetë tjetër veçse ta bëjë të dukshme dorën e shtrirë mbi të nga Krishti, i cili na fton në strehimin më të mirë, në plagët e Tij".
Respekti
Fjala tjetër që shpjegoi Papa ishte respekti: "respekt për tjetrin, për kohën e tij, për hapësirat e tij". Jezusi i respekton njerëzit" dhe "barazia e vërtetë, drejtësia e vërtetë - thotë Françesku – nuk të imponon një rrugë të vetme dhe unike për të gjithë". Por të kujton se duhet jesh në gjendje "t’i shoqërosh të gjithë, në lirinë e tyre dhe në nevojën e tyre, që të gjithë të mund t'i përgjigjen thirrjes së Zotit”.
Vullnetariati
Vullnetariati është një tjetër tipar dallues i "Misión América": nuk është tjetër gjë, veçse "t’i mbështetësh ata, që ecin nëpër botë me lutje, punë, solidaritet - shpjegon Françesku – Vullnetariati - shtoi - është "një nga gjërat më të bukura që kanë shoqëritë”
Bashkëpunimi
Fjala e katërt, që kujtoi Françesku, ishte bashkëpunimi. “Paqja” që vendos Zoti me njeriun dhe ndërmjet njerëzve - pohoi Papa - “bëhet e përditshme në ecjen çdo dite, në kërkimin e së mirës, në përhapjen e dashurisë dhe të harmonisë; krijon realitete të reja, duke ndërtuar ura, duke shkatërruar frikën dhe mllefin”. Mes njerëzve, që dëgjuan fjalët e Papës ishte edhe një fëmijë. "Nuk ka qenë kurrë - nënvizoi Papa duke folur lirisht - në një vend të mbuluar me qilima si ky. Është i lumtur. Lereni të jetë".
Bëjini të dukshme plagët e Jezusit
Fjalëve dukshmëri, respekt, vullnetarizëm dhe bashkëpunim, Françesku, më në fund, u shton një figurë: atë të Jezusit, që dërgon Kishën e tij në mision. Qoftë nxitje - nënvizoi Papa - "për t'i bërë të dukshme plagët ende të prekshme në Trupin e tij Mistik"; “për t’i kërkuar e për t’i dhënë çdo njeriu të drejtën të ecë në rrugën që dëshiron Zoti për të”; "Të punojmë – vijoi - dhe ta mbështesim punën e të gjithë atyre, që janë dërguar për të bashkëpunuar me të gjithë njerëzit vullnetmirë, për lavdinë e Zotit".
Së fundi, duke kujtuar veprën "Misión América", Papa pohoi se "gjërat e vogla janë ato që zgjasin më shumë, ndërsa ndonjëherë ato të mëdhatë nuk zgjasin". E në përfundim, i ftoi të pranishmit “të mos e humbasin humorin e tyre të mirë”. “Si ai, që duket se nuk e ka humbur”, përfundoi duke e kthyer kokën nga fëmija, i cili nuk zuri vend deri në përfundim të takimit.