Kërko

Papa me seminaristët kalabrezë Papa me seminaristët kalabrezë

Papa, seminaristëve kalabrezë: formimi në seminare të jetë cilësor, jo sasior

Duhen bashkuar forcat për të përballuar sfidat e shumta baritore të krejt rajonit kalabrez, si ungjillëzimi i të rinjve, katekizmi e Sakramentet e para të jetës së krishterë, përshpirtëria popullore, bamirësia dhe promovimi i kulturës së ligjshmërisë. E këndvështrimi i përbashkët mbi territorin mund të ndihmohet edhe nga bashkimi i seminaristëve në një seminar të vetëm. Kështu Papa Françesku në audiencën priti një grup seminaristësh të Kalabrisë, shoqëruar nga meshtarë e ipeshkvij

R.SH. – Vatikan

         Në ditën kur krejt Kisha e Kalabrisë kremton lindjen e Pajtorit të saj, Shën Françeskut të Paolës, Papa Françesku priti një grup seminaristësh nga ai rajon italian, shoqëruar nga meshtarët e ipeshkvijtë, të cilët i falënderoi që në fillim për punën, që nganjëherë nuk duket e është tejet e vështirë. “Jeni bij të qytetërimit të lashtë grek e akoma sot, ruani thesare kulturore e shpirtërore, që bashkojnë Lindjen me Perëndimin”, u tha Papa, i cili kujtoi se Homeri, në Odisenë e tij, shkruan që Uliksi, nga fundi i udhëtimit, arriti pikërisht në një tokë, që lagej nga dy dete. Kjo të bën të mendosh pikërisht për Kalabrinë, e cila laget nga deti Tirren e nga deti Jon, njëkohësisht. Por kjo është edhe tokë shenjtësh e shenjtëroresh, nënvizoi Françesku, duke përmendur veçanërisht bashkësinë greko-bizantine, e cila përbëhet kryesisht prej arbëreshëve. Ati i Shenjtë u nis nga fraza e Ungjillit sipas Gjonit, në të cilën thuhet se dishepujt “Mbetën me Të” (Gjn 1,39), pra, me Krishtin.

         “Ne, nganjëherë, kërkojmë një ‘recetë’ të lehtë – vërejti Papa – ndërsa Jezusi niset nga një pyetje, e cila na fton të shikojmë brenda vetes, për të verifikuar arsyet e udhës sonë”.

Çfarë kërkoni?

         Ju, çfarë kërkoni, i pyeti Françesku seminaristët. Çfarë kërkoni nga meshtaria, e cila nuk duhet kuptuar as si lavdi për vetveten, as si strehë për t’u fshehur, as si rol për të pasur ndonjë farë prestigji e as si karrierë. Nuk duhet të shndërroheni në funksionarë shtetërorë, siç ndodhte dikur në oborrin mbretëror francez, theksoi Papa.

         “Doni të jeni meshtarë klerikalë, që nuk dinë të mbrujnë argjilën e njerëzimit të vuajtur apo të jeni si Jezusi, shenjë e dhembshurisë së Atit Qiellor? Ja pra, ta kujtojmë këtë: seminari është koha për të kuptuar të vërtetën tonë, për t’i hequr maskat, makijazhin dhe dukjet. E në këtë proces shqyrtimi, lejojeni Zotin të punojë me ju që t’ju bëjë barinj sipas zemrës së Tij”.

Një seminar i vetëm, jo vende formimi bosh

         Të njëjtën pyetje, Papa u bëri edhe ipeshkvijve: “çfarë kërkoni?” Meshtari dhe ipeshkvi nuk mund të mendohen më si barinj të vetmuar, të mbyllur në rrethin e tyre. Duhen bashkuar forcat për të përballuar sfidat e shumta baritore të krejt rajonit kalabrez, si ungjillëzimi i të rinjve, katekizmi e Sakramentet e para të jetës së krishterë, përshpirtëria popullore, bamirësia dhe promovimi i kulturës së ligjshmërisë, të cilën Ati i Shenjtë e theksoi veçanërisht për atë territor, ku është e pranishme Ndrangheta, organizatë mafioze me zanafillë në Kalabri. E këndvështrimi i përbashkët mbi territorin mund të ndihmohet edhe nga bashkimi i seminaristëve në një vend të vetëm.

         “Dua t’ju kërkoj të merrni një vendim të qartë për formimin meshtarak: t’i orientoni të gjitha energjitë njerëzore, shpirtërore dhe teologjike në një seminar të vetëm. Nuk është vendim logjistik apo thjesht numerik, por synon udhën e përbashkët drejt një vizioni kishtar dhe një horizonti për jetën meshtarake, në vend që të shpërndahen forcat, duke shumëfishuar vendet e formimit dhe duke mbajtur realitete të vogla në këmbë, vetëm me disa seminaristë”.

Duajeni njëri-tjetrin dhe bëjini të gjitha gjërat me dashuri

         Françesku nuk u bëri presion për këtë, duke u shpjeguar se natyrisht, numri i seminarëve varet nga dioqeza, por nuk ka kuptim të mbahet në këmbë një realitet me 4, 5 a 10 seminaristë. Kemi nevojë t’i mbajmë sytë e zemrën të hapur, për të kuptuar shenjat e kohërave e për të parë drejt horizonteve të reja, theksoi Papa. Sidomos ipeshkvijtë, Françesku i këshilloi të mos paralizohen nga nostalgjia për kohët e kaluara e të mos mbeten peng të provincializmave. Një fjalë edhe për ipeshkvijtë e nderit, të cilët duhet të dinë të mënjanohen në çastin e duhur e ta shoqërojnë Kishën me lutje e me heshtje, në mënyrën e përshtatshme për statusin e tyre. Së fundi, duke falënderuar për vizitën e për shtegtimin në Romë, Ati i Shenjtë i la klerit të Kalabrisë porosinë e pajtorit të tyre, shën Françeskut të Paolës, i cili u lind si sot, më 27 mars 1416:

         “Në shtratin e vdekjes, u tha sivëllezërve se nuk kishte asnjë thesar për t’u lënë dhe i nxiti: ‘Duajeni njëri-tjetrin dhe bëjini të gjitha gjërat me dashuri e bamirësi’. Këtë pret Kalabria nga ju: që gjithçka të bëhet me dashuri, bashkim e vëllazërim”.

         Duke folur edhe jashtë tekstit, Papa Françesku e nënvizoi fjalën “së bashku” si mënyrë për t’i realizuar të gjitha projektet. Janë të kota ato shtëpi formimi tejet të mëdha të viteve ‘60 e ’70, kur thirrjet ishin të shumta: sot, kanë mbetur bosh. Stili i formimit të rinisë, përfundoi Ati i Shenjtë, nuk duhet të ketë parasysh thjesht pamjen e jashtme, dukjen para botës, por duhet të varet nga forca që dikon Shpirti Shenjt, me të cilën – i tha Papa klerit kalabrez – duhet të merrni vendime me guxim. “Zoti do t'ju shoqërojë gjithmonë”.

27 mars 2023, 13:05