Papa priti kryeministrin e Libanit. Shqetësimi për vendin dhe bashkëjetesën e feve
R.SH. – Vatikan
Papa priti sot paradite në audiencë Kryeministrin e përkohshëm të Libanit, Najib Mikati. Kështu njofton Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, e cila bën të ditur gjithashtu se, më pas, kreu i qeverisë libaneze u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Imzot Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Shqetësim për situatën e libanezëve
Gjatë bisedimeve, vijon njoftimi për shtyp, Selia e Shenjtë shprehu shqetësimin e saj për “situatën e vështirë socio-ekonomike që po përjeton popullsia libaneze, e rënduar nga ngërçi institucional në të cilin ndodhet vendi, i cili pret me urgjencë zgjedhjen e një Presidentit të ri të Republikës”.
Rëndësia e bashkëjetesës paqësore midis feve të ndryshme
Më tej, saktësohet, u “theksua rëndësia e pamohueshme e pranisë së të krishterëve në Liban dhe në mbarë Lindjen e Mesme, e po kështu u riafirmua edhe nevoja që të përforcohet bashkëjetesa paqësore ndërmjet libanezëve të besimeve të ndryshme për të garantuar paqen e stabilitetin edhe për të gjithë rajonin”.
Dhuratat
Papa Françesku, informon gjithnjë Zyra e Shtypit e Vatikanit, i dhuroi kryeministrit Mikati një vepër bronzi me titullin "Dashuria sociale", ku paraqitet një fëmijë që ndihmon një tjetër të ngrihet në këmbë, me mbishkrimin "Të Duam Të Ndihmojmë"; vëllimet e dokumenteve papnore; Mesazhin për Paqe të këtij viti 2023; Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore dhe librin mbi Statio Orbis i 27 marsit 2020, redaktuar nga shtëpia botuese e Vatikanit LEV. Kryeministri i Libanit i dhuroi Papës një gur me imazhin e Zojës së Bekuar të Dhimbjeve.