Papa për të përmuajshmen “Gratë Kisha Bota”: zemër, mendje e duar, kjo, gjuha e grave
R.SH. – Vatikan
"Gruaja është e aftë të përdorë tri gjuhë së bashku: atë të mendjes, të zemrës dhe të duarve. Ajo e mendon atë që ndjen, e ndjen atë që mendon dhe e bën atë që ndjen dhe mendon. Nuk po them se kështu bëjnë të gjitha gratë, por e kanë atë aftësi, e kanë. Kjo është fantastike". Ky është thelbi i fjalëve, që Papa Françesku i drejtoi redaksisë së revistës së përmuajshme “Donne Chiesa Mondo” (Gratë Kisha Bota), gjatë audiencës në Sallën e Papëve të Pallatit Apostolik, të shtunën e kaluar.
Rasti ishte 10-vjetori i së përmuajshmes, që botohet së bashku me gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, si edhe përvjetori i katërt i komitetit drejtues aktual të koordinuar nga Rita Pinci. Ajo vetë, duke nënvizuar bukurinë e punës në grup, i tha Atit të Shenjtë: “Të gjithë punojmë së bashku, ne që jemi sot këtu dhe njerëzit që, për arsye të ndryshme, nuk arritën të vinin: komiteti drejtues, redaksia, dy punonjësit që merren me grafikën... jemi një grup i mirë dhe punojmë me interes, pasion e, edhe me gëzim. I yni është grup ndërkulturor dhe ndërfetar. Ndërmjet nesh ka besimtarë dhe jobesimtarë, jemi gra të feve e konfesioneve të ndryshme, nëna familjesh dhe gra pa fëmijë, pedagoge, funksionare, gazetare, shkrimtare... e kjo është forca e gazetës sonë”.
Papa e falënderoi koordinatoren dhe, duke iu drejtuar gjithë të pranishmëve, nënvizoi me sa kënaqësi e lexon revistën: “E lexoj ‘Donne Chiesa Mondo’, që nga koha e koordinimit të profesoreshës Scaraffia: e kam lexuar gjithmonë, sepse më pëlqen, më pëlqen kjo sfidë, e cila kuptohet që nga titulli”. E, pastaj, shtoi: "Gratë kanë aftësi administrimi dhe reflektimi krejtësisht ndryshe nga ne e, edhe, do të thosha, më të mira se tonat, tjetër mënyrë e tyrja. E shohim edhe në Vatikan: ku kemi vendosur gratë, gjërat ndryshojnë menjëherë, shkojnë përpara.
E shohim në jetën e përditshme, shumë herë e kam parë kur kaloja me autobus, në radhë për të vizituar burgun e fëmijët dhe gratë atje: gruaja që nuk e lë kurrë fëmijën e saj, kurrë! E më kujtohet edhe një sindikalist i mirë, i cili ka vdekur tani, që më thoshte se në moshën 20-21 vjeçare jetonte ‘ku rafsha mos u vrafsha’ me nënën, të dy të varfër. Ai flinte në korridorin e shtëpisë së vogël. Në mëngjes, ende i dehur nga një natë më parë, e shihte të ëmën kur dilte nga dhoma e ndalej para tij, e shikonte me butësi dhe shkonte në punë, si shërbëtore, kundrejt një pagese minimale. Ishte ai shikim, 'i fortë dhe i butë njëkohësisht’ - kështu më thoshte - që një ditë ia preku zemrën dhe e bëri të ndryshojë. E ky njeri u bë sindikalist i madh".
Nga tregimet personale tek reflektimet më të përgjithshme, hapi është i shkurtër: "Gratë, gratë: e përdorim gjininë femërore si diçka dytësore, si lojë, si shaka" e pastaj, sërish një kujtim, i saktë, konkret: "Një herë e pyeta Von der Leyen: 'Më thoni, zonjë: ju jeni mjeke dhe keni shtatë fëmijë, të cilëve u telefononi çdo pasdite; më tregoni: si arritët ta zhbllokoni qëndrimin kundër Raportit të Bashkimit Evropian për Evropën gjatë Covid-it, çështjen e Beneluksit dhe të ndonjë vendi tjetër që kundërshtonte, si ia bëtë?’ Ajo më shikoi në heshtje dhe filloi të lëvizte qëllimisht duart, që vazhdoja t’i shihja, ndërsa më thoshte ‘Siç bëjmë ne nënat”. Është kështu, është rrugë tjetër, është kategori tjetër mendimi, por jo vetëm mendimi: mendime, ndjenja dhe vepra". Këtej rrjedhin fjalët e Papës për "tri gjuhët e grave: mendja, zemra dhe duart”. Së fundi, Ati i Shenjtë pohoi: “Për këtë, më pëlqen të lexoj dhe të inkurajoj këtë të përmuajshme e, ky s’është ndonjë lloj feminizmi klerikal i Papës, jo! Është t’i hapësh dyert një realiteti, një reflektimi, që shkon përtej. Për këtë ju falënderoj shumë dhe tani ju përshëndes një nga një”.