Kërko

Bashkësia e  "St. Mary Seminary" e Dioqezit të Cleveland Bashkësia e "St. Mary Seminary" e Dioqezit të Cleveland 

Papa meshtarëve të ardhshëm: jini gjithnjë shenjë e Kishës së mëshirshme, në dalje!

Duke folur me bashkësinë e Seminarit dioqezan "Saint Mary" të Cleveland, Françesku u shpjegon seminaristëve si duhet të përgatiten për shërbimin meshtarak në procesin aktual sinodal dhe i fton të thellojnë frymën e bashkimit vëllazëror. Lutja e Papës: qofshin meshtarët gjithmonë shenjë e kishës në dalje!

R. SH. - Vatikan 

“Dëgjimi, ecja së bashku dhe dëshmimi, karakteristikat e udhës sinodale që po ndërmerr Kisha, janë themelore për formimin e gjithë atyre, që përgatiten për meshtarë”: këtë e theksoi Papa në fjalën drejtuar bashkësisë  dioqezane të "Shën Mërisë" të Cleveland-it, pritur në audiencë në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Priftërinjve, diakonëve, seminaristëve, mësuesve dhe stafit të institutit kishtar nga Ohio, të pranishëm në Romë për të festuar 175-vjetorin e themelimit, Françesku u kujtoi kryesisht rëndësinë e ndihmës që u ofrojnë priftërinjtë anëtarëve të popullit të Zotit, duke e jetuar thirrjen e tyre, për t’u bërë dishepuj misionarë”, veçanërisht në kuadrin e shtegtimit sinodal nisur nga e gjithë Kisha. Prandaj u foli më drejtpërdrejt atyre, që përgatiten për shugurimin dhe shërbimin baritor, duke u dhënë disa këshilla me vlerë.

Dëgjimi i Fjalës së Zotit

Lidhur me dëgjimin, që Papa e quan "apostullimi i veshit", i ftoi “t’i bëjnë vend çdo ditë “veçanërisht  Zotit”, "ta meditojnë mbi Fjalën e tij", “të gjejnë dritë për shtegtimin e tyre, me ndihmën e shoqërimit shpirtëror” e, sidomos, ta kalojnë kohën me Zotin “në lutje, duke e dëgjuar në heshtje përpara tabernakullit”, ose thjesht duke qëndruar aty, duke pritur që Ai të flasë:

“Mos e harroni kurrë rëndësinë e gjunjëzimit para Zotit për të dëgjuar çka dëshiron t'ju thotë. Ta dëgjojmë zërin e Zotit në thellësi të zemrave tona dhe të dallojmë vullnetin e tij është e domosdoshme për rritjen tonë shpirtërore, posaçërisht kur ndodhemi përballë detyrave urgjente e të vështira”.

Françesku thekson se jeta në seminar "tashmë ofron mundësinë e kultivimit të zakonit të lutjes" që do të shërbejë në ushtrimin e shërbesës meshtarake dhe shton se "dëgjimi i Zotit përfshin gjithashtu edhe përgjigjen e fesë ndaj gjithçkaje që Ai e zbuloi dhe që Kisha e transmeton", në mënyrë që priftërinjtë më pas ta "mësojnë dhe t’ua shpallin të tjerëve të vërtetën dhe bukurinë e Ungjillit".

Thelloni frymën e bashkimit

Përsa i përket ecjes së bashku, një karakteristikë tjetër e shtegtimit sinodal, Papa u shpjegon seminaristëve se si ta përjetojnë bashkimin kishtar gjatë përgatitjes për meshtarinë:

“Koha juaj e formimit në seminar është mundësi për të thelluar frymën e bashkimit vëllazëror, jo vetëm mes jush, por edhe me ipeshkvin tuaj, me presbiteratin e kishës vendase, me të shuguruarit e besimtarët laikë, si dhe me Kishën universale. Duhet ta ndjejmë veten si pjesë e një Populli të vetëm të madh, që i mori premtimet e Zotit si dhuratë, jo si privilegj”.

Edhe thirrja e atyre që zgjedhin jetën meshtarake "është dhuratë – kujton Françesku - për t'u vënë në shërbim të ndërtimit të Korpit të Krishtit", duke ecur "bashkë me grigjën herë përpara, për të treguar rrugën; herë në mes, për të inkurajuar - dhe për të nuhatur delet - e herë pas, për t’i shoqëruar ata që e kanë më të vështirë”, pa u ndarë kurrë prej tyre:

“Por të ecësh me grigjën do të thotë të ecësh me të gjithë, jo vetëm me një grup njerëzish ‘të zgjedhur’ që mendojnë si unë. Jo, jo! Me të gjithë, me të gjithë! Mos harroni fjalën: të gjithë, të gjithë, të gjithë! Me të mirin e me  të keqin, me të sëmurin e të shëndoshin! Me të gjithë, të gjithë! Pa përjashuar askënd! Të ecim me të gjithë, edhe kur armiqtë na sulmojnë”.

Meshtarët, shenjë e Kishës në dalje

Së fundi, dëshmi do të thotë të jeni "shenja të gjalla të Jezusit të pranishëm në botë"! Nuk është gjë tjetër, veçse fryt i dëgjimit të Zotit dhe ecjes së bashku - sqaroi Papa – duke u uruar meshtarëve të ardhshëm që vitet e kaluara në seminar të jenë përgatitje për t’ia dhuruar plotësisht vetveten Zotit dhe popullit të tij, "me dashurinë çelibatare dhe me zemër të pandarë".

Në përfundim Françesku i siguroi seminaristët se do të lutet që në apostullimin e tyre "të jenë gjithmonë shenjë e Kishës në dalje, duke e dëshmuar dhe duke e ndarë dashurinë e mëshirshme të Jezusit me të gjithë anëtarët e familjes njerëzore, veçanërisht me të varfërit e me nevojtarët". Prej këndej, urimi që studimet dhe formimi në seminar "t’i ndihmojë të rritën në dashurinë besnike për Zotin dhe në shërbimin e përvuajtur për të afërmin.

06 mars 2023, 14:52