Kërko

Besimtarët ukrainas ndjekin lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit Besimtarët ukrainas ndjekin lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit 

Papa: paqe për popullin martir ukrainas!

Pas lutjes së Engjëllit, Françesku kujtoi njëqindvjetorin e martirizimit të Shën Jozafatit dhe vlerësoi angazhimin e ukrainasve për të "mirëpritur bashkatdhetarët e tyre të ikur nga lufta".

R. SH. - Vatikan 

Shën Jozafati, ipeshkvi ukrainas, dha jetën për bashkimin e të krishterëve. Ishte viti 1623! Katërqind vjet pas vdekjes, Françesku kujton martirizimin e tij duke përshëndetur bashkësinë ukrainase të Milanos, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për të dëgjuar Lutjen e Engjëllit. E Papa kujton sakaq konfliktin e tmerrshëm, që vijon:

“Të shumëdashur miq, e lavdëroj angazhimin për mirkpritjen e bashkatdhetarëve tuaj të ikur nga lufta. Zoti, me ndërmjetësimin e Shën Jozafatit, i dhëntë paqe popullit martir ukrainas”.

Në Chernihiv një bombë e fuqishme ruse

Ndërkohë, një akuzë dramatike kundër Moskës vjen nga Kievi: për herë të parë rusët paskëshin përdorur një bombë të re shumë të fuqishme,   ngarkuar me eksploziv, me peshë mbi një ton. Siti ukrainas Defence Express citon burime anonime, për të kujtuar se bomba dyshohet të jetë përdorur javët e fundit në Chernihiv, në veri të Ukrainës.  

Sulmet në Bakhmut dhe Kherson

Ndërkohë, bastisjet vazhdojnë në të gjithë vendin, ndërsa Bakhmut është ende nën rrethimin e rusëve, të cilët po vazhdojnë përpjekjet për të pushtuar qytetin, qendër industriale me rëndësi strategjike dhe epiqendër e luftës në Ukrainën lindore. Forcat e armatosura ukrainase pohojnë se i kanë zmbrapsur sulmet e reja, ndërsa ministri i mbrojtjes i Kievit, Reznikov, deklaron se po ndodh një masakër e re e ushtrisë ruse, me 500 viktima në ditë. Sulme edhe në Kherson, ku alarmi kundërajror fishkëlloi disa herë sot në mëngjes

Në punë për të zgjeruar eksportet e grurit

Ndërkohë, presidenti ukrainas Zelensky priti të shtunën, në Lviv, presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. Të dy pohuan se shpresonin të hapnin negociatat për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian këtë vit. Ndërkohë, Turqia punon për ta shtyrë eksportin e grurit përtej 18 marsit, datë në të cilën pritej të përfundonte nisma e filluar korrikun e kaluar nga Kievi dhe Moska, së bashku me Kombet e Bashkuara.

05 mars 2023, 14:57