Françesku: oqeanet duhet të jenë vende bashkimi, jo tragjedie
R. SH. - Vatikan
Oqeani "mund të jetë faktor i rëndësishëm bashkimi, urë lidhjesh, kauzë e përbashkët". Për ta jetuar këtë lidhje, duhet dëgjuar "britma e të varfërve dhe britma e Tokës". E duhen rishikuar "strategjitë e zhvillimit, të bazuara mbi shpenzimet e kota dhe mbi konsumizmin, si dhe modelet e padrejta dhe të paqëndrueshme të prodhimit, të transportit, shpërndarjes dhe konsumit". Këtë thekson Papa në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, dërguar pjesëmarrësve të Konferencës VIII titulluar “Oqeani ynë” mbajtur në Panama City nga 2 deri më 3 mars, kushtuar këtë vit temës "Oqeani ynë, lidhja jonë”.
Nevoja për t'u bashkuar
Në tekst nënvizohen edhe dy pika të tjera themelore, që të mund të jetohet "kjo lidhje me të gjitha realitetet e përfshira": nga administratat - në sektorin privat; nga bota e kërkimit - në atë të politikës dhe të kulturës; nga organizatat fetare dhe rinore - në bashkësinë ndërkombëtare. Njëra nga këto pika preket nga nevoja e bashkimit “për t’i mbrojtur dhe për t’i restauruar ekosistemet detare, bregdetare dhe lumore"; tjetra “për lehtësimin e administrimit efektiv dhe koordinimit institucional në përpjesëtim me madhësinë dhe kompleksitetin e pasurisë, që duhet mbrojtur: oqeanit”.
Oqeane të shëndetshme, për brezat e ardhshëm
Mesazhi kujton sesi të gjitha qeniet njerëzore varen nga oqeanet, dhuratë e Krijuesit, e se përdorimi i tyre duhet të jetë "i drejtë dhe i qëndrueshëm", për t'ua dorëzuar "breznive të ardhshme në kushte të mira". Prandaj, e gjithë familja njerëzore - siç theksohet nga Laudato si' - thirret të krijojë "një vizion integral zhvillimi" dhe një "vizion integral ekologjie". Por, për fat të keq, fenomenet alarmante të "ndotjes së oqeanit, acidifikimit, peshkimit të paligjshëm dhe të tepruar" janë ende të pranishme, krahas shqetësimit të madh për "zhvillimin e industrisë nxjerrëse në fundet e detit", për "tragjeditë e emigrantëve në det të hapur, trafikimin e qenieve njerëzore në dete, kushtet e vështira dhe ndonjëherë të paligjshme të punës së detarëve dhe tensionet gjeopolitike në zonat detare, që konsiderohen të rëndësishme”.
Uji, faktori lidhjesh
Uji - kujtohet akoma - është faktor lidhjesh, e “oqeani nuk ka kufij politikë as kulturorë”, pasi janë rrymat e tij që, duke përshkuar planetin, nxjerrin në pah “ndërlidhjen dhe ndërvarësinë e bashkësive dhe vendeve”.
“Jemi një familje e vetme - nënvizohet - kemi të njëjtin dinjitet të patjetërsueshëm njerëzor, jetojmë nën një strehë të përbashkët, për të cilën jemi thirrur të kujdesemi të gjithë”.