Kërko

Françesku: nëse Kisha nuk ungjillëzohet, mbetet gur muzeu

Nxitja apostolike "Evangelii nuntiandi" e Palit VI ishte në qendër të katekizmit të Françeskut, i cili në audiencën e sotme të përgjithshme kujtoi tri pyetjet e formuluara nga Papa Montini për dëshmimin e fesë pa hipokrizi: "A i besoni ato që shpallni? A e jetoni atë që besoni? A e shpallni atë që jetoni?”

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku arriti në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, për audiencën e përgjithshme, në xhipin e bardhë së bashku me disa fëmijë. U prit nën rrezet tashmë të ngrohta të diellit pranveror me tingujt e daulleve e flamujtë valavitës ardhur nga lagjet fiorentine.

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, duke vijuar ciklin e meditimeve kushtuar pasionit për ungjillëzimin, Papa Françesku u ndalua tek udha e parë e ungjillëzimit: dëshmia. E në vijim, i ftoi të gjithë besimtarët të dëgjojnë thirrjen apostolike, që vijon të bëjë Shën Pali VI në "Evangelii nuntiandi", vepër të cilën e quajti "magna carta e ungjillizimit në botën bashkëkohore". E shkruar në vitin 1975, duket si të ishte shkruar dje. Është “aktuale”- shtoi Papa duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar –Ungjillëzimi - vijoi Françesku, nuk është "transmetim i thjeshtë doktrinor dhe moral":

Para së gjithash është dëshmi: nuk mund të ungjillëzohet pa dëshminë; dëshminë e takimit personal me Jezu Krishtin, Fjalën e Mishëruar, në të cilën u përmbush shëlbimi. Dëshmi e domosdoshme, sepse, mbi të gjitha, bota ka nevojë për "ungjillëzues të cilët i flasin për një Zot, që e njohin e që i njeh"(EN, 76). Nuk është transmetim i një ideologjie apo i një doktrine - në thonjëza - për Zotin, jo! Është transmetim i Zotit, që jeton në mua: kjo është dëshmia; edhe sepse "njeriu modern i dëgjon më me dëshirë dëshmitarët sesa mësuesit'. [...] Nëse i dëgjon mësuesit, e bën këtë vetëm pse janë dëshmitarë (po aty, 41). Prandaj, dëshmia e Krishtit është në të njëjtën kohë mjeti i parë i ungjillëzimit (krh. po aty) dhe kushti themelor për forcën e tij (krh. po aty, 76), që e bën shpalljen e Ungjillit frytdhënëse”.

A beson në atë që kumton?

Dëshmia e jetës së krishterë duhet të ndriçohet nga feja. Nga një fe - shpjegoi Papa - "e cila i shndërron marrëdhëniet, kriteret dhe vlerat që përcaktojnë zgjedhjet". Dëshmia "nuk mund ta shpërfillë koherencën ndërmjet asaj që beson, asaj që shpall e asaj që jeton":

Njeriu është i besueshëm nëse ka harmoni ndërmjet asaj që beson dhe asaj që jeton: mënyrës si beson e si jeton. Shumë të krishterë pohojnë se besojnë, ndërsa jetojnë ndryshe, si të mos besonin. E kjo është hipokrizi. E kundërta e dëshmisë! Sa herë dëgjojmë të thuhet ‘ah, ky që shkon në meshë çdo të diel, e pastaj jeton kështu e kështu e kështu”: është e vërtetë, është kundërdëshmi. Secili prej nesh duhet t'i përgjigjet tri pyetjeve themelore, formuluar kështu nga Papa Pali VI: “A i besoni asaj që shpallni? A e jetoni, atë që besoni? A e shpallni, atë që jetoni?”. Nuk mund të kënaqemi me përgjigje të lehta dhe të para-paketuara. Jemi thirrur të pranojmë rrezikun, edhe çartafilues, të kërkimit, duke besuar plotësisht në ndikimin e Shpirtit Shenjt, që vepron në secilin prej nesh duke na nxitur të shkojmë gjithmonë më tej: përtej kufijve tanë, përtej barrierave tona, përtej pengesave tona, të të gjitha llojeve”.

Ungjillëzim dhe shenjtëri

Dëshmia e një jete të krishterë, shton Papa Françesku, përfshin gjithashtu edhe "një shtegtim shenjtërie".

Shenjtëri, që nuk ruhet vetëm për të paktët, jo; është dhuratë nga Zoti dhe kërkon të mirëpritet e të japë fryte, për ne dhe për të tjerët. Jemi të zgjedhur dhe të dashur nga Hyji, e këtë dashuri duhet t'ua çojmë edhe të tjerëve”.

Kisha thirret për të ungjillëzuar vetveten

Papa Françesku në vazhdim të katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme nënvizon se "ata, që duhen ungjillëzuar, nuk janë vetëm të tjerët, njerëz që besojnë në fe të tjera ose që nuk besojnë fare":

Por edhe ne vetë, besimtarët në Krishtin dhe anëtarët aktivë të Popullit të Zotit. Edhe ne duhet të bëjmë kthesë çdo ditë, ta mirëpresim fjalën e Zotit dhe ta ndryshojmë jetën tonë: çdo ditë. E kështu bëhet ungjillëzimi i zemrës. Për të dhënë këtë dëshmi, Kisha duhet të nisë ‘duke ungjillëzuar veten’. Nëse Kisha nuk ungjillëzon vetveten, ajo mbetet objekt muzeal. Ndërsa, çka e freskon vazhdimisht fenë, është ungjillëzimi i vetvetes”.

Kisha dhe bota bashkëkohore

Fjala e Zotit është farë për ta bërë pjellore botën. “Kisha, që ungjillëzon veten, për të ungjillizuar - shpjegon - është kishë së cilës i prin Shpirti Shenjt. Është e thirrur të ecë në rrugën kërkuese të pendimit dhe të përtëritjes së vazhdueshme”. "Kjo përfshin edhe aftësinë për t’i ndryshuar mënyrat e të kuptuarit dhe të jetuarit të pranisë së saj ungjillëzuese në histori, duke shmangur strehimin në zona të mbrojtura nga logjika sipas së cilës “kështu është bërë gjithmonë". "Kjo Kishë - shpjegon Papa - është tërësisht e drejtuar nga Zoti, pra pjesëmarrëse në planin e tij të shëlbimit për njerëzimin dhe, njëkohësisht, e drejtuar tërësisht kah njerëzimi. Kishë, që dialogon me botën bashkëkohore”:

“Domethënë, Kishë që e takon dialogjikisht botën bashkëkohore, që dialogon me botën bashkëkohore, por që e takon çdo ditë Zotin, që dialogon me Zotin e që e lë të hyjë Shpirtin Shenjt, protagonist i ungjillëzimit. Pa Shpirtin Shenjt ne vetëm do të mund të bënim publicitet për Kishën, jo ungjillëzim. Është prania e Shpirtit Shenjt në ne, që na shtyn drejt ungjillëzimit. E kjo është liria e vërtetë e bijve të Zotit”.

Duhet njerëzimi i ri

Në përfundim Papa Françesku përsëriti ftesën "për të lexuar e rilexuar “Evangelii nuntiandi", nxitjen apostolike që pasoi Sinodin e vitit 1974 kushtuar ungjillëzimit. Papa, duke folur lirisht, nënvizoi se e lexon shpesh, nga që është "kryevepra e Palit VI", trashëgimia që "na la për të ungjillëzuar". "Të ungjillëzosh - kujton Papa Montini në këtë dokument të shpallur në vitin 1975 -  për Kishën do të thotë të çosh lajmin e mirë" në të gjitha shtresat e njerëzimit e, me ndikimin e tij, ta shndërrosh nga brenda, duke e bërë vetë njerëzimin të ri". Qëllimi i ungjillëzimit - lexohet në përfundim të nxitjes apostolike të 8 dhjetorit të 1975, është "ndryshimi i shpirtit dhe, nëse do të duhej përkthyer me një fjalë të vetme, do të ishte më e saktë të thuhet se Kisha ungjillëzon kur vetëm me fuqinë hyjnore të Mesazhit që shpall, kërkon kthesën e ndërgjegjes personale e njëkohësisht, edhe atë kolektive të njerëzve”.

22 mars 2023, 11:58

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >