Kërko

Ati i Shenjtë priti në audiencë drejtuesit e Inail-it (Institutit Italian të Sigurimeve kundër Aksidenteve në Punë) Ati i Shenjtë priti në audiencë drejtuesit e Inail-it (Institutit Italian të Sigurimeve kundër Aksidenteve në Punë)

Papa: moskujdesi për të aksidentuarit në punë, shenjë e një shoqërie të dëshpëruar, pa shpresë

Ati i Shenjtë priti në audiencë drejtuesit e Inail-it (Institutit Italian të Sigurimeve kundër Aksidenteve në Punë). “Jeta nuk është koha që kalon, por koha për takime. Kur dikush kërkon ndihmë, pasi vuan dhe ka rrezik të braktiset në anë të rrugës së shoqërisë, është themelor impenjimi i shpejtë dhe i frtyshëm i institucioneve si tuajat, - u tha Papa - të cilat vënë në praktikë fjalët e shëmbëlltyrës së Ungjillit: shiko, ndiej dhembshuri, afrohu, lidhi plagët, merr përsipër përgjegjësinë”

R.SH. – Vatikan

Bota e punës, aksidentet, që mund të ndodhin ndërsa punohet e që mund të kenë edhe pasoja të rënda për viktimat, në qendër të takimit të Papës Françesku me drejtuesit e Inail-it (Institutit Italian të Sigurimeve kundër Aksidenteve në Punë). Si zakonisht, Ati i Shenjtë e hodhi vështrimin jo vetëm mbi situatën italiane, por edhe mbi atë globale, duke dhënë për institucione të tilla në të gjithë botën, shembullin ungjillor të Samaritanit të Mirë.

“Shpesh – kujtoi Ati i Shenjtë – pesha e aksidentit ngarkohet mbi shpatullat e familjes e, ky tundim shfaqet në forma të ndryshme. Pandemia e kohëve të fundit e ka shtuar numrin e denoncimeve, sidomos në sektorët e shëndetësisë dhe të transporteve”.

Njeriu i vlefshëm, vetëm nëse prodhon: mendësia e sotme

Papa vuri në dukje se janë rritur edhe aksidentet e grave në punë. Denoncoi pa mëshirë ata afaristë e drejtorë ndërmarrjesh, që i pushojnë gratë nga puna kur i shohin shtatzënë. “Pa mbrojtje, - nënvizoi ai - shoqëria bëhet gjithnjë e më shumë skllave e kulturës së hedhurinave”, duke e konsideruar njeriun si të vlefshëm, vetëm nëse prodhon. Viktimat e aksidenteve në punë mënjanohen, duke ua lënë barrën e kujdesit për to vetëm familjeve. Në Enciklikën “Fratelli tutti”, të cilën e përmendi edhe sot, gjatë takimit, Françesku denoncon maninë për reduktimin e kostos së punës, pa marrë parasysh pasojat, si për shembull, papunësinë, e cila zgjeron kufijtë e varfërisë.

“Para kësaj mendësie – ngriti zërin Papa – kemi nevojë të kujtojmë se jeta është e paçmuar. Shëndeti i njeriut nuk këmbehet me pak para më shumë, ose me interesin individual të ndokujt. Fatkeqësisht, duhet shtuar edhe se një aspekt i kulturës së hedhurinave është prirja për t’i fajësuar viktimat. Kjo është shenjë e varfërisë njerëzore, në të cilën ka rrezik të bien marrëdhëniet, nëse humbasim hierarkinë e drejtë të vlerave, e cila, në kulmin e saj, ka dinjitetin e njeriut”.

Stili i Samaritanit të Mirë është stili i Zotit

Në udhën për t’u bërë Samaritanë të Mirë, Papa propozon të përdoret gjerësisht edhe teknologjia, përveç respektimit të normave të sigurisë, që nuk duhen parë kurrë si të panevojshme. Ati i Shenjtë përmendi punën “në distancë” apo “nga shtëpia”, që në shumë raste mund të jetë një zgjidhje e mirë, mjafton të mos i izolojë punonjësit, pa i bërë të ndihen si të përjashtuar nga bashkësia. Françesku vuri në pah se ndarja e prerë ndërmjet jetës familjare dhe ambienteve të punës ka pasur pasoja negative jo vetëm mbi familjen, por edhe mbi vetë punën, pasi ka afirmuar idenë se familja shërben për konsum e puna për prodhim. Kështu, njerëzit jashtë punës, ata që kanë pësuar aksidente e nuk janë më aq produktivë si më parë, e humbasin vlerën e tyre. Por, nuk ndodh kështu, nëse kemi stilin e Samaritanit të Mirë, theksoi Ati i Shenjtë.

“Jeta nuk është koha që kalon, por koha për takime. Kur dikush kërkon ndihmë, pasi vuan dhe ka rrezik të braktiset në anë të rrugës së shoqërisë, është themelor impenjimi i shpejtë dhe i frytshëm i institucioneve si tuajat, - u tha Papa drejtuesve të Inail-it - të cilat vënë në praktikë fjalët e shëmbëlltyrës së Ungjillit: shiko, ndiej dhembshuri, afrohu, lidhi plagët, merr përsipër përgjegjësinë”.

Njeriu e jo burokracia

 E kjo përgjegjësi, vijoi Papa, nuk ka të bëjë vetëm me aspektin fizik të të aksidentuarve, por edhe me atë psikologjik, kulturor e shpirtëror. Përdorni dhembshurinë, ëmbëlsinë, afërsinë, u kërkoi Françesku atyre, që kujdesen për pagesën e shpenzimeve pas aksidentit në punë. Ky është stili i Zotit, pa shumë burokraci, pasi njeriu i aksidentuar ka nevojë të dëgjohet, para se të dëmshpërblehet. Gjithashtu, duhet ndihmuar familja, në gjendjen dramatike në të cilën ndodhet, sidomos kur një nga anëtarët e saj nuk mund të punojë më, pas aksidentit. Nuk është fjala për mëshirë sa për sy e faqe, vërejti Papa, por për atë solidaritet e bamirësi, me të cilat përkujdesemi për humanitetin e njerëzve, në të gjitha përmasat e tij. “Kur kjo nuk ndodh – u tha Papa drejtuesve të Inail-it, para se t’ia besonte punën e tyre Shën Jozefit punëtor – shprehja ‘të shpëtojë kush mundet’ përkthehet me shpejtësi në shprehjen ‘të gjithë kundër të gjithëve’. Indiferenca është shenjë e një shoqërie të dëshpëruar dhe mediokre”.

09 mars 2023, 12:50