Kërko

Bazilika e Shën Apolinarit në Ravenë Bazilika e Shën Apolinarit në Ravenë

Papa: mësimet e Koncilit II të Vatikanit të frymëzojnë arkitekturën kishtare

Në një mesazh drejtuar Akademive Papnore me rastin e seancës XXVI solemne publike, mbajtur dje pasdite, Françesku ndalet në mënyrën se si duhet të projektohen dhe të ndërtohen vendet e kultit. Gjithashtu, jep Çmimet për projekte kishtare, që përdorin “një gjuhë arkitektonike bashkëkohore”

R.SH. – Vatikan

Ambienti i kremtimeve është i rëndësishëm "për të favorizuar lutjen dhe ndjenjën e bashkimit" e në liturgji "hapësira, drita, akustika, ngjyrat, pamjet, simbolet, orenditë liturgjike" janë themelore: kështu nënvizon Papa në mesazhin drejtuar kardinalit José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Arsimin dhe kryetar i Këshillit Koordinues ndërmjet Akademive Papnore, me rastin e seancës XXVI solemne publike të Akademive Papnore, mbajtur pasditen e djeshme, 14 mars. Gjatë saj u dha edhe Çmimi i Akademive Papnore 2022, i krijuar për të promovuar punën kërkimore të të rinjve nën 35 vjeç në fushën e arteve vizive, të letërsisë e të muzikës. Për edicionin e vitit të kaluar, nën kujdesin e Akademisë Papnore të Arteve të Bukura dhe të Letrave të Virtuozëve në Panteon, u vendos që çmimet të jepen edhe në fushën e arkitekturës, për projekte, që kanë të bëjnë me hapësirat kishtare dhe me debatin për artin fetar në kohën e sotme.

Detyra e arkitekturës kishtare

Organizatorët, sqaron Papa në mesazh, mblodhën propozimet e profesionistëve të përfshirë "në projektimin, përgatitjen, përshtatjen liturgjike, ristrukturimin dhe ripërdorimin e hapësirave të destinuara për kultin, duke marrë parasysh nevojat e reja dhe gjuhën arkitektonike bashkëkohore". Temë aktuale, nënvizon më tej Françesku, “sepse debati mbi propozimet për rinovimin e arkitekturës kishtare është gjithmonë i gjallë, e nganjëherë, edhe i ndezur. Arkitektura kishtare ka detyrën e vështirë të krijojë, sidomos në lagjet e reja, si në periferi të qyteteve, ashtu edhe në qendrat e vogla urbane, hapësira ku bashkësia e krishterë mund të kremtojë denjësisht liturgjinë shenjte, sipas mësimeve të Koncilit II të Vatikanit”.

Liturgjia duhet të frymëzojë krijimtarinë artistike

Duke folur për liturgjinë, Françesku përmend “Letrën e tij e fundit Apostolike ‘Desiderio desideravi’ për të nxjerrë në pah dy aspekte: së pari, rizbulimin e gjuhës simbolike të liturgjisë dhe bërjen e saj të kuptueshme për të gjithë. Siç shkruan në dokumentin mbi formimin liturgjik të popullit të Zotit, Françesku thekson se nuk mund të heqim dorë nga "kjo gjuhë", "sepse pikërisht atë ka zgjedhur Trinia Shenjte” për t’u folur njerëzve, prandaj, duhet rifituar aftësia për t’i përdorur e për t’i kuptuar simbolet liturgjike. Aspekti i dytë, që kujton Françesku, është se frymëzimi për krijimtarinë artistike dhe arkitektonike vjen nga Shpirti Shenjt, nga jeta liturgjike e jo nga subjektiviteti njerëzor. Arti i kremtimeve, nënvizon Ati i Shenjtë, “duhet të jetë në harmoni me veprimin e Shpirtit”, i lirë nga subjektivizmat e kulturalizmat.

Fitimtarët e Çmimit të Akademive Papnore 2022

Françesku e mbyll mesazhin duke dhënë çmimet për vitin 2022. Studio OPPS merr Medaljen e artë të Papnisë, Çmim i Akademive Papnore "për risistemimin dhe përshtatjen liturgjike të kapelës së Fondacionit të Shenjtorëve Françesku i Asizit dhe Katerina e Sienës”, në Romë, ndërsa Medaljen e argjendtë të Papnisë e merr arkitektja Federica Frino, “për projektin e kishës së re të Shën Tomës në Pontedera” të Toskanës, në Itali.

15 mars 2023, 11:22