Kërko

Messico: fiamme in centro migrati, i morti sono almeno 37 Messico: fiamme in centro migrati, i morti sono almeno 37 

Françesku lutet për migrantët, që humbën jetën mes flakëve në Meksikë

Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve spanjisht-folës, të pranishëm në audiencën e përgjithshme, Papa kujtoi viktimat e zjarrit të djeshëm në Ciudad Juárez, rënë në një qendër të Institutit Kombëtar për Migracionin. Kërkesë e re për lutje kushtuar "Ukrainës së martirizuar” dhe bijve të saj.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme, Françesku  kujtoi viktimat e një zjarri, që ra mbrëmë në Ciudad Juárez të Meksikës, në një qendër të Instituti Kombëtar të Migracionit. Papa kujtoi, thellësisht i pikëlluar, edhe familjet e viktimave dhe kërkoi ngushëllimin e Zotit për ta. Bilanci i tragjedisë në veri të shtetit Chihuahua, është 39 të vdekur dhe 29 të djegur nga flaka, shkaqet e shpërthimit të së cilës janë ende të panjohura.

Sipas autoriteteve lokale, zjarri shpërtheu pasi një grup prej rreth 71 emigrantësh, vërshuan nga rrugët e qytetit, në qendër të tij. Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, shfrytëzon rastin për të pohuar se zjarri është vepër e emigrantëve, që protestojnë për dëbimin e tyre të afërt. "E dinin se do të dëboheshin dhe, në shenjë proteste, vendosën dyshekët në derën e qendrës së pritjes dhe i vunë flakën" – pohoi presidenti. Instituti i Migracionit të Guatemalës raportoi se të paktën 28 ​​nga 39 emigrantët e djegur ishin qytetarë të Guatemalës. Në një komunikatë, Instituti njoftoi edhe se kishte paraqitur një ankesë pranë autoriteteve për të hetuar incidentin në qendër, ku banonin 68 burra, me origjinë nga Amerika Qendrore dhe Jugore.

Mendim për Ukrainën

Papa nuk e harroi as sot Ukrainën, që vijon prej më shumë se një viti ndeshjen me Rusinë e, pasi i përfundoi përshëndetjet në gjuhë të ndryshme dhe përshëndeti shtegtarët italianë, të pranishëm në audiencë, kërkoi të vazhdohen lutjet për vendin në flakë dhe popullin e tij e masakruar:

“Ta vijojmë lutjen e afërsinë me Ukrainën martire”.

Një kërkesë e veçantë Papa ua drejtoi besimtarëve polakë. Duke kujtuar se brenda pak ditësh "do të dëgjojmë përsëri përshkrimin emocionues të mundimeve të Krishtit", uroi që kjo histori të zgjojë ndër zemra "pendim dhe dashuri ndaj Zotit, që na deshi deri në fund të fundit". E  dashuri edhe për vëllezërit dhe motrat "që vuajnë në Ukrainën e munduar", ku vazhdojnë ndeshjet e, sot në mëngjes, u dëgjuan shpërthime në Melitopol, në rajonin e Zaporizhzhisë, ndërsa vijon ndërprerja e energjisë elektrike disa zona të qytetit, si në Semenivka, Tambovka dhe disa fshatra përreth. Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelensky ftoi në Kiev presidentin kinez Xi Jinping, i cili sapo vizitoi presidentin rus Vladimir Putin.

Bekimi i misionit "Spei Satelles"

Pas audiencës së përgjithshme, Papa bekoi nanobook apo libërxhuxhthin kushtuar Statio Orbis të 27 marsit 2020 - i cili riprodhon botimin e redaktuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit - dhe satelitin e vogël që do ta çojë atë në orbitë, falë misionit të konceptuar "Spei Satelles", organizuar nga Dikasteri i Komunikimit në bashkëpunim me Agjencinë Italiane të Hapësirës, ​​Politeknikun e Torinos, Institutin e Fotonikës dhe Nanoteknologjisë të CNR dhe, sërish, Apostolatin Dixhital të Torinos. Nisja do të bëhet më 10 qershor nga Kalifornia. Misioni dëshiron të dërgojë mesazhe shprese në hapësirë, për të gjithë njerëzimin.

29 mars 2023, 12:52