Kërko

2018-03-13 Anniversario Pontificato Papa Francesco 2018-03-13 Anniversario Pontificato Papa Francesco 

Françesku, kur u zgjodha Hummes më tha: “Mos ki frikë, ishte Shpirti Shenjt"

Intervistë e re e Papës me median argjentinase “Perfil”: bisedë për tema të ndryshme kishtare, sociale, politike dhe fetare. Françesku kujton zgjedhjen e tij dhjetë vjet më parë dhe fjalët që i tha kardinali brazilian në Kapelën Sikstine, së bashku me ftesën për të "mos harruar të varfërit". Më pas flet për kardinalin Casaroli, i cili përveç punës si diplomat i lartë, vizitonte edhe një burg për të mitur, si shembull i "politikë së madhe të Kishës".

R. SH. - Vatikan

as Infobae dhe La Nación, Papa Françesku bashkëbisedon me një media tjetër argjentinase, sitin Perfil, me rastin e dhjetëvjetorit të papnisë së tij. Një intervistë e gjatë me gazetarin Jorge Fontevecchia, bashkëthemelues i Perfil, gjatë së cilës u prekën tema të shumta si metafizika, kisha, teologjia, jezuitët, komunizmi, peronizmi, ekonomia, pandemia, gjeopolitika, emigrantët, Brazili, kishat ungjillore, Argjentina, lëvizjet shoqërore, meshtarët e botës së tretë, Nënat e Plaza de Mayo, diktatura, popujt vendas dhe kthimi në vendin e tij.

Papa trajton edhe temën e vdekjes, për të cilën - kujtoi - mendon shpesh "paqësisht": "Të ndihmon edhe të mos mendosh se je përgjithmonë, mbasi ka njerëz që mendojnë se e kanë blerë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, deri në vitin 2050. E jo! Është tundim ta dish se nesër duhet ta lësh këtë vend e të shkosh diku tjetër! Po ky është ligji i jetës. Duhet kujtuar kjo, është gjë e mirë”.

Përveç trajtimit të problemeve të ndryshme të Kishës, duke përfshirë udhën sinodale, sfidat e brendshme dhe të jashtme, përçarjet e mundshme, Françesku shpjegoi se “puna e Papës me Kishën dhe e ipeshkvit me dioqezën është të harmonizojë. Fjalë themelore kjo, sepse kur flasim për Shpirtin Shenjt duhet të përfundojmë me këtë fjalë. Një shembull i qartë: në mëngjesin e Rrëshajëve ka një pështjellim të madh. E kush e bën këtë? Shpirti Shenjt. Pra, Shpirti Shenjt është ai që i shkakton dallimet në Kishë, e më pas edhe i harmonizon”.

Për çështje të ndryshme teologjike dhe disiplinore në Kishë, si sakramentet për të divorcuarit, të rimartuarit dhe martesat homoseksuale, Françesku përsëriti se "çdo njeri është bir i Zotit dhe secili e kërkon Zotin dhe e gjen, ashtu siç mundet". Zoti i mban larg vetëm krenarët, ndërsa ne të tjerët, mëkatarët, jemi në radhë”. Për çështjen e çelibatit, Papa përsëriti: “Nuk jam ende gati ta rishikoj, por padyshim është çështje disipline, nuk ka të bëjë me dogmën, që ekziston sot e mund të mos ekzistojë nesër”.

"Pse e identifikoni veten me Françeskun e Asizit?" e pyeti më pas Fontevecchia. “Është spontane. Ta shikosh atë djalë, bir i një familjeje të mirë, që në moshën 20-vjeçare lë gjithçka, madje zhvishet para babait dhe fillon një jetë me krijimtari mbresëlënëse… Jeta e Françeskut është jeta e një revolucionari, i cili ka guximin t’i ngatërrojë plotësisht kartat në tryezë, e një të pavetëdijshmi, që shkon te kalifi a sulltani, duke e ditur se mund t'i pritet koka. Është pamaturia e njeriut të dashuruar me Jezusin, e admirueshme, por jo plotësisht e imitueshme. Janë këta shenjtorë të cilët, për të gjetur rrugën që duhet ndjekur, shkojnë më tej, por më pas duhen afruar pak me jetën e zakonshme”.

Duke rikujtuar ditën e zgjedhjes së tij, 13 mars, dhjetë vjet më parë, Papa foli për emocionet që ndjeu në çastin e shpalljes: “Njeriu mbrohet, duke mos dashur të dëgjojë. Kur pasditja e parafundit ishte pothuajse e qartë se do të përfundonte “keq” (sic), kardinali Hummes erdhi pas meje dhe më tha: 'Mos ki frikë, ishte vepra e Shpirtit Shenjt'. Njeri i madh, kardinali Hummes. E, kur u zgjodha, kisha dy të tretat e votimi vijonte, Hummes erdhi tek unë dhe më tha: "Mos i harroni të varfërit". E këtu lindi emri Françesk. Hummes më shoqëroi me ato dy gjeste” - kujtoi Jorge Mario Bergoglio.

Gjatë intervistës u krijua hapësirë edhe për problemet  ekonomike, të cilave Papa iu përgjigj duke ripropozuar vizionin social të Kishës dhe duke treguar se “sot gjërat kanë shkuar më tej, mund të dialogohet shumë mirë me ekonominë dhe të arrish hapa mirëkuptimi ose formula që funksionojnë. Nga ana tjetër, me financat nuk është e mundur të dialogosh mirë. Financat janë gasos, ekonomia është konkrete”.

Për çështjen e emigracionit, Papa këmbënguli në faktin se sot, fatkeqësisht, ka vende shfrytëzuese dhe vende të shfrytëzuara, duam s’duam. Dhe, gjithnjë fatkeqësisht, nuk ka mungesë kufijsh, ka mungesë formale të kufijve, por jo mungesë reale të kufijve, sepse brenda Evropës ka edhe dallime që janë kufij. Nuk e imagjinoj si uniformitet, a shprehje figurative, por si pasuri e çdo vendi, e çdo populli, e çdo kontinenti”.

Së fundi, një reflektim për meshtarët, për misionin e tyre baritor dhe për thirrjen e vazhdueshme që të jenë “barinj me erën e deleve”. “A mund të jetë një bari me erën e deleve këtu, në Vatikan?”,  e pyeti gazetari. "Po, sigurisht", u përgjigj Papa dhe kujtoi shembullin e kardinalit Casaroli, i cili në kohën e Gjonit XXIII, përveç punës së tij fitimprurëse si diplomat i lartë, vizitonte edhe një burg për të mitur të dielave: "Kjo është politika e madhe kishtare e Kishës”.

Në fund të intervistës, edhe një mesazh për bashkëqytetarët e tij argjentinas:

“Dua të falënderoj popullin tim sepse jam edukuar nga populli argjentinas. Unë jam argjentinas, i edukuar nga populli argjentinas, me pasurinë dhe kontradiktat e tij, kam trashëguar gjithçka, bir emigrantësh, por me zemër argjentinase”.

12 mars 2023, 15:06