Kërko

Ipeshkvi imzot David O’Connell Ipeshkvi imzot David O’Connell

Papa kujton ipeshkvin e vrarë në Los Anxhelos

Në prag të funeralit të nesërm, 3 mars, në Los Anxhelos, kryeipeshkvi Gomez përkujtoi imzot O'Connell, vrarë më 18 shkurt, me një meshë në Hacienda Heights, periferia ku prelati u gjet i pajetë. Lexoi edhe telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, në të cilin Françesku kujton figurën e bariut të interesuar për të varfërit, emigrantët dhe nevojtarët dhe të përkushtuar në promovimin e paqes në gjirin e bashkësisë lokale

R.SH. - Vatikan

         Papa kujton në një telegram, ipeshkvin ndihmës të Los Anxhelesit, imzot David O’Connell, vrarë në ditët e kaluara. Ati i Shenjtë “thellësisht i pikëlluar” nga lajmi, kujton një ipeshkëv të impenjuar në favor “të të varfërve, të emigrantëve dhe të nevojtarëve. Në tekstin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dërguar dioqezës së Los Anxhelesit, Papa nënvizon edhe impenjimin e imzot O’Connell për “solidaritetin, bashkëpunimin dhe paqen në bashkësinë e tij lokale”.

Funerali

         Nesër, më 3 mars, në katedralen e Zojës së Engjëjve do të kremtohet funerali i prelatit me origjinë irlandeze, ipeshkëv ndihmës i kryedioqezës së Los Anxhelosit që nga viti 2015. Trupi i tij do të varroset në kriptë ndërsa sot ekspozohet për homazhet e besimtarëve gjatë gjithë ditës. Ipeshkvi u vra pikërisht në Hacienda Heights, 30 kilometra larg Los Anxhelosit, në banesën ku jetonte. Policia e gjeti të vdekur në orët e para të mëngjesit, me një plumb në gjoks. Më 20 shkurt u arrestua Carlos Medina, 65 vjeç, i shoqi i guvernantes së viktimës, që më vonë, pranoi se e kishte kryer ai vrasjen, pa shpjeguar ç’e shtyu për këtë. Mund të dënohet me 35 vjet burg.

02 mars 2023, 15:15