Papa, krerët fetarë të inkurajojnë një politikë për paqen
R.SH. – Vatikan
“Gur kilometrik në rrugën e dialogut ndërfetar dhe të mirëkuptimit ndërmjet popujve”. Kështu e kujton Papa Françesku takimin historik të dy viteve më parë me Ajatollahun e Madh të Shiitëve, Sayyid Ali Al-Husayni Al-Sistani, gjatë udhëtimit apostolik në Irak. Sot, Salla e Shtypit të Vatikanit botoi një mesazh, që Ati i Shenjtë i dërgon kreut mysliman, në kujtim të asaj ngjarjeje.
Bashkëpunimi ndërmjet feve, i domosdoshëm
Ishte bisedë private vëllazërore që, përsërit sot Papa, “i bëri mirë shpirtit”, rast për shkëmbim shpirtëror lidhur me temat e rëndësishme të solidaritetit, paqes dhe mbrojtjes së më të ligshtëve.
“Më inkurajoi impenjimi juaj për ata, që kanë vuajtur persekutimin, duke e ruajtur shenjtërinë e jetës dhe rëndësinë e bashkimit të popullit irakian – shkruan Françesku në mesazh. - Bashkëpunimi dhe miqësia ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme janë të domosdoshme, për të kultivuar jo vetëm vlerësimin e ndërsjellë, por sidomos atë harmoni, që kontribuon në të mirën e njerëzimit, siç na mëson historia e kohëve të fundit në Irak. Prandaj, bashkësitë tona mund dhe duhet të jenë vend i privilegjuar bashkimi e simbol i bashkëjetesës paqësore, ku t’i drejtojmë lutjen Krijuesit të gjithçkaje, për një të ardhme uniteti në tokë”.
Të rizbulojmë vëllazërimin e mikpritjen
Në dritën e besimit të përbashkët se “respekti për dinjitetin dhe të drejtat e çdo njeriu e të çdo bashkësie, veçanërisht për lirinë e fesë, të mendimit dhe të shprehjes, është burim i qetësisë personale e shoqërore dhe i harmonisë ndërmjet popujve”, Françesku ndalet në rolin vendimtar të krerëve fetarë, sidomos në përballimin e krizave të shoqërisë bashkëkohore:
“Na takon edhe neve, krerëve fetarë, t’i inkurajojmë përgjegjësit e shoqërisë civile të punojnë për një kulturë të bazuar në drejtësi e paqe, duke promovuar veprime politike, që mbrojnë të drejtat themelore të secilit. Vërtet, është themelore që familja njerëzore të rizbulojë kuptimin e vëllazërimit dhe të mikpritjes së ndërsjellë, si përgjigje konkrete për sfidat e sotme”.
Së fundi, në mesazh, Papa shpreson që së bashku, të krishterë dhe myslimanë, të jenë gjithnjë dëshmitarë të së vërtetës, të dashurisë e të shpresës, “në një botë të karakterizuar nga konflikte të shumta e, pikërisht për këtë, e dëshiruar për dhembshuri e shërim”.