Papa kremton “24 orë për Zotin” në Kishën e Zojës së Hireve, në Romë
R.SH. – Vatikan
“24 orë për Zotin”, nisma e lutjes dhe e pajtimit gjatë Krezhmëve, dëshiruar nga Papa Françesku, kremton sivjet edicionin e saj të dhjetë. Të gjithë besimtarët ftohen në lutje e rrëfim në dioqezat anembanë botës, në prag të së dielës së katërt të Krezhmëve, nga e premtja 17 deri të shtunën, 18 mars. Në përgatitje për Pashkët, që sivjet kremtohen më 9 prill, Kishat do të qëndrojnë të hapura për një ditë të tërë, në mënyrë që gjithë të krishterët të kenë mundësinë të adhurojnë të Shenjtnueshmin Sakrament dhe të rrëfehen.
Papa Françesku do ta kryesojë nismën “24 orë për Zotin”, më 17 mars, në orën 16.30, në famullinë e Zojës së Hireve në lagjen Trionfale të Romës. Siç ka bërë gjithnjë, ai vetë do të dëgjojë rrëfimin e disa prej besimtarëve. Ata, që kanë dëshirë të marrin pjesë në këtë ngjarje mund të plotësojnë formularin në këtë faqe, deri sa të përfundojë kapaciteti i kishës famullitare. Biletat falas mund të tërhiqen më pas në via della Conciliazione 7.
Dyert e hapura të Kishave janë simbol i dashurisë së mëshirshme të Hyjit. Në përgatitje të nismës “24 orë për Zotin”, Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin ka botuar një doracak ndihmës baritor, i cili përmban skeda për lutjen personale dhe këshilla për kremtimet në bashkësi. Doracaku i botuar nga Shalom mund të blihet në librari, ose në internet. Në gjuhën angleze, spanjolle dhe portugeze, teksti mund të shkarkohet online.