Papa: Kisha nuk është shtëpi vetëm për disa, është për të gjithë
R. SH. - Vatikan
Shtëpia e Shën Martës, në Vatikan, streha ku jeton Papa Françesku. Dyert hapen menjëherë për të pritur RSI-në, Radio Televizionin Zviceran italisht-folës, për një intervistë me Papën kushtuar dhjetë viteve të Papnisë. Bisedë që do të mund të ndiqet e plotë mbrëmjen e së dielës, 12 mars, në www.rsi.ch. Françesku nuk mendon të japë dorëheqjen, shpjegon vetëm çka mund ta shtyjë ta japë: «Lodhja, që të pengon t'i shohësh gjërat qartë. Mungesa e kthjellësisë, e aftësisë për të vlerësuar situatat”.
Papa nuk jeton prej dhjetë vjetësh në Buenos Ájres. Që nga ajo kohë i mungon "ecja, dalja në rrugë". Por ndjehet fare mirë në Romë, “qytet unik”, edhe pse nuk mungojnë shqetësimet. Po jetojmë një luftë botërore" - kujton - “Filloi pjesë-pjesë, po tani askush nuk mund ta mohojë se është globale. E kjo, sepse fuqitë e mëdha janë bërë lamsh e li në Ukrainë, fushë kryesore e betejës. Atje ndeshen të gjithë”. Papa flet, në vijim, për qëndrimin e Putinit, i cili - kujton - e di se do të dëshironte të më takonte "atje ku janë të gjitha interesat perandorake, jo vetëm të perandorisë ruse, por edhe të perandorive të pjesëve të tjera të botës".
Atë i Shenjtë, sa keni ndryshuar në këto dhjetë vjet?
Jam plakë. Kam më pak forcë e dhimbja gjurit ishte një vuajte fizike, dhe tani po shërohet mirë.
E keni pasur të vështirë të uleni në karrigen me rrota?
Turpërohesha paksa!
Shumë ju përshkruajnë si Papa i të fundmve. A ndiheni kështu?
Është e vërtetë se dua më shumë të flakurit, gjë që nuk do të thotë se i flak të tjerët. Të varfërit janë të zgjedhurit e Jezusit, por Jezusi nuk i dëbon as të pasurit!
Jezusi i fton të gjithë në tryezën e tij. Çfarë do të thotë kjo?
Do të thotë se askush nuk përjashtohet. Kur nuk erdhën të ftuarit në festë, Krishti i nisi ndjekësit e vet të shkonin në udhëkryqe dhe t’i ftonin të gjithë, të sëmurët e të shëndoshët, të mirët dhe të këqijtë, të vegjlit e të mëdhenjtë, të pasurit e të varfrit, të gjithë! Nuk duhet ta harrojmë këtë: Kisha nuk është shtëpi për disa, nuk i zgjedh të ftuarit. Populli i shenjtë besnik i Zotit ka një emër të vetëm: të gjithë.
Pse disa njerëz ndihen të përjashtuar nga Kisha për shkak të kushteve të tyre të jetesës?
Mëkati është gjithnjë në pritë! Ka burra të Kishës, gra të Kishës që distancohen. E kjo është paksa kotësia e botës: nuk është aspak e arsyeshme ta mbash veten më të drejtë se të tjerët. Jemi të gjithë mëkatarë. Në orën e së vërtetës vendose mbi tryezë të vërtetën tënde dhe do të shikosh se edhe ti je mëkatar!
Si e përfytyroni orën e së vërtetës në jetën tjetër?
Nuk mund ta përfytyroj. Nuk e di si do të jetë. Një gjë vetëm kërkoj: ta kem pranë Zojën!
Pse e zgjodhët shtpëpinë e Shën Martës?
Dy ditë pas zgjedhjeve shkova për të marrë në dorëzim pallatin apostolik. Nuk është shumë luksoz. I bërë mirë, por tepër i madh. M’u duk si hinkë e përmbysur. Psikologjikisht nuk mund ta duroj këtë. Rastësisht kalova para dhomës ku jetoj. E thashë me vete: "Do të rri këtu". Është hotel: jetojnë dyzet vetë, që punojnë në kurie. E vijnë njerëz nga të katër anët e botës!
A ju mungon ndonjë gjë nga jeta juaj e mëparshme?
Më mungon ecja, dalja në rrugë. Kam ecur shumë. Me metro, autobus, gjithmonë me njerëz.
Çfarë mendoni për Evropën?
Tani për tani ajo ka shumë politikanë të rinj, kryetarë qeverish apo ministra. Unë u them gjithmonë: bisedoni me njëri-tjetrin. Ai është nga e majta, ju jeni nga e djathta, por të dy jeni të rinj, flisni. Është çasti i dialogut mes të rinjve.
Çfarë sjell Papa që vjen pothuajse nga fundi i botës?
Më vjen ndërmend një frazë e filozofes argjentinase Amelia Podetti: “Realiteti shihet më mirë nga skajet, sesa nga qendra. Universaliteti kuptohet nga distanca”. Është parim social, filozofik dhe politik ky!
Çfarë kujtoni nga muajt e izolimit, nga lutja juaj e vetmuar në Sheshin e Shën Pjetrit?
Binte shi e nuk kishte asnjë njeri! Po unë e ndjeva se Zoti ishte atje. Ishte! E donte të na bënte të kuptonim tragjedinë, vetminë, errësirën, murtajën.
Në botë ka disa luftëra. Pse është e vështirë ta kuptosh dramën?
Në pak më shumë se njëqind vjet ka pasur tri luftëra botërore: '14-18, '39-45, e kjo, sepse edhe kjo është luftë botërore. Filloi copa-copa po tani askush nuk mund të thotë se nuk është globale. Fuqitë e mëdha janë ngatërruar keqas. Fusha e betejës është Ukraina. Atje luftojnë, të gjithë! E kjo të bën të mendosh menjëherë për industrinë e armëve. Një teknik më tha: po të mos prodhoheshin armë për një vit, problemi i urisë në botë do të zgjidhej plotësisht. Është treg. Lufta bëhet, armët e vjetra shiten, të rejat testohen.
Para konfliktit në Ukrainë, jeni takuar disa herë me Putinin. Çfarë do t'i thoshit, po ta takonit sot?
Do t'i flisja qartë, ashtu siç flas në publik. Është njeri i kulturuar. Ditën e dytë të luftës shkova në ambasadën ruse pranë Selisë së Shenjtë për të pohuar se isha i gatshëm të shkoja në Moskë, me kusht që Putini të më linte një dritare të hapur për të biseduar. Më shkroi Lavrovi. Më falënderoi e më kujtoi se nuk ishte koha për takime. Putini e di mirë se jam në dispozicion. Por aty ngatërrohen interesa perandorake. E jo vetëm të perandorisë ruse. Edhe të perandorive gjetkë. Pikërisht ndër perandoritë, kombet vihen në vendin e dytë.
Me cilat luftëra të tjera ndiheni më afër?
Me konfliktin e Jemenit, me Sirinë, Rohingyat e varfër të Mianmarit. Pse këto vuajtje? Luftërat lëndojnë. Nuk kanë shpirtin e Zotit! Unë nuk besoj në luftërat e shenjta!
Flisni shpesh për thashethemet. Pse?
Përgojimet shkatërrojnë bashkëjetesën, familjen. Është sëmundje e fshehur. Murtajë.
Si ishin dhjetë vjetët e Benediktit XVI në Mater Ecclesiae?
“I aftë! E njeri i Zotit, që e desha shumë. Herën e fundit e pashë për Krishtlindje. Pothuajse nuk mund të fliste. Po foli: pak, pak, pak. Qe e nevojshme të përktheheshin fjalët e tij. Ishte i kthjelltë, ndaj bëri një mori pyetjesh: Si është kjo? Ky problem? Ai tjetri? Dinte gjithçka. Kisha kënaqësi të flisja me të. I kërkoja mendimin. E ai ma jepte, por gjithmonë i ekuilibruar, pozitiv, i mençur. Herën e mbrame, megjithatë, shihej qartë se ishte në fund.
Salikimet ishin të përkora. Pse?
Krerët e ceremonive e “vranë shumë mendjen” për këtë varrim. Sepse ishte varrim i një Pape, që nuk papnonte. Vështirë ta dalloje ndryshimin. Tani kam kërkuar të studiohen ceremonitë për varrimin e Papëve të ardhshëm, të të gjithë Papëve. E ata po studiojnë e edhe po i thjeshtojnë paksa gjërat, duke hequr çka është e gabuar nga ana liturgjike.
Papa Benedikti i hapi rrugën dorëheqjes. Ju keni thënë se është mundësi, por se nuk e mendoni aktualisht. Çfarë mund t'ju shtyjë të jepni dorëheqjen në të ardhmen?
Lodhja, që të pengon t'i shohësh gjërat qartë. Mungesa e qartësisë, e aftësisë për t’i vlerësuar situatat. Edhe problemi fizik, ndoshta. Për këtë pyes gjithmonë dhe ndjek këshillat. Si shkojnë punët? A të duket se duhet … i pyes njerëzit, që më njohin, madje edhe disa kardinaj të zgjuar. E ata më thonë të vërtetën: vazhdo, je shëndosh e mirë! Por ju lutem: bërtitni me kohë!
Kur përshëndesni, u kërkoni të gjithëve të luten për Ju. Pse?
Jam i sigurt se të gjithë luten. Jobesimtarëve u them: lutuni për mua dhe nëse nuk luteni, më dërgoni valë të mira. Një mik ateist më shkruan: …unë po të dërgoj valë të mira. Është një mënyrë pagane për t'u lutur, mënyrë për ta dashur njëri-tjetrin. Dhe ta duash tjetrin është lutje!